Qendra Historike, ose Vlora e Vjetër, e rikonstruktuar përmes një projekti të përbashkët të AADF dhe Qeverisë Shqiptare, tashmë është një nga pikat më tërheqëse për vendasit e vizitorët.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje filmike të kësaj pjese të qytetit bregdetar, e cila është një nga pikëndalesat më interesante për këdo që e viziton Vlorën.
“Qendra Historike Vlorë, një hapësirë me vlera të shumëfishta, e cila përmbledh në vetvete historinë e qytetit, ngjarje e momente me rëndësi kombëtare e mbarëkombëtare, si dhe dëshmi e vlera të traditës në arkitekturë”, shkroi ministri Gonxhja.
Qendra historike në Vlorë, apo lagjja “Muradie,” një prej zonave më të vjetra dhe historike të qytetit, është kthyer prej kohësh në një qendër turistike. Kjo zonë ka ç’t’u tregojë vizitorëve, ndërsa konsiderohet një pikë zhvillimore e qytetit bregdetar.
Në Vlorën e Vjetër, në çdo godinë apo banesë të saj, mund të zbulosh të gjitha fazat e zhvillimit të arkitekturës shqiptare, të materializuara në nivelin lokal. Ndeshim traditën qytetare në ndërtim, stilet arkitekturore otomane dhe më tej, ndikimin e arkitekturës italiane, në variantet e saj neoklasike dhe moderne në katër dekadat e para të shekullit XX, ndikime të stilit austriak etj, të selektuara në raste të veçanta etj.
Ndërtimet në këtë zonë, të evokuara në kohë përmes procesit të restaurimit selektiv dhe në tërësi, përfaqësojnë vlera të vërteta në arkitekturë, të materializuara në shekujt XIX dhe XX, vazhdë e traditave shumë më të hershme.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se në Rahovec po zhvillohen me ritëm të shpejtë punimet për ndërtimin e Qendrës për Arte, Kulturë dhe Inovacion.
Ndërtimi i kësaj qendre kap vlerën rreth tre milionë euro dhe ka sipërfaqe të tërësishme mbi 6 mijë e 200 m2, me hapësira të ndryshme, si sallën universale, me rreth 400 ulëse, shkollën e muzikës, studion për kërcim, klasën për balet.
Ministria ka bërë me dije se pjesë e objektit do të jetë edhe Qendra për Inovacion dhe Teknologji, e cila ka të inkuadruar brenda laboratorin, dhomat për punëtori të ndryshme, sallën për takime dhe trajnime.
“Po ashtu, është e paraparë edhe biblioteka, ku përfshihen sallat për lexim grupor dhe individual, ekspozim të librit, nototekën dhe sallën për kompjuterë”, thuhet në njoftim.
Numri i vizitorëve në qendrën historike të Vlorës shtohet vit pas viti. Por këta të vizitorë vendas dhe të huaj vijnë dhe ikin të painformuar mbi trashëgimin kulturore dhe rëndësinë historike që kjo zonë mbart.
Çdo godinë në të dyja anët e rrugës Muze ka historinë e saj, si godina e Sharrajve. Po në rrugën Muze është edhe një godinë dy katëshe, në të cilën ka banuar Marigo Posio, qëndistarja e Flamurit Kombëtar. Të gjitha këto detaje historike historike, sot janë pothuajse të zhdukura.
Ergys Alushi , publicist dhe historian shprehet se Mungesa e informacionit dhe e qendrave të dedikuara për të informuar vizitorët ka bërë që qendra historike e Vlorës të shërbejë vetëm si një panoramë e bukur për fotografi ose për të konsumuar kafe.
“Qendra historike e Vlorës kur u krijua, u krijua me idenë që ti shërbente Vlorës për të treguar vlerat historike që ka ky qytet, vetëm idesë për të cilën u krijua nuk po i shërben, aty s’ka askush që të informojë, asnjë pikë informuese, njerëzit nga e gjithë Shqipëria vijnë bëjnë fotografi, konsumojnë një kafe, ajo është një qendër me shumë vlera jo vetëm për historinë ë Vlorës port ë gjithë Shqipërisë, atje minimalisht duhet të ketë një ciceron, një pikë informimi të dikush të marri një fletëpalosje , një libër, një guidë për të pasur një ide për çfarë bëhet fjalë. Bashkë me të huajt edhe vendasit duhet ta njohin zonën qendër të Vlorës. “Vlora nuk ka vetëm det”-tha Ergys Alushi, publicist, historian.
Problemi kryesor mbetet ai i mungesës së pikave të informacionit në qytetin bregdetar, në mënyrë që turistët të orientohen si me rrugët dhe zgjedhjet e destinacioneve dhe për më tepër me vlerat dhe historitë që çdo destinacion mbart”
“Infopointet kanë qenë deri tani inekzistente, ne s’kemi një kalendar në lidhje me aktivitetet që mund të realizojmë, problem kemi s’kemi një kalendar të orarit të autobusëve, të linjave interurbane, shpesh herë kur vin këtu na duhet një kohë e gjatë për ti shpjeguar turistit të shkojë diku që mund të jetë vetëm 500 metra më larg”,-tha Mikel Zinxhiria, agjenci turistike.
Qendra historike e qytetit e quajtur sot Muradie është një nga pikat më të rëndësishme për sa i përket historisë dhe trashëgimisë kulturore në qytet./euronewsalbania/ KultPlus.com
Me rastin e vdekjes së shkrimtarit e gazetarit Bajram Sefaj, PEN Qendra e Kosovës ka ngushëlluar familjen e të ndjerit si dhe komunitetin e shkrimtarëve dhe të gazetarëve të Kosovës.
Bajram Sefaj la pas vetes një numër veprash në prozë dhe një seri udhëpërshkrimesh nga vendi e bota.
Para viteve të 7o-ta, Sefaj kishte filluar punën gazetar në “Rilindje” e pastaj kishte vazhduar në RTP ku la gjurmë në shumë emisione kryesisht për kulturën. Në vitet e 90-ta të shekullit të shkuar migroi në Francë.
Në, Francë, deri pak para vdekjes së sotme në moshën 83 vjeçare, vazhdoi aktivitetin e vet letraro-publicistik./KultPlus.com
Në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, të martën , më 27 shkurt, PEN Qendra e Kosovës, zhvillon aktivitetin e vet letrar, të tetin dhe të fundit paraparë me këtë projekt.
Takimi zhvillohet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe fillon në orën 10:00.
Në këtë takim do të trajtohen dy tema: “Kultura e komunikimit letrar” për të cilën do të flasë Ibrahim Berisha dhe “Prezantimi i librit në mediet elektronike” për të cilën do të flasë Artan Krasniqi.
Takimin e moderon Gëzim Aliu.
Projekti kulturor i PEN Qendrës së Kosovës “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com
Sot, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, në Bibliotekën Komunale të Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, mbajti takimin e radhës me ç’rast u debatua për dy tema.
Tema e parë ishte “ Vlerësimi kritik i veprës letrare” dhe rreth saj foli profesori universitar, Anton Berishaj, ndërsa në temën e dytë ”Si shkruhet romani”, mendimet e veta i paraqiti shkrimtari, Gëzim Aliu.
Takimin, në të cilin morën pjesë studentë të Degës së Letërsisë Shqipe dhe dashamirë të fjalës së shkruar, e moderoi profesor Milazim Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë që ka kritika në promovimin dhe në jetëgjatësinë e romanit e përgjithësisht të librit dhe për romanin si ushqyes të kritikës. Lidhur me këtë ai mori disa shembuj nga letërsia botërore dhe nga letërsia shqipe.
Duke folur rreth vlerësimit kritik të letërsisë, profesori Anton Berishaj, ndër të tjera, tha:
“Që nga fillet e mendimit sistematik për letërsinë është shtruar çështja e vlerës dhe e vlerësimit të saj (Platoni, Aristoteli…). Në shekullin XX, me konstituimin e dijes letrare sistematike dhe “autonome” – formalizmi, strukturalizmi, semiotika… – vlera estetike/letrare është parë si e domosdoshme dhe dominante, pra si vlerë intrinsike që e definon letërsinë si të tillë (forma, struktura, stili, narracioni, letrarësia…), edhe pse (posaçërisht te strukturalizmi kjo është vënë shpesh nën thjerëzat e dyshimit teorik). Në anë tjetër, ndërkaq, posaçërisht te qasjet semiotike (Jan Mukarzhovski, Lotmani etj.) janë evidentuar edhe të ashtuquajturat vlera jashtestetike: vlerat e ekzistencës, vlerat intelektuale/kognitive, etike, sociale, religjioze, politike, ideologjike…, të cilat shpesh si elemente strukturale të vetë veprave letrare janë parë të pashkëputshme nga vlera e tyre estetike/letrare, duke e theksuar vazhdimisht se në dimensionin e funksionit të tyre ato shpesh kanë qenë kusht i domosdoshëm që veprat e artit dhe të letërsisë të konsiderohen si të tilla”.
Më tutje, Berishaj theksoi se “ ky dualizëm i vazhdueshëm epistemologjik, i cili projektohet edhe te dimensioni ontologjik i artit/letërsisë, është aktualizuar edhe në estetikën normativiste. P.sh. Gordon Graham konstaton se shpjegimi i vlerës së artit në këtë kontekst do duhej të kishte përparësi në relacion me përkufizimin se çfarë është arti (relacioni i artit me kënaqësinë, emocionet, njohjen…)”, duke marrë disa shembuj karakterizues nga vepra të ndryshme letrare”.
Ndërsa rreth temës “Si e shkruaj romanin”, shkrimtari Gëzim Aliu ndër të tjera theksoi:
“Të shkruarit letrar, artistik, nuk është sikur të prodhuarit e një makine shërbyese, këtë besoj e di çdokush. Çfarë i shtynte njerëzit parahistorikë të vizatonin në shpella, të vendosnin shuplakat e tyre në shkëmb e të hidhnin ngjyrë?! Është dëshira, therja e brendshme për ta treguar praninë në jetë, therja e dëshira për të komunikuar me të tjerët edhe kur nuk i njeh. Por, nuk është vetëm kjo therje, kjo dëshirë, është edhe përpjekja për ta ndërtuar veten, për ta zgjatur veten, për të qenë emri dhe mbiemri që mbase do të lexohet edhe në të ardhmen. Pyetja ‘Pse shkruaj’ nuk ka përgjigje të saktë, po ashtu siç nuk ka përgjigje të saktë pyetja ‘Pse është jeta’. Do të mund të mos ishte e kurrë nuk do ta kishim marrë vesh.
Si shkruaj? Për këtë mund të flas shumë më saktë”.
Në vazhdim të diskutimit të tij, Aliu përmendi edhe shumë aspekte me interes që ndërlidhen me procesin e të shkruarit të romanit, duke shtuar se: “Për të nisur diçka më të madhe, është shumë e rëndësishme ideja. Ideja e ka një zanafillë, që do ta quaja shkëndijë. Nuk dua të mistifikoj këtu, por shkëndija krijimtare, që e quajnë edhe frymëzim, shpesh nuk dihet nga vjen, nga mendja, si nga qielli i kthjellët, nga dhembja që ndien për diçka, nga të dëgjuarit e një ngjarjeje, nga një ngjarje që sheh, nga leximi i diçkaje interesante, nga emocionet që shkakton diçka, nga qëllimet e vetëdijshme e nganjëherë të pavetëdijshme, nga bindjet, nga luhatjet e bindjeve, nga ndryshueshmëria e vazhdueshme njerëzore, që e quajmë përvojë, nga meditimi, nga të menduarit. Gjithçka mund të ndezë një shkëndijë dhe kjo shkëndijë mund të ndriçojë një ide, dhe këtë ide e shkruaj, gjithsesi duhet ta shkruaj, sepse mund të zhduket në errësirën e asgjësë shumë shpejt. Pas një kohë e shoh idenë e shkruar, që nganjëherë bëhet edhe skicë, shoqëruar ndonjëherë edhe me ndonjë vizatim. Idenë e mbjell në imagjinatë dhe nëse e shoh që ka kapacitet për t’u shndërruar në diçka më të madhe, tregim ose roman, vazhdoj të punoj”.
Gjithashtu, i dalloi edhe rëndësinë e imagjinatës dhe të ideve, për të arritur te konstatimet se: “Potenca e idesë për t’u shndërruar në krijim letrar, pasi të mbillet në imagjinatë, është shenjë se duhet punuar intensivisht. Ideja rritet, e ushqen njeriun kryesor të krijimit letrar, personazhin, i cili apo e cila, posa të ndihet gjallë, fillon të veprojë, veprimi dhe ndërveprimi i tij me personazhe të tjerë shkakton ngjarje e ngjarjet shkaktojnë storie e storiet bëhen roman”.
Studenti i Degës së Letërësisë Shqipe, Albin Shala, u interesua për fokusin e kritikës letrare dhe për fenomenin si zhvillohet imagjinata, për të cilat mori përgjigje nga panelistët.
Në fund të aktivitetit u dhuruan libra për të gjithë pjesëmarrësit.
Projekti kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com
Përmes një debati me shkrimtarët Ibrahim Kadriu dhe Blerina Rogova- Gaxha, PEN Qendra e Kosovës sot ka filluar projektin më të ri kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.
Përmes këtij projekti i cili do të shtrihet në tërë Kosovën, PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për të stimuluar krijimtarinë letrare, për të ndërgjegjësuar mbi rolin dhe rëndësinë që ka libri e për kulturën e leximit në përgjithësi, shkruan KultPlus.
Në mesin e studentëve, shkrimtarëve, analistëve dhe profesorëve, këtë debat e shpalli të hapur Ibrahim Berisha, i cili tha se ndihej i lumtur që ishte në mesin e tyre dhe duke treguar që projekti i cili filloi në KultPlus Caffe Gallery do të vazhdojë tutje në shkolla, fakultete dhe biblioteka në disa qytete të Kosovës.
“Ky projekt nisi sot këtu, por do të zhvillohet tutje në shkolla, fakultete dhe biblioteka. Ligjërues dhe bashkëbisedues në këto debate do të jenë shkrimtarë, studiues dhe profesorë të njohur të fushës së letërsisë dhe të komunikimit” ka thënë Berisha i cili i njoftoi studentët e pranishëm që Pen Qendra e Kosovës nga numri i ardhshëm do të krijojë një rubrikë të veçantë për studentët në të cilën mund të botohen studime, letërsi, prozë e përkthime.
Berisha, më tutje i la radhë kryetarit të Pen Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendit, i cili po ashtu u shpreh entuziast për këtë nismë të re.
“Faleminderit që jeni prezent sot në këtë aktivitet në të cilin edhe ju të pranishëm mund të na ndihmoni që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Projekti do të vazhdojë edhe në qendra dhe institucione të tjera, andaj uroj të takohemi përsëri në aktivitetet e ardhshme”, ka thënë Binak Kelmendi.
Ndërsa profesori Sali Bashota ishte ai i cili ndau detaje lidhur më këtë projekt i cili synon të nxjerr talentë të rinjë, të cilët pritet të ndikojnë në të ardhmen e letërsisë dhe të krijimtarisë letrare duke e zhvilluar si aktivitet në qendrat më të mëdha të Kosovës.
“Kam kënaqësinë që së bashku me miqtë e mi këtu të fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm, i cili për herë të parë vjen në Kosovë, siç është “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” që do të përfshijë disa qendra. Një ekip prej 16 anëtarëve të Pen Qendrës së Kosovës në fazën e parë dhe planifikojmë që të jetë edhe në fazën e dytë ku do të diskutohet si shkruhet poezia, romani, eseja, si bëhet përkthimi, si bëhet komunikimi letrar, si bëhet komunikimi në mediat online me veprat letrare etj. Do të jetë me një karakter garues për shkak se në fund, në përmbyllje të projektit do t’i ftojmë të gjithë ata që do të botojnë shkrime në revistën Pen Kosova. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, me karakter edukativ letrar që ka të bëj me procesin krijues”, ka thënë Bashota duke falënderuar drejtoreshën e mediumit KultPlus, Ardianë Pajazitin për hapësirën e dhënë vazhdimisht për nisma të tilla letrare.
Pastaj fjala iu kalua gazetarit Ibrahim Kadriu i cili gjatë karrierës së tij është marrë me zhanre specifike siç janë fejtoni dhe reportazhi e që bëjnë pjesë në zhanrin e publicistikës.
Me këtë rast, Kadriu para të pranishmëve foli edhe për fejtonin e parë që kishte shkruar e që kishte bërë bujë në atë kohë pasi u botua në gazetën Rilindja, vend ku Kadriu punonte në atë kohë. Fejtoni për Tefta Tashkon, u botua në 12 vazhdime dhe u mirëprit jashtëzakonisht mirë sipas Kadriut.
“Fejtoni që e kam shkruar më me qejf ka qenë fejtoni për Tefta Tashkon, për të cilin ka pasur pyetje se përse nuk bëhet libër. Ajo ka qenë një këngëtare operistike e njohur, një yll i shkolluar në Paris, që gjatë luftës 1944- 45 ka pasur koncerte me këngë simfonike të cilat i ka mbajtur edhe në Beograd” ka thënë gazetari Kadriu duke treguar më tej edhe mënyrën se si kishte rënë në kontakt me të dhënat e nevojshme me të cilat e shkroi fejtonin aq shumë të lexuar në atë kohë.
“Në vitin 1972 kam qenë në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë dhe atje kam rënë në shënime për të. Ajo ka vdekur në vitin 1947 nga sëmundja e tuberkulozit, dhe atje më treguan se ajo ka një djalë, e që qëlloi të ishte i moshës time. Eno Koqo, që sot është një ndër dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili dirigjon edhe në Londër. Jam takuar në atë kohë me të. Ai ishte një imponim për mua që të hyj më në thellësi për biografinë e saj, ndonëse ai më tha që pak di për nënën, meqë kishte qenë shumë i vogël kur i kishte vdekur nëna”, ka thënë Kadriu duke shpjeguar më tutje arsyen pse nuk e kishte botuar si libër, për shkak se do të duhej të punonte ende me të, me një shkrim më të veçantë sepse fejtoni nuk posedon të gjitha elementet e librit.
Ai, më tutje shpjegoi edhe për një tjetër fejton i cili kishte bërë jehonë në audiencë atë kohë. Ishte fejtoni për figurën e Hasan Alisë, personalitet ky që gjatë jetës së tij kishte luftuar kundër regjimit të Jugosllavisë, që gjithashtu ishte lexuar shumë në kohë kur ai ushtronte profesionin e gazetarit.
“Një prej fejtoneve tjerë që ka pasur jehonë ka qenë një figurë e anatemuar në kohën e monizmit, i cili edhe është vrarë. Ai është Hasan Alia i cili ka qenë një kaqak, që deri në vitin 1952 ka jetuar në mal, e i cili ka krijuar një frikë në anën e Anamoravës. Në vitin 1992 e kam realizuar fejtonin sepse më herët ishte e ndaluar të shkruhej për të. Ai fejton u popullarizua aq shumë sepse fiugra e tij ishte diçka e pakrahasuar me figrat tjera, për nga trimëria dhe nami” ka thënë më tej Kadriu duke bërë të ditur që infromacionet e nevojshme për t’i përfshsirë në tekstin gazetar i kishte mbledhur nga djali i tij dhe nga persona të cilët kanë pasur rastin ta njohin këtë figurë të rrallë.
Ndërsa autorja Blerina Rugova- Gaxha u ndalua tek recensioni letrar artistik duke shpalosur përvoja nga libri ‘Memorie dhe Traumë’, të cilin autorja e kishte publikuar së fundmi, i cili trajton temën e luftës me elemente letrare.
“Letërsia që trajton luftën si ndodhi, si pasojë apo mënyrën se si letërsia e paraqet të kaluarën, duke e ditur se çka kemi kaluar ne në luftë, me represionin politik të viteve të 90-ta dhe duke përfshirë ndryshimin e arsimit, represionin në luftë, pasojat e luftës, lirinë, tranzicionin. Të gjitha këto janë situata historike që e ri formësonë letërsinë që i nxisin autorët të trajtojnë një të kaluar të afërt në mënyrë që ta dëshmojnë atë që ka ndodhur”, ka thënë autorja Rugova- Gaxha.
Ajo më tej përmendi edhe disa elemente të cilat janë të domosdoshme për të ndërlidhur e paraqitur para audiencës një të vërtetë faktike me elemente letrare.
“Mendimi kritik mbi veprat letrare të luftës përpos një analize të veprës puriste letrare, përfshin edhe një qasje inter-disiplinare ndaj veprës. Nuk mjafton vetëm analiza e veprës pa pasur një ndërthurje në mes të anës historike dhe njohjes së kontekstit e situatës” ka thënë Rugova- Gaxha më tej duke theksuar rolin dhe rëndësinë e shënimeve mbi përjetimet të cilat populli shqiptar i ka përjetuar sidomos në luftën e fundit, në mënyrë që këto ngjarje të dokumentohen e më pas edhe të shërbejnë si fakte historike.
Si lloj zhanror në këtë diskutim u përmend edhe reportazhi, si forma më e vështirë e tekstit për tu shkruar. Krejt në fund autorët e pranishëm për të gjithë pjesëmarrësit dhuruan libra, të cilët i kishin shkruar ndër vite./KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës, krahas botimit të revistës letrare PEN Kosova dhe botimit të librave origjinalë, të përkthyer dhe veprave komplete, është duke realizuar edhe një varg aktivitetesh letrare-krijuese përmes projekteve në gjithë Kosovën.
Kësaj radhe PEN Qendra e Kosovës vjen me projektin më të ri kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.
Së fundmi, në projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, që do të mbahet gjatë këtij muaji dhe në shkurt, PEN Qendra e Kosovës ka angazhuar shkrimtarë, profesorë, studiues të letërsisë, të cilët do të mbajnë ligjërata dhe trajnime të veçanta me nxënës dhe studentë në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë etj.
Përmes këtij projekti PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për krijimin letrar, rolin dhe rëndësinë që ka libri, për kulturën e leximit, por edhe për motivimin dhe përkrahjen e talenteve të reja për t’u marrë me krijimtari letrare: poezi, prozë, ese etj.
Gjithashtu, ky projekt do të përqendrohet në kultivimin e një ambienti të këndshëm promovues kulturor, në të cilin do të theksohen vlerat e letërsisë shqipe, si dhe të debatohet për përvojat krijuese të veçanta, të krijuesve letrarë.
Temat kryesore që do të trajtohen janë: kultura e komunikimit letrar, prezantimi i librit në mediet elektronike, si shkruhet eseja, si shkruhet poezia, si shkruhet drama, procesi i të shkruarit të romanit, veçoritë e përkthimit letrar, të shkruarit e fejtoneve dhe reportazheve letrare, procesi i leximit dhe procesi i vlerësimit kritik, përkthimi dhe prezantimi i letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme të botës, promovimi i veprës letrare etj.
Më këtë rast, nga shkrimtarët do të dhurohen edhe libra për të rinjtë e talentuar.
Në fazën e parë të këtij projekti, ligjëratat e tyre do t’i paraqesin anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës: Ibrahim Kadriu, Avni Spahiu, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Binak Kelmendi, Dije Demiri-Frangu, Sali Bashota, Osman Gashi, Lulzim Tafa, Anton Berishaj, Gëzim Aliu, Naim Kryeziu, Naime Beqiraj, Blerina Rogova, Engjëll I. Berisha, Artan Krasniqi etj.
Projekti “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, do të fillojë më 24 janar 2024 në KultPlus Caffe Galery dhe do të përfundojë më 27 shkurt 2024 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Projekti është përkrahur nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit./KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës më 12 janar do të bëj promovimin e kompletit të veprave të botuara të poetit Basri Çapriqi, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.
Botimi i veprës komplete të Basri Çapriqit me katër vëllime përfshin poezinë, studimin letrar, esenë dhe publicistikën.
PEN Qendra e Kosovës ka njoftuar se veprat do të botohen pa ndryshime, pra ashtu siç i ka shkruar autori.
Gjithashtu, është bërë e ditur se në këtë botim janë përfshirë shumica e shkrimeve të Çapriqit, të cilat janë paraqitur në konferenca të ndryshme shkencore apo janë botuar në gazeta dhe revista brenda dhe jashtë vendit.
Për veprën e Basri Çapriqit do të flasin studiues e njohës të veprimtarisë së poetit, studiuesit e profesorit i cili ka vdekur para gjashtë vjetësh.
Botimin e këtij kompleti e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
PEN Qendra e Kosovës i fton të gjithë dashamirët e librit që të marrin pjesë në këtë promovim i cili do të mbahet më 12 janar, në orën 14:00./KultPlus.com
Parku Kombëtar “Lumi Vjosa” do të ketë Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit, projekt që do të zbatohet nga studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale projektin fitues të Konkursit Ndërkombëtar për Qendrën Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës, që u shpall katër ditë më parë Tiranë.
Juria e përbërë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, shefi ekzekutiv i Patagonia Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të mjedisit, arkitektonikës e planifikimit të territorit vlerësoi projektin e kësaj studioje si më kreativi dhe inovativi në përputhje me kriteret e shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për këtë konkurs.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij tha se “jam i bindur se ky projekt, i cili do të materializohet menjëherë pas shpalljes së fituesit, do të jetë projekti që do të hapë edhe atë shteg të perpsektivës së të ardhmes dhe për njerëzit e mbi të gjitha për vajzat dhe djemtë që rriten në mes të kësaj mrekullie të natyrës, që të gjejnë të gjitha arsyet ta ndërtojnë jetën aty, duke pasur mundësinë të jetojnë po aq mirë sa vetë Vjosa, të mbrojtur, të mbështetur edhe të financuar nga aktiviteti i tyre ekonomik dhe social”.
Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall në mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”./atsh/KultPlus.com
Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Kulturës miratoi sot funksionimin dhe mënyrën e organizimit të Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim (QRKR) pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Sipas vendimit, misioni i QRKR-së është formimi dhe përditësimi i njohurive të restauratorëve dhe të subjekteve të licencuara, sipas legjislacionit për trashëgiminë kulturore, hartimi dhe zbatimi i programeve të kualifikimit të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale.
QRKR-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në ofrimin e programeve, trajnimeve, seminareve, kurseve të formimit profesional në fushën e trashëgimisë kulturore; ofrimin e programeve të formimit fillestar fizikisht ose nëpërmjet platformave digjitale, paketës e-learning; hartimin dhe zbatimin e programeve të kualifikimit në fushën e trashëgimisë kulturore materiale; administrimin e procesit të marrjes së krediteve për përfitimin e licencave profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore; rritjen e ndërgjegjësimit të publikut lidhur me trashëgiminë kulturore, teknikat e konservimit, restaurimit, si dhe menaxhimit të pasurive kulturore materiale.
Në buxhetin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në pjesën për “shpenzime korrente”, miratohet një fond i veçantë buxhetor për realizimin e misionit të QRKR-së.
Vendimi përcakton se QRKR-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e QRKR-së dhe përgjigjet përpara drejtorit të përgjithshëm të IKTK-së dhe ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.
Vendimi ngarkon Ministrinë e Kulturës të propozojë ndryshimin e strukturës dhe organikës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi./atsh/KultPlus.com
Pas 9 vitesh në krye të Qendrës Muzeore në Berat, piktori i njohur Agron Polovina lë detyrën për të vijuar me të tjera projekte.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Margariti shprehu mirënjohjen për punën e Polovinës në krye të Qendrës Muzeore të Beratit duke e cilësuar si bashkëpunëtor të vyer.
“Mirënjohje për punën në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, për nismat që kemi çuar bashkë përpara dhe suksese në rrugën e artit dhe trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.
Polovina më parë ka drejtuar edhe Galerinë e Arteve, Edward Lear, Departamentin e Grafikës së Liceut Artistik dhe Drejtorinë Rinore të Bashkisë, të gjitha në Berat. Ka studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës. Është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, Dega Pikturë dhe Grafikë, në vitin 1993. Ka marrë pjesë në projektet për restaurimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat ka pritur kohët e fundit një numër të madh vizitorësh, kryesisht të huaj.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina, tha për ATSH-në se Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, në periudhën janar- 4 maj, e kanë vizituar 7971 vizitorë vendas dhe të huaj që rezulton gati dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
“Vetëm në ditët e para të majit ka pasur më shumë se 1000 vizitorë, të cilët kanë qenë spanjollë, gjermanë, francezë, sllovenë etj”, është shprehur Polovina.
Rritja e numrit të vizitorëve është ndikuar edhe nga moti i mirë dhe afrimi i nisjes së sezonit turistik. Megjithatë duhet theksuar se Berati me trashëgiminë e tij kulturore e historike, po njeh një ngritje cilësore dhe të stabilizuar të turizmit, në të gjitha stinët e vitit.
Përtej një turizmi me qëllim çlodhjen, veçanërisht vizitorët e huaj, synojnë njohjen me artin e kulturën vendase, arkitekturën tipike osmane dhe historinë interesante të kësaj zone.
Ndër objektet më të vizituara në këtë qytet, i cili renditet si pasuri botërore e UNESCO-s, mbetet kalaja e Beratit, Muzeu Etnografik, Muzeu Onufri, lagjja Mangalem e Goricë, Teqja e Helvetive etj./atsh/KultPlus.com
Qendra Kulturore e Fëmijëve në Prishtinë, hap konkurs për fëmijët e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës, të cilët janë të interesuar për tu bërë pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Audicioni është i hapur në këto drejtime: Kor, Sport, Ansambël Folklorik dhe Klubi i Ambasadorëve të Rinj.
Pjesëmarrësit në audicion do të testohen për aftësitë e tyre në:
– Kor (Këndim dhe Ritëm)
– Sport (Ping pong, Badminton)
– Ansambël Folklorik (Vallëzim folklorik, Ritëm…)
– Klubi i Ambasadorëve të Rinj (Suksesi i shkëlqyeshëm, njohja e një gjuhë të huaj, njohuri të përgjithshme…)
Mosha e nxënësve duhet të jetë nga 7 – 16 vjeç, kurse në Klubin e Ambasadorëve të Rinj 12-16 vjeç. Data për audicion është më 2 tetor 2017 nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe nga ora 14:00 deri në 16:00. Audicioni mbahet te Qendra Kulturore e Fëmijëve-Pallati i Rinisë dhe Sporteve kati i II, Prishtinë./ KultPlus.com