Enver Maloku lindu në Podujevë më 1954, derisa shkollimin dhe gjimnazin e përfundoi atje, për t’u shpërngulur në Prishtinë në studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.
Enver Maloku ishte gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës. Angazhimin e tij më të madh në karrierë e kishte nga fillim viti 1993, kur edhe u angazhua si udhëheqës në Qendrën e Informimit të Kosovës.
Gjatë gjithë jetës së tij është angazhuar për promovimin e gazetarisë kombëtare e kritike politike.
Puna e tij në QIK ndikoi që edhe të “krijohen” armiq në jetën e tij dhe kësisoj të shpëtojë edhe nga një atentat në korrik të vitit 1998.
Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët tash ishin më shumë dhe nuk e huqën cakun. Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.
Maloku është dekoruar edhe me urdhërin “Hero i Kosovës” nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, derisa edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e nderoi veprën e tij me “Urdhërin e Artë të Shqiponjës”. /KultPlus.com