Pas pikës kufitare të Kapshticës, edhe Qafë Thana mbulohet nga arti i ngjyrave

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska pasi ka pikturuar Kapshticën, po realizon muralen edhe në fasadën e godinave në Pikën Kufitare Doganore të Qafë Thanës, duke mundësuar një imazh të veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në drejtin të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale edhe fotot e murales.

Muralja e artistes polake përfaqëson një lloj luleje të zones, e cila sjell më shumë ngjyra dhe më shumë jetë në këto godina. Artistja do të pikturojë edhe pjesën ballore kur vjen nga Maqedonia e Veriut, duke sjellë pamje më të bukur për secilin që zgjedh të vizitojë vendin tonë.

Në Pikën e Kalimit Kufitar në Qafë Thanë gjatë muajve të fundit është shtuar fluksi i lëvizjeve të mjeteve sidomos fundjavave.

Autoritetet bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për të mundësuar mbarëvajtje të kalimit të qytetarëve./atsh/ KultPlus.com

Artistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.

“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.

Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.

Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./atsh/KultPlus.com