Filmi “Hana e Re” dhe “Prishtinë 2002” me premierë kombëtare në Doku Fest

Dy projekte të subvencionuara nga Qendra Kinematografike e Kosovës do të kenë premierën Kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest, përcjell KultPlus.

Filmi “Hana e Re” dhe filmi “Prishtinë 2002” do të kenë premierën kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest.