‘Tri jetët e zotit P.’ – Qendra e Librit dhe Leximit prezantoi veprën e re të Virgjil Muçit

Shkrimtari Virgjil Muçi prezantoi në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, romanin e tij të ri “Tri jetët e zotit P.”

“Tri jetët e zotit P.” është një roman për dashurinë e pakufishme dhe të patjetërsueshme të një njeriu për pushtetin mbi qeniet njerëzore në shprehjen e vet më të plotë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Për hir të këtij misioni, Zoti P. kuturiset e ndërmerr një udhëtim të pazakontë në tri botë: atë të vdekatarëve të rëndomtë, pra Toka; atë të hijeve të përjetshme, Nëntoka; për t’u ndalur në stacionin e fundit, aty ku shtrëngohet të paguajë haraçin: mohimin e vetvetes, për të siguruar përjetësinë.

Në qoftë se marrëdhënia e zotit P. me pushtetin është diçka sublime, marrëdhëniet e tij me qeniet e tjera njerëzore janë më të koklavitura dhe rrokin një dimension tragjiko-komik. Rreth zotit P. gëlon një mizëri njerëzish: bashkëpunëtorë, të dashura, ish-miq e shokë, familja madje, që në sytë e tij nuk janë veçse vartës, qenie servile dhe hipokrite që synojnë ta mashtrojnë dhe, në një mënyrë ose një tjetër, t’i rrëmbejnë atë çka është jetike për të: Pushtetin.

Virgjil Muçi lindi më 1963, në qytetin e Tiranës. Ai është autor i njohur në letërsinë për fëmijë, e gjithashtu, një nga përkthyesit më të njohur. Ai ka sjellë në shqip shumë vepra të mëdha: “Kënga e Qyqes” dhe “Krimbi i mëndafshit” nga R. Galbraith; “Dhe nuk mbeti më askush” dhe “Vrasje në Orient Express” nga Agatha Christie; “E bardha dhe e zeza” nga Malorie Blackman etj. Ai ka përkthyer edhe për të vegjlit tituj të famshëm, si: “Pipi Çorapegjata” nga Astrid Lindgren; “Tre derrkucët”, “Rosaku i shëmtuar” etj./oranews/ KultPlus.com

Autoriteti i Dosjeve dhe Qendra e Librit, aktivitet kushtuar Arshi Pipës

Autoriteti i Dosjeve së bashku me Qëndrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit përkujtuan në përvjetorin e 104-t të lindjes Arshi Pipën, intelektualin e mirënjohur, arsimtarin, publicistin poetin, gjuhëtarin, kritikun letrar, përkthyesin dhe pedagogun me kontribute në jetën akademike të vendit dhe jashtë tij.

Aktiviteti risolli profilin e Arshi Pipës, ndërthurur me fatin e shkencëtarit nën regjimin komunist përmes botimit akademik të AIDSSH, “Kur Sigurimi merrej me shkencë”, ku u bashkua puna kërkimore e historianëve dhe misioni për informimin e publikut në ruajtjen e kujtesës historike, për hapjen e dialogut mbi të shkuarën dhe rishqyrtimin e figurave të dhjetë shkencëtarëve të përndjekur.

Së bashku me botuesen e veprës së tij, familjarët dhe QKLL po planifikojnë përmes aktivitetit “Dosja e Hapur”, një qasje studimore në katër dimensione: Shtypje, Qëndresë, Solidaritet dhe Mbijetesë. Synimi është thellimi i mëtejshëm në hulumtimin e këtij personaliteti që la pas vepra filozofike, artistike, studime shkencore në lëmin letërsisë dhe gjuhës, por edhe dëshmi të krimit komunist.

“Arshi Pipa mbetet një simbol i qëndresës intelektuale dhe artistike në Shqipëri. Përkujtimi i tij është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe nevojën për të ruajtur kujtesën historike”, shkruan AIDSSH në faqen e tij online.

Aktivitetet si “Dosja e Hapur” janë të rëndësishme për të ndihmuar në ndriçimin e historisë dhe për të nderuar ata që vuajtën për shkak të ideve të tyre./atsh/KultPlus.com

Çmimi Nobel për Letërsinë, aktivitet në Qendrën e Librit dhe Leximit

Qendra Kombëtare e Librit dhe leximit ka bërë traditë tashmë që ngjarjen më të rëndësishme letrare botërore sic është ndarja e cmimit Nobel për Letërsinë, ta presë së bashku me miq të librit, në mjediset e QKLL-së.

Vendimin e Akademisë Suedeze e pritën së bashku ambasadori suedez në vendin tonë, Niklas Ström, drejtuesja e QKLL, Alda Bardhyli, botuesja Arlinda Dudaj, shkrimtari i ri Tobias Xhaxhiu, poetja Mimoza Ahmeti etj.

Alda Bardhyli tha se emri i fituesit, shkrimtari norvegjez, Jon Fosse prej vitesh gjendej në listat e kandidatëve për ta fituar Nobelin e Letërsisë.

Ndërsa botuesja Dudaj u shpreh se, Jon Fosse nuk është botuar ende në shqip dhe pas kësaj fitoreje do të nisë gara e shtëpive botuese për të marrë të drejtat për botim.

”Fosse e fitoi çmimin për dramat dhe prozën e tij novatore, që u japin zë të pathënave”, njoftoi Akademia Suedeze./KultPlus.com

Pjesëtarë të QKLL në ambient të hapur shijojnë magjinë e vargjeve të autorëve të njohur (Foto)

Në ditën ndërkombëtare të librit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ka mbajtur orë letrare në ambient të hapur duke lexuar vepra të autorëve të njohur, shkruan KultPlus.

23 prilli shënon datat e lindjeve dhe vdekjeve të tre autorëve të njohur, që llogaritet të jenë shtylla e kulturës universale: Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Garcilaso de La Vega.

Ndërsa si shtyllë e kulturës dhe letërsisë shqipe të kombit shqiptarë janë: Gjon Buzuku, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Fan Noli, Asdreni, Dora d’Istria, Migjeni, Sami Frashëri, Mihal Grameno etj, të cilët ndikuan edhe në krijimin e themeleve të kombit shqiptarë.

“Për ne shqiptarët është dita e Gjon Buzukut, e Jeronim de Radës, e Naim Frashërit, e Dora d’Istrias, e Gjergj Fishtës, e Asdrenit, e Migjenit! E shumë e shumë të tjerëve, poetë e shkrimtarë të shquar, që nuk jetojnë më sot, por që ngritën kështjellën e letërsisë dhe gjuhës shqipe. E të gjithë atyre që nuk rreshtin së shkruari dhe mbajnë gjallë letërsinë tonë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit./KultPlus.com

Helena Kadare vlerësohet me mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit

Në kuadër të muajit të Tetorit, dedikuar Librit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, i dorëzon shkrimtares Helena Kadare, një vlerësim mirënjohjeje me motivacionin “Për librat e saj që me lirizëm edhe guxim, sjellin fatin e ka karaktereve gra në Shqipëri me një forcë prekëse”.

Gjatë këtij takimi, Helena Kadare shprehu mirënjohjen e saj për vlerësimin edhe rrëfeu, se nuk është bërë në asnjë moment pishman, që jetën e saj ia dedikoi mbështetjes së krijimtarisë letrare të të bashkëshortit të saj, Ismail Kadaresë, duke zgjedhur që vet si autore të qëndroi në hije. Gjithashtu, sa i përket “Nobelit” në Letërsi, që ndahet çdo vit në muajin tetor, Helena Kadare u shpreh se, në familjen e shkrimtarit Ismail Kadare, ky çmim nuk pritet më prej tre vitesh, transmeton KultPlus.

Helena Kadare është autore e 7 vëllimeve, si ndër ta “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Kohë e pamjaftueshme”, “Bashkëshortët” që kanë në qendër jetën vajzërore, të nënës dhe bashkëshortes. / KultPlus.com

Dumoshi zotohet që do të themelojë ‘Qendrën e Librit’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim anëtarët e sapo emëruar të Këshillit të Librit.

Ministrja Dumoshi theksoi që qasja dhe bashkëpunimi i saj si ministre do të jetë gjithmonë në funksion dhe në ndihmë të autorëve dhe botuesve në Kosovë.

Libri dhe veprimtaria botuese është ndikuar dhe dëmtuar nga pandemia e COVID-19, prandaj edhe do të jenë pjesë e pakos emergjente për kulturë.

Ministrja u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS.

Gjithashtu theksoi që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit.

Edhe anëtarët e sapo emëruar u zotuan që do të angazhohen maksimalisht brenda funksionit dhe detyrës që u është dhënë ndonëse viti 2020 dhe situata me COVID-19 ka bërë që aktiviteti i botuesve të bjerë ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në prurjet e reja të autorëve.

Këshilli i Librit, bazuar në ligjin për librin dhe veprimtarinë botuese emërohet nga Ministri i Kulturës dhe është organ këshillëdhënës që ka për qëllim të japë iniciativa dhe të propozojë vendime në të mirë të veprimtarisë botuese, të librit dhe të leximit të tij.

Këshilli i Librit përbëhet nga një përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Institutit Albanologjik si dhe nga krijues të afirmuar (sipas gjinive letrare: një poet, një prozator, një kritik letrar). / KultPlus.com