MASH merr vendim, publikon datat e pushimit pranveror

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ka nënshkruar sot propozim-vendimin, për pushim pranveror për të gjitha shkollat në vend.

Sipas saj, pushimi pranveror realizohet me 6-8 prill, përfshirë ditët e pushimit, ku më pas mësimi do të rifillojë me 12 prill.

”Sot kam nënshkruar Vendimin që pushimi pranveror të realizohet me 6-8 prill, pra përfshirë ditët e pushimit, mësimi do të rifillojë me 12 prill.

Uroj që ky pushim të ndikojë në ruajtjen e shëndetit publik, uljen e rasteve të reja të infektimit me COVID/19, në mirëqenien fizike dhe mendore të nxënësve dhe prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla.

Kjo periudhë do të shfrytëzohet për dezinfektimin e plotë të hapësirave shkollore.

Mësimdhënësit dhe udhëheqësit në shkolla do të reflektojnë dhe analizojnë punën e tyre në periudhën e parë dhe të dytë, ashtu si dhe do të pregatiten për përfundimin sa më të suksesshëm të vitit shkollor.

Në takimet që kam pasur këtyre ditëve me përfaqësues të të gjithë akterëve të përfshirë në arsim, kemi arritur një pajtueshmëri të plotë jo vetëm për këtë pushim, por edhe për zëvendësimin e ditëve të humbura në fillim të vitit shkollor.

Në takimet e punës shpreha dhe brengat e mia për cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, pabarazive që mund të jenë shtuar tek nxënësit dhe arritjes së rezultateve të pritura. Në këtë drejtim, shumë shpejtë do të nxjerrim dhe Vendimin për organizimin e mësimit plotësues dhe shtesë për nxënësit që mund të kenë pasur ngecje, sidomos për filloristët, për çfarë pat mbështetje të plotë nga të gjitha palët”./ KultPlus.com

Ymeri: Javën e ardhshme të gjitha shkollat do të shkojnë në pushim pranveror

Javën e ardhshme të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar do të shkojnë në pushim pranveror për një javë, ku pas këtij pushimi sërish procesi mësimor do të mbahet me prezencë fizike në objektet shkollore dhe jo online.

Gjatë kësaj jave të pushimit do të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore si dhe do të vlerësohet situata epidemiologjike në shkollat në nivel vendi.

Këto i ka bërë të ditura përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e sotëm që është mbajtur me ministren e Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.

Ai thotë se tashme është vendosur që java e ardhshme të jetë pushim për shkollat në të gjithë vendin, e një gjë të tillë sipas tij e ka rekomanduar edhe përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Pas diskutimeve që janë bërë është vendosur që gjatë javës së ardhshme edhe me rekomandimin e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili ishte në takim që të mbahet një javë pushim, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë”, thotë ai.

Ai potencon se të gjithë përfaqësuesit në këtë takim janë deklaruar pro mbajtjes së pushimit pranveror, e një pushim i tillë thotë se është i mirëseardhur edhe për shkak të numrit në rritje të infektimeve dhe rasteve të vdekjeve edhe brenda personelit arsimor.

“Është interesantë se për pushimin pranveror kanë qenë të pajtimit të gjithë, edhe Këshilli i Prindërve edhe ne si përfaqësues të mësimdhënësve dhe DKA-të…Duke e pasur parasysh numrin në rritje të infektimeve që janë këto ditë edhe duke e pasur parasysh që kemi raste të vdekjeve edhe të mësimdhënësve, për shembull sot e kemi një rast vdekje në komunën e Prizrenit nga COVID-19. Si dhe duke e pasur parasysh se rastet e reja të paraqitjes së COVID-it po ka edhe tek fëmijët, nxënësit mendojmë që është mjaftë e dobishme në mënyrë që ta ulim pak infeksionin këto ditë. Mendoj që është e mirëseardhur së pari për shëndetin edhe të nxënësve edhe të mësimdhënësve, po edhe mendoj që është e nevojshme një lloj pushimi për fëmijët”, thotë ai për KosovaPress.

Gjatë pushimit një javor, Ymeri deklaroi se do të punohet në dezinfektimin e objekteve shkollore, derisa thotë se edhe pas pushimit mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike në shkolla dhe jo online.

“Gjatë kësaj kohës së pushimit do të punohet shumë, ashtu së paku u tha, që të dezinfektohen shkollat, të përgatiten sa më shumë që është e mundur dhe përsëri të fillojmë me skenarin A, B, C varësisht nga nevoja. Do të thotë të fillojmë mësimin në objektet shkollore jo në mësimin online dhe ne si përfaqësues të punëtorëve edhe ne e përkrahim idenë dhe qëndrimin që mësimi të zhvillohet deri në momentet kur është shumë i rrezikuar shëndeti i mësimdhënësve, i punëtorëve në arsim edhe i nxënësve. Deri në ato momente bëjmë çmos që ta ruajmë mësimin në klasë, jo nga distanca për shkak se nuk është as i përafërt mësimi online me atë mësimin me prezencë në klasë”, thotë ai.

Në këtë takim të përfaqësuesve të sistemit arsimor është diskutuar edhe çështja e zëvendësimit të ditëve të humbura mësimore.

Ymeri thotë se si përfaqësues të mësimdhënësve kanë propozuar që ky zëvendësim të bëhet ditëve të shtune.

“Ne si përfaqësues të sindikatës kemi thënë që më e mira është që zëvendësimi të bëhet ditëve të shtune, një të shtune po, një të shtune jo në mënyrë që mos të shkohet për shkak se e dimë që kalendari për klasën 1-8 viti shkollor përfundon me 30 qershor mos të shtyhet edhe në korrik mësimi”, thotë ai.

Sipas kalendarit mësimor, pushimi pranveror ka qenë i paraparë të mbahet nga 29 marsi deri me 4 prill, por që pushimi të mbahet nuk kishte vendosur qeveria në detyrë./gazetaexpress/KultPlus.com