Nagavci: Qendra e Kompetencës së TIK-ut në Prishtinë, jetësim i një pune dinamike

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, bashkë me ministrin e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, Franz Fayot kanë biseduar për progresin dhe sfidat në zbatimin e mbështetjes së Luksemburgut për Kosovën në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe integrimit në BE.

Nagavci ka treguar që ndër të tjera kanë biseduar edhe për një Marrëveshje të re dypalëshe 2023-25 dhe një Memorandum të ri Mirëkuptimi për 3 vitet e ardhshme.

“Vizituam objektin ku po zhvillohen punimet për ta ngritur Qendrën e Kompetencës së TIK-ut në Prishtinë, e cila është investim në kuadër të projektit LuxDev, financuar nga Dukata e Madhe e Luksemburgut. Kjo Qendër do të funksionalizohet duke rinovuar shkollën e vjetër të Ekonomisë në Prishtinë, e më pas do të pajiset me mjete më të sofistikuara për realizimin e mësimit dual për përgatitjen e të kualifikuarve për tregun e punës”, është shprehur Nagavci.

Tutje ajo ka treguar se në këtë Qendër të Kompetencës, e cila pritet të finalizohet në shtator të këtij viti, do të hapen këto profile: Teknik i grafikës, Teknik i informatikës së biznesit, Teknik i sistemeve të TIK, Teknik për dizajnim të mediave interaktive, Zhvillues i aplikacioneve, programe tre veçare.

Krejt për fund, Nagavci ka falënderuar ministrin Fayot për mbështetjen që i ka dhënë shteti i tij në zhvillimin e arsimit, veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional. / KultPlus.com