“Mami, mos shiko TV”, është kënga e re e grupit rus ”Pussy Riot” për të protestuar kundër luftës në Ukrainë, censurës ruse dhe gjithashtu kundër Perëndimit që “sponsorizon” regjimin duke blerë naftë dhe gaz rus.
Në album kërkohet edhe që lideri rus Vladimir Putin të gjykohet nga një gjykatë ndërkombëtare.
Në një deklaratë për “Guardian”, grupi e përshkroi qeverinë e Putinit si një “regjim terrorist” dhe e quajti atë, zyrtarët, gjeneralët dhe propagandistët e tij “kriminelë lufte”.
“Muzika jonë është një klithmë dëshpëruese dhe qortuese kundër marionetave gjakatare të Putinit, një përbindësh i vërtetë kanibal, vendi i të cilit është në pafundësinë e flakëve të zjarrta të ferrit mbi kockat e viktimave të kësaj lufte të tmerrshme.”
Titulli dhe refreni i këngës bazohet në fjalët e një ushtaraku rus të kapur, i cili i tha nënës së tij: “Mami, nuk ka nazist këtu, mos shiko TV”.
“Propaganda ruse helmon zemrat e njerëzve me urrejtje çdo ditë. Ata që e kundërshtojnë Putinin burgosen, helmohen dhe vriten”, deklaroi grupi, duke vënë në dukje se paratë që Kremlini merr nga komuniteti ndërkombëtar duke bërë biznes me Rusinë janë shndërruar “në gjak ukrainas”./atsh/ KultPlus.com