Është bërë dje mbrëma inaugurimi i hapësirës më të re dedikuar artit, i Qendrës së Artit “Agimi”.
E pranishme në këtë ngjarje ka qenë ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Ministrja ndau foto me ndjekësit e rrjeteve sociale ku duket transformimi i mjediseve të kinema “Agimit” që tashmë do të jetë më shumë se kinema.
“Kinema “Agimi” i rikthehet qytetit”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale. “Agimi” tashmë hap dyert jo vetëm si shtëpi e filmit, por si një qendër arti multifunksionale.
“Arti dhe kultura ka tashmë një hapësirë më shumë për festivale, takime muzikore, ekspozita e mbi të gjitha dialog”, ka deklaruar ministrja e Kulturës.
Kinema “Agimi” në Tiranë, është e njohur për historinë e saj të gjatë dhe kontributin në kinematografinë shqiptare. Ky transformim ka sjellë një frymë të re kreative në ambientet e saj. Tani, ky vend i veçantë ofron një hapësirë për shfaqje të filmave, ekspozita artistike, performanca teatrale dhe shumë aktivitete të tjera artistike. Qendra arti “Agimi” është një destinacion i favorshëm për dashamirësit e artit dhe kulturës që kërkojnë përvoja të reja dhe frymëzim artistik./ atsh / KultPlus.com









