Sonte shfaqet ‘Pushimi i Kalorësve”, baleti që sjell në skenë luftë, dashuri e intriga

Shfaqja ‘Pushimi i Kalorësve’, me koreografi nga Natalia Osipova nga Baleti Kombëtar i Kosovës, vjen sontë në transmetim online, në ora 19:00.

Ngjarja e kësaj shfaqjeje zë vend në një fshat të vogël austriak, ku dy shoqe ishin të dashuruara me një kalorës të pashëm, i cili herë pëlqen njërën dhe herë tjetrën. Dy shoqe të cilat luftuan pothuajse gjatë gjithë kohës me njëra tjetrën për të fituar dashurinë e kalorësit.

Kalorësi arrestohet dhe në ndërkohë të gjithë kalorësit tjerë kërkojnë dashurinë e njërës nga dy shoqet që dashuronin atë, nuk shkon gjatë dhe ai martohet më në fund me atë tek e cila qysh në fillim vërehej se e dashuronte pak më shumë.

‘Pushimi i kalorësve’ si një balet klasik i zhanrit të komedisë, shpalos para publikut luftë e dashuri, intriga e lajka, e që në fund të gjitha përfundonin me të qeshura e zbavitje.

‘Pushimi i Kalorësve’ është një shfaqje që të mban në emocion gjatë gjithë kohës.

Shfaqjen mund ta ndiqni në faqen zyrtare të Baletit Kombëtar në Facebook./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/BaletiKombetariKosoves/

Baleti Kombëtar i Kosovës anulon shfaqjen “Pushimi i Kalorësve”

Qeveria e Kosovës në një mbledhje urgjente, të mbajtur të mërkurën mbrëma ka marr një sërë masash me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Ndonëse shumë qytetarë deri më tani janë testuar me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi, rezultatet kanë treguar se asnjëri prej tyre nuk është infektuar nga ky virus.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Planin e veprimit për gatishmëri dhe reagim për koronavirusin, ndërsa mbi bazë ndau 10 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë.

Duke u bazuar në këto vendime të Qeverisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, ka marrë vendim që të anulon shfaqjen “Pushimi i Kalorësve” dhe të pezulloj aktivitetet e përditshme.

Ky është njoftimi i Baletit Kombëtar të Kosovës:

Në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës më datë 11.03.2020 mbi Masat e reja lidhur me COVID-19

Baleti Kombëtar i Kosovës me keqardhje iu njofton që shfaqja “Pushimi i Kalorësve” anulohet si dhe aktivitetet e përditshme pezullohen deri sa të bëhet dezinfektimi i Sallës së Baletit dhe komplet objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Faleminderit për mirëkuptim! / KultPlus.com

“Pushimi i kalorësve” solli mbrëmë në skenë luftë, dashuri e intriga

 

Xhemile Hysenaj

Baletit Kombëtar i Kosovës mbrëmë dha shfaqjen e parë për këtë vit të titulluar ‘Pushimi i kalorësve’, nën koreografinë e balerinës dhe koreografes së mirënjohur Natalia Osipova, shkruan KultPlus.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, balerinët zunë skenën për të shpalosur një ngjarje që në vete përmbante ndodhi të shumta.

Ngjarja zinte vend në një fshat të vogël austriak, ku dy shoqe ishin të dashuruara me një kalorës të pashëm, i cili herë pëlqen njërën dhe herë tjetrën. Dy shoqe të cilat luftuan pothuajse gjatë gjithë kohës me njëra tjetrën për të fituar dashurinë e kalorësit.

Kalorësi arrestohet dhe në ndërkohë të gjithë kalorësit tjerë kërkojnë dashurinë e njërës nga dy shoqet që dashuronin atë, nuk shkon gjatë dhe ai martohet më në fund me atë tek e cila qysh në fillim vërehej se e dashuronte pak më shumë.

‘Pushimi i kalorësve’ si një balet klasik i zhanrit të komedisë, i cili gjatë gjithë kohës mbante publikun në emocion me ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhnin sa hap e mbyllë sytë, shpalosi para publikut luftë e dashuri, intriga e lajka, e që në fund të gjitha përfundonin me të qeshura e zbavitje.

Koreografja e shfaqjes Natalia Osipova, tregoi për KultPlus se edhe pse nuk është hera e parë që punon me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, për të ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë të punojë edhe këtë herë me ta.

‘’Duartrokitjet janë nota më e mirë që unë mund të marr në karrierë dhe poashtu jam shumë e kënaqur me trupën e Baletit Kombëtar pasiqë për një kohë shumë të shkurtë ata kanë bërë një punë shumë të madhe”, potencoi Osipova për KultPlus.

Behie Murtezi, njëra nga balerinat, për KultPlus tregonte se përjetoi emocione të mëdha gjatë shfaqjes dhe pas saj, dhe poashtu u shpreh tejet e kënaqur që edhe njëherë pati rastin të punojë me koreografen e mirënjohur Osipova.

“Kjo është shfaqja ime e parë pas një viti e gjysmë pauzë dhe të marrësh aq shumë duartrokitje nga publiku ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha Murtezi për KultPlus.

Ndërsa Vjollca Llugiqi e konsideronte punën e koreografes si një punë madhështore, ndërsa tregoi për KultPlus se përjetoi emocione të mëdha në këtë shfaqje që ishte edhe premiera e parë e këtij viti.

‘Pushimi i kalorësve’ la mbresa të mëdha tek publiku, i cili me minuta të tërë vazhduan me duartrokitje e brohoritje pas përfundimit të shfaqjes.

Repriza e ‘Pushimi i kalorësve’ pritet të shfaqet sonte në Teatrin Kombëtar, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com