Muzeu ‘Shtëpia me Gjethe’ përkujton 37-vjetorin e revoltës së Qafë Barit

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot revoltën e Qafë Barit të ndodhur 37 vite më parë, më 22 maj 1984.

Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Në këtë burg ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984.

Ishte mëngjes, të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Snajperët zunë pozicionet kryesore.

Qindra forca të armatosura, morën urdhërin për të qëlluar mbi të burgosurit. U përdor dhunë mbi të dënuarit: Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut. I dënuari Sandër Sokoli, vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendshme të Pukës, ku të dënuarve të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty. Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu.

Pas revoltës në  kampit të Spaçit, në vitin 1973, do të shënohej një tjetër revoltë në burgun e të burgosurve politikë, ai i Qafës së Barit në maj të vitit 1984.

Më 22 maj të vitit 1984, të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.

Kampi i Qafë Barit, ndodhej rreth 18 km nga qytetit i Fushë-Arrëzit të Pukës, ndërtuar midis grykave të maleve.

Kampi ishte i rrethuar me tre rreshta telash me gjemba, me lartësi mbi 4 metra, rreshti i mesit ishte i gjithi me rrymë elektrike dhe pjesa në mes telave ishte e minuar. Rrethimi kishte rreth 20 kulla vrojtimi në lartësi mbi 8 metra ku ushtarët ishin të pajisur me të gjithë llojet e armatimit.

Afër kampit ndodhej dhe një repart ushtarak përveç repartit zyrtar që kishte detyrë ruajtjen e të burgosurve politikë, dëshmojnë të burgosurit politik që kanë vuajtur në burgun e Qafë-Barit.

Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revoltë më 20 maj 1984. Fatkeqësisht kjo revoltë përfundoi në tragjedi njerëzore.

Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit të 22 majit 1984. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim si organizatorë, madje dhe vetë kampi u dënua me prerje korespondence të të burgosurve.

Çdo vit të burgosurit politikë organizojnë ceremoni në kujtim të vuajtjes se të ekzekutuarve, si një dëshmi për të treguar se regjime të tilla, mizore të mos kthehen më. /atsh/ KultPlus.com