Qendra e Studimit të Arteve, aktivitet kushtuar historianit të kinemasë, Abaz Hoxha

Qendra e Studimit të Arteve zhvilloi një veprimtari kushtuar inxhinierit dhe historianit të kinemasë Abaz Hoxha, me rastin e 95-vjetorit të lindjes.

Veprimtaria “Një jetë me kinemanë” vlerësoi Abaz Hoxhën për ngritjen teknike të prodhimit të filmit shqiptar, punën e gjerë kërkimore në shkrimin e historisë së kinematografisë shqiptare dhe për themelimin e arkivës së filmit.

Abaz Hoxha e nisi karrierën e tij fillimisht si teknik i mesëm ndërtimi, më pas inxhinier elektronik dhe pas disa specializimeve për zërin në kinematografi në Pragë, ai punoi si inxhinier në Kinostudion “Shqipëria e re”. Pas shkatërrimit të saj në vitet ‘90, ai iu përkushtua punës si studiues dhe historian i kinematografisë. Abaz Hoxha është autor i 30 librave për kinematografinë shqiptare dhe botërore dhe figurave përfaqësuese të tyre. Ai punon ende si pedagog i Akademisë së Arteve dhe i Akademisë “Marubi” të Filmit dhe Multimedias, ku jep lëndën e Historisë së Kinematografisë Botërore dhe Shqiptare. Është anëtar i redaksisë së arteve dhe arkitekturës në Akademinë e Shkencave për hartimin e “Fjalorit enciklopedik shqiptar”.

Dr. Anxhela Çikopano e QSA, e falënderoi Abaz Hoxhën për punën skrupuloze si historian i kinematografisë, shkrimet e shumta në shtyp që nga viti 1972, që flasin për një punë kërkimore shumë të gjerë, dhe veçanërisht për punën e tij me rreth 400 dosje në Arkivin Qendror Shtetëror të filmit./atsh/KultPlus.com

Qendra e Studimit të Arteve prezantoi “Vjetarin artistik shqiptar”

Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prezantoi “Vjetarin artistik shqiptar” (VASH).

VASH është një projekt i Qendrës së Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila konsiderohet si vepra e parë në llojin e saj në ndihmë kërkuesve shkencorë, pedagogëve, studentëve dhe publikut më të gjerë.

Akademiku Stefan Çapaliku, drejtor i QSA-së, u ndal së pari në përcaktimin e objektit të punës, mbështetur në pesë aksione bazë, prej nga do të nisë një kontribut sistematik: krijimi i VASH-it; krijimi i Qendrës së Dokumentacionit Artistik; i bibliografisë retrospektive e studimeve mbi artin shqiptar, i enciklopedisë së artit shqiptar, historitë e fushave specifike të artit.

“Të gjitha këto detyra promovojnë idenë e restaurimit të kujtesës dhe rifunksionalizimin e arkivave kulturore”, u shpreh akademik Çapaliku, duke e theksuar se, krijimi i arkivave është një proces jetik.

Studiuesja e artit dr. Anxhela Cikopano tha se vjelja e arkivave të artit me një paraqitje kronologjike është një punë që duhej të kishte ekzistuar shumë më herët. Ajo vërejti se ndaj fondit arkivor është treguar pakujdesi dhe duhet të ringrihen dhe t’i rifitojmë arkivat.

Studiuesja dr. Jonida Gashi vuri në dukje se ka ekzistuar mungesa e disiplinës në mbledhjen e arkivave të artit, dhe kjo e bënë VASH-in një projekt me potencial, i cili në kuadër të rrjetëzimit të arkivave, në rastin më të mirë ofron një pasqyrë më të plotë të jetës artistike dhe kulturore.

Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i ASHSH-së, vlerësoi punën e Qendrës që ka përfshirë në projektet e saj të gjitha disiplinat e artit. Ai theksoi se duhet të nis procesi i hapjes dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ato drejtuese.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e përgëzoi grupin e punës së këtij projekti për iniciativën dhe arritjet e deritanishme dhe u shpreh për perspektivën e lidhjes së marrëveshjeve institucionale me qendrat arkivore./atsh/KultPlus.com

Përurohet Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e strukturës të Akademisë së Shkencave

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt ceremonia e përurimit të Qendrës së ringritur të Studimit të Arteve, si njësi kërkimore afatgjatë e ngritur pranë Akademisë së Shkencave.

Ceremonia u çel në praninë e emrave të njohur të artit shqiptar me një fjalë përshëndetëse nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave. Për punën e kësaj qendre dhe perspektivat e saj foli akad. Stefan Çapaliku.

QSA është një institucion kërkimor-shkencor pjesë e strukturës së Akademisë së Shkencave, i themeluar në vitin 1986. Ajo ka si objekt studimi: artet figurative, teatrin, kinemanë, muzikën, koreografinë, fushat e bashkëveprimit të arteve.

Studimet teorike dhe ato mbi problemet metodologjike ishin parësore përpara vitit 1991. Ndërsa pas vitit 1993 studimet e historisë së arteve në Shqipëri dhe vështrimet kritike e analitike mbi to zunë vendin kryesor, pa përjashtuar edhe studimet në rrafshin teorik e metodologjik, kur ishte e nevojshme.

QSA i kushtoi vëmendje trashëgimisë dhe traditave në artet shqiptare, duke filluar që nga periudhat e hershme, ajo e mesjetës e deri sot; trajtoi çështje e dukuri që lidheshin me rrjedhat bashkëkohore të arteve në Shqipëri. Ajo funksionoi si njësi unike e organizuar në tre sektorë: ai i arteve figurative, ai i arteve skenike dhe kinematografisë dhe ai i muzikës dhe koreografisë.

Në vitin 2000 QSA ndërmori projektin “Enciklopedia e artit shqiptar”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencës dhe Arteve në Kosovë. QSA boton revistën shkencore “Studime mbi artin”, numri i parë i së cilës ka dalë në vitin 1995.

Në shtator 2007 QSA kaloi si institucion pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, e integruar si departament më vete në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Me reformën shkencore të vitit që shkoi Qendra e Studimit të Arteve doli edhe njëherë si njësi shkencore më vete, duke shtuar organikën e vet, e cila do vazhdojë të jetë në zgjerim./atsh/KultPlus.com