Ministria e Bujqësisë: Mos i digjni hamulloret, mos ndizni zjarre në pyje

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë thirrje sot që të mos digjen hamulloret dhe të mos ndizen zjarre në pyje.

Nga ministria bëjnë me dije se këto zjarre mund të shkaktojnë dëme në shtëpi, objekte të ndryshme e kultura të ndryshme, pyje dhe toka pyjore.

“Për shkak të temperaturave të larta është nevojshme shtimi i vigjilencës dhe marrja e masave paraprake për ndalimin e ndezjes së hamulloreve në mënyrë që të pengoni shkaktimin e dëmeve për jetën e njeriut, objekte banimi, pyje dhe toka pyjore, etj”, thuhet në njoftim.

KultPlus ju sjell postimin e plotë:

MOS I DIGJNI HAMULLORET, MOS NDEZNI ZJARRE NE PYJE

Të nderuar fermerë,

Jemi në fillimin e korrje-shirjes së grurit, ku pas korrjes së grurit disa fermerë praktikojnë t’i djegin hamulloret (stërnishtat). Përmes djegies së hamulloreve mund të shkaktoni dëme në shtëpi, objekte të ndryshme e kultura të ndryshme, pyje dhe toka pyjore duke shkaktuar dëme të mëdha dhe shpesh të pakthyeshme, siç kanë të bëjnë ato me dëme materiale dhe ndotjen e mjedisit përmes rritjes së dioksidit të karbonit në atmosferë.

Për shkak të temperaturave të larta është nevojshme shtimi i vigjilencës dhe marrja e masave paraprake për ndalimin e ndezjes së hamulloreve në mënyrë që të pengoni shkaktimin e dëmeve për jetën e njeriut, objekte banimi, pyje dhe toka pyjore, etj.

Në parcelat në të cilat nuk ekzistojnë mundësitë për ujitje, duhet të merren masa në përkufizimin e parcelës, sidomos të tokave bujqësore që kufizohen me pyje dhe pranë tyre duke bërë lërim me brazda në 2-4 rende në mënyrë që të pengohet përhapja e zjarrit në vendbanime dhe tokat përreth.

Të njëjtat parcela pas të korrave të grurit, kërkohet të merren masat agroteknike për lërimin e cektë të tyre duke krijuar kushte për dekompozimin e mbetjeve nga të korrat, e cila preferohet sidomos të zbatohet pranë vendbanimeve, pyjeve dhe tokave pyjore. Lërimi i cektë ndihmon në përmirësimin e strukturës të tokës dhe rritjen e plleshmërisë të saj.

Djegia e hamulloreve dhe mbetjeve pas korrjeve (kashta) paraqet një potencial dhe kërcënim të madh të objekteve të banimit, bizneseve, pemishteve, pyjeve dhe tokave pyjore.

Po ashtu, si pasojë e djegies së hamulloreve vjen deri tek shkatërrimi i florës dhe faunës që për habitat të tyre kanë tokat bujqësore dhe pyjore.

Këshilla për fermerë lavërtarë

Në parcela me mundësi ujitje të fillohet me lërimin e tyre dhe fitoni dy të korrura brenda vitit nga e njëjta sipërfaqe.

Kjo mundësohet sidomos pas korrjes së grurit ku mund të mbjellim kultura tjera, si: misër foragjer me vegjetacion të hershëm për silazh, perime, lakra, preshë, etj,

Mbjellja e kulturës së dytë shërben edhe për qarkullim bimor që ndikon në marrjen e rendimenteve më të larta të kulturave pasardhëse, zvogëlimin e barojave, uljen e ndikimit të sëmundjeve dhe dëmtuesve dhe pasurimin me materie ushqyese.

Këshilla për pronarët e pyjeve dhe tokave pyjore

✔️Të ndërmarrni masa preventive përmes shtimit të vigjilencës në vrojtimin, patrullimin në pronat e tyre, sidomos në rastet e shtrirjes së pyjeve në afërsi të tokave bujqësore. Gjithashtu, kërkohet që në rast zjarri në tokat bujqësore të ndërmirren hapa për shuarjen e tyre, njoftimin e institucioneve përkatëse emergjente dhe ofrimin e bashkëpunimit: Njësive të zjarrëfikëse, Policinë, Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe institucioneve tjera, si: Komuna, Autoritet Pyjore Komunale, Drejtoritë Koordinuese të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Drejtoritë e Parkut Kombëtar, Ministrinë përkatëse.

✔️Në parcelat pyjore si masë preventive këshillohet të ndërmerren masat e kultivimit të pyjeve përmes krasitjes dhe pastrimit nga degët e thata të drunjve, rrallimeve në kohën e duhur të grumbujve pyjor, hapja dhe mirëmbajtja e shtigjeve, rrugëve pyjore, hapja e brezave kundër zjarrit, pastrimin buzë rrugëve publike, hekurudhave, shtrirjes së korridoreve të largpërçuesve, mirëmbajtjen dhe rregullimin e burimeve ujore, rrjedhave ujore, krijimin e rezervuave ujor në zonat e thata, etj.

✔️Në zonat ku është i zhvilluar turizmi të ndërmerren masa në përcaktimin e vendeve për ndezje të zjarreve, vendosjen e shenjave paralajmëruese për rrezikun e zjarreve, ofrimin e kushteve dhe ujit për shuarje të zjarreve në vendet e përcaktuarat, etj.

