Qendra Historike e Vlorës është rijetëzuar duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktiv dhe tërheqës kulturor.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në Ditët e Trashëgimisë, solli në vëmendje sot shndërrimin rrënjësor të Qendrës Historike të Vlorës, e cila kishte humbur identitetin nën pluhurin e harresës.
Restaurimi i qendrës historike të qytetit të Vlorës, një investim prej 11 milionë eurosh, është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.
Ndaj veç ndërhyrjeve në godina janë kryer edhe punimet nëntokësore.Projekti përfshiu restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.
Trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.
Rruga Justin Godard ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik.
Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin e XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.
Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni. /atsh/ KultPlus.com