Mergime Taraku
Vargjet e kësaj këngë këndohen nën tingujt e çiftelisë nga Qamili i Vogël, por jo vetëm nga ky por edhe nga shumë rapsodë e këngëtarë të tjerë. Ngjarja e kësaj kënge thuhet se ka ndodhur në fshatin Stubëll afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës në vitin 1879. Në këtë këngë tregohet vdekja e një djali i quajtur Rexhë, i cili vdes në ditën e dasmës së tij. Një ditë e lumtur që rikthehet në një ditë tragjike.
Përderisa kishin shkuar krushqit të marrin nusen e Rexës dhe të sillnin në shtëpi në bazë të traditave të shqiptarëve Rexha kishte vendosur që gjatë asaj kohe të ushqente kalin e tij. Për një moment kali godet Rexhën dhe Rexha ndërron jetë nga ajo goditje e kalit. Krushqit ishin duke e sjellur nusen për në shtëpi dhe nëna vajton të birin dhe kërkon që të zgjohet sepse ishte djali i vetëm i saj dhe që priste ardhjen e nuses e jo edhe vdekjen e të birit.
O po vin krushqit rrethit malit
Rexha i nanës ngrasht të kalit
Qou Rexho qou djalo, qou ma i miri i nanës o
Se ska nana tjetër o
Fatkeqësisht nëna pret që Rexha të zgjohet. Në një moment kërkon nga të ftuarit që të hanë ushqim dhe të pinë dhe që në ditën e nesërme të bëhet edhe varrimi i djalit të saj Rexhës.
O more n’krush ju hani e pini
Nesër Rexhën n’dhe ma shtini
Qou Rexho qou djalo, qou sokoli i nanës o
Sot ma dogje zemrën o
Sipas gojëdhënave
Sipas gojëdhënave Rexhës i kishte vdekur babai që në moshë të vogël. Sipas traditave të shqiptarëve gruas që i vdes burri për të ruajtur fëmijët e saj duhet të martohej me vëllain e burrit. Në këtë rast pas vdekjes së babait të Rexhës nëna e tij duhej të martohet me xhaxhain e Rexhës. Rexha mbasi ishte rritur i takonte edhe një pjesë e pasurisë dhe për shkak se tashmë pasuria duhet të ndahej xhaxhi i tij i kishte thënë në ditën e dasmës Rexhës që të shkonte dhe t’i ushqente kuajt. Në momentin që kishte shkuar Rexha, xhaxhai e kishte vrarë dhe pastaj kishte vrapuar nga të ftuarit dhe kishte treguar që kinse kuajt e kishin mbytur Rexhën. Nëna e Rexhës thuhet se e kishte ditur të vërtetën se si kishte vdekur Rexha, por që nuk kishte pasur guxim të tregonte asnjëherë. Pas vdekjes së xhaxhait, nëna e Rexhës kishte treguar të vërtetën e vdekjes së Rexhës që atë e kishte vrarë xhaxhai i tij.
Historia e kësaj kënge filloi me një ditë të lumtur e të hareshme, por që në fund çdo gjë kthehet në hidhërim. Gëzimi, lumturia e nënës për martesën e të birit shuhet në atë ditë.
Në këtë histori përveç dhimbjes që kishte nëna për vdekjen e të birit përbrenda vetës gjen edhe fortësinë, ku pavarësisht ngjarjes që kishte ndodhur kërkon që asnjë nga të ftuarit të mos mbeteshin të uritur dhe që nesër të bëhet edhe ceremonia e varrimit të Rexhës. Këngë më një histori mjaft prekëse./ KultPlus.com