Kujdes⚠️

Ligji për Tokën Bujqësore Nr. 02/L-26, Nenin 39, Paragrafi 1, Pika D – Inspektori është i autorizuar dhe ka për detyrë të inspektoj përveç pikave tjera edhe “zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri në rastet e djegieve të Hamulloreve nga shfrytëzuesi apo pronari i tokës bujqësore”.

Ligji mbi Pyjet Nr. 03/2003 sanksionon çfarëdo forme të ndezjes së zjarreve në pyje dhe toka pyjore, përveç nëse realizohet me leje paraprake nga Agjencia e Pyjeve. Ndërsa, në rastet e moszbatimit të dispoziatave të këtij Ligji me Nenin 36 Paragrafi 36.2 Pika C thuhet: “Çdo person mund të dënohet deri në 15,000.00 euro”. / KultPlus.com

Kur u shfaqën pyjet e para në Tokë?

Nga më të lartat në Tokë, pemët e kuqe të Kalifornisë, deri tek pyjet më të mëdha tropikale të planetit në Amazonë, pyjet madhështore mund të duken sikur janë të përjetshme. Por ashtu si çdo specie apo ekosistem, edhe ato e kanë një datëlindje.

Në fakt, megjithëse bimët mbërritën për herë të parë në Tokë rreth 470 milion vjet më parë, pemët dhe pyjet nuk u shfaqën deri gati 390 milion vjet më parë. Gjatë këtij intervali, jeta e bimëve evoluoi ngadalë, nga pararendësit gjenetikë të nevojshëm për të prodhuar pemët, të cilat më pas ia kalonin bimëve të tjera, thotë Kris Berri, paleobotanist në Universitetin e Kardifit në Britaninë e Madhe.

Në vitin 2019, Berri dhe kolegët raportuan për pyllin më të vjetër të regjistruar në një studim të botuar në revistën “Current Biology’. Ky pyll, i zbuluar në Kajro, një zonë në rrethinat eNju Jorkut, zbuloi se tiparet karakteristike të pemëve dhe pyjeve – pra druri, rrënjët dhe gjethet mes një popullate prej dhjetëra bimësh – u shfaqën “shumë më herët se sa dyshohej më parë”:në periudhën e hershme Devoniane, 385 milionë vite më parë.

Kajro ruante sisteme rrënjësh të fosilizuara të pemëve të lashta, duke përcaktuar se ku do të ishin shfaqur në fillim ato. “Ne nuk shohim fosilet e pemëve, por kemi një hartë të saktë se ku qëndronin ato pemë. Pra ajo që mësojmë është ekologjia e pyllit”– thoi ai.

Sipas një raporti, ajo “hartë” përmban Arkeopteris, një bimë e lashtë që kishte “rrënjë të mëdha dhe degë me gjethe”, tamam si pemët e sotme. Më herët, gjetja më e hershme e njohur e Arkeopterëve, e kishte përcaktuar shfaqjen e pemëve 20 milionë vjet më vonë.

Zhvillimi i këtyre pyjeve të hershme, varej nga evolucioni i pararendësve për përcaktimin e tipareve të pemëve. “Unë mendoj se shkaktari është evolucionar, pra zhvillimi i anatomive që lejojnë degëzime më komplekse”- thotë Berri. Ndërtime të tilla anatomike, u shfaqën pasi bimët kishin evoluar në “paketën e mjeteve gjenetike për të qenë në gjendje të ndërtonin”struktura të ngjashme.

Për shembull sistemet e hershme të degëzimit, u zhvilluan pak para Devonianit, në periudhën Siluriane (443.8 milion–419.2 milion vjet më parë), ndërsa rrënjët e para mbërritën në Devonianin e hershëm. Më pas tiparet e pemës ofruan avantazhe të mëdha, sidomos aftësinë për t’u ngritur mbi konkurrentet dhe për të thithur rrezet e diellit.

Megjithatë, disa ndryshime mjedisore mund të kenë bërë të mundur të paktën një veçori të rëndësishme të pemës. Megafilat, gjethet që janë sot të zakonshme dhe që karakterizohen nga damarët e degëzuar, mund të rriten shumë më tepër se paraardhësit e tyre, duke thithur kështu më shumë rrezet e diellit.

Ato u shfaqën për herë të parë rreth 390 milion vjet më parë, por e nisën si bimë të vogla dhe u përhapën vetëm 30 milion vjet më vonë, në fund të epokës Devoniane, sipas një studimi të vitit 2001 të botuar në revistën “Nature”. Kjo vonesë ndodhi sepse nivelet e larta të dioksidittë karbonit (CO2) e bënë Tokën shumë të nxehtë për ekzistencën e gjetheve të mëdha megafile.

Ato do t’i thithin shumë rrezet e diellit dhe do të mbinxeheshin. Por rënia e niveleve të CO2 gjatë epokës Devoniane, solli një përfitim të dyfishtë për megafilat:Reduktimet e këtij gazi serrë ftohën e planetin, ndërsa megafilat e mëdha mund të futeshin në më shumë pore të quajtura stomata, për të marrë nivele më të larta të CO2. Gjethe të tilla, ndihmuan më pas nëçuarjen përpara të revolucionit të pyjeve./bota.al/ KultPlus.com