Në fshatin Hoçisht në Devoll gjendet shtëpia me flamur, ajo e atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posios, gruas e cila qëndisi flamurin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë shtëpi jetoi për disa vite me radhë çifti Posio, të cilët patën një aktivitet të gjerë në këtë zonë në fushën e patriotizmit.
Në të, sot gjendet zonja Violeta Pojani, e cila është pasardhësve e rilindasve. Ajo, prej disa kohësh ka marrë iniciativën për ta kthyer këtë shtëpi në muze, ku kohët e fundit ka gjetur mbështetjen edhe të bashkisë së Devollit.
“Duke parë të gjithë veprimtarinë që nëna ime kishte kryer në këtë shtëpi, duke parë punën patriotike të dy patriotëve, Marigo dhe Jovan Posio, më lindi ideja që këtë shtëpi ta kthej në shtëpi muze”, u shpreh ajo.
Është krenari të jesh pasardhëse e një familje që ka kontribuar për këtë vend, tregon Violeta.
“Ndihem edhe krenare që e çela këtë shtëpi, që të vijnë të gjithë dashamirësit që të njohin historinë, të dinë çfarë ka bërë kjo familje”, theksoi ajo.
E mbesa e tregtarit dhe rilindasit Jovan Posios ka vendosur që vitet e pleqërisë t’ia dedikojë pikërisht historisë së tij dhe të famshmes Marigo.
Njeriu i cili po kujdeset për pjesën historike të kësaj shtëpie është historiani i njohur Niko Kotherja.
Ai tregon për Euronews Albania se në ditët e pavarësisë, shtëpia e Marigosë u kthye në punishte flamujsh dhe jo vetëm.
“Ne kemi të dokumentuar nga dëshmitë e bashkëkohësve, që shtëpia e Marigosë u kthye në punishte të madhe flamujsh, ku përveç flamujve që u stampuan me bojë ose u qëndisën, me qindra qeleshe të lebërve u stampuan me shqiponjën dykrenare”, nënvizoi historiani.
Pjesë e fotos zyrtare të pavarësisë ishte dhe bashkëshorti i Marigosë, edhe pse ai nuk ishte delegat i Korçës.
Rëndësia e kësaj shtëpie është e veçantë, pasi brenda saj ka elemente të gjallë të jetës së Jovanit dhe Marigosë, sipas historianit Kotherja.
Kjo shtëpi, synohet të jetë një nga pikat kryesore turistike të Devollit. Historiani tregon arsyen pse kjo shtëpi duhet patjetër të vizitohet.
“Dikush që mendon se e zbukuron jetën e tij me identitet kombëtar, duhet të jetë patjetër vizitor i kësaj shtëpie. Napoleon Bonaparti thotë që elementi i parë i civilizimit të një njeriu, është atdhedashuria”, deklaroi ai.
Në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë synohet që e gjithë shtëpia të jetë funksionale për vizitorët, ku fakte të rëndësishme historike do të shfaqen në të.
Çdokush i cili kërkon të njohë një pjesë të jetës së duarartës shqiptare që qëndisi flamurin, të bashkëshortit i cili sakrifikoi për atdheun e për fëmijët e rilindësve mund të vizitojë shtëpinë muze në Hoçisht të Devollit, një fshat i cili përtej mikpritjes devollite, bashkëjetesës fetare, ushqimeve tradicionale merr dhe një tjetër vlerë, duke mbajtur në të një pjesë të rëndësishme të historisë rilindase shqiptare. / KultPlus.com