Kreshnik Berisha
Asgjë s’është si në fillim, në fakt
As ky arabi nazist, i frikshëm, s’duket si ditën e parë
Teksa gërhatë në qoshen tjetër të qelisë
Midis Bernit.
Unë prap kam me ia lëshu mërrolat me indiferencë
Se ai prap nesër ka m’u endë si budallë
Në këto metra katrorë, gardianët
Kanë me qeshë me të prap
Ai ka m’i marrë barnat, ka m’i shty teposhtë me ujin në tas
Dhe ata kanë me ma mbyllë derën e hekurt f’tyrës pa të keq
Që t’ha bukë me të prap
Në një tavolinë…
Unë në lajme të pashë, Arian
Të pash prap në lajme paaak sekonda
Eh, ç ’të duhen tani ato fjalë…
Të pash më vonë prap, të nesërmen
Teksa babai të vendoste lulet mbi varrë
Ti borën e doje
Por kush borës dorë i dha?
Ata, nga të cilët kërkove të mbroheshe
Apo ata që mbrojtjen s’ta dhanë?
Epo, s’ke pse me u mërzitë tash për
Dukjen para kamerave
As për komunikimin me gazetarë
As të kërkosh ndihmë nga rreziku
Rreziku tashmë të ka vrarë…
Ej, edhe mu, nga qelia e midis Bernit
Asgjë s’më duket si ditën e parë…
As ky arabi nazist
I frikshëm
Budallë
Njëzetvjeçarë…/Kultplus.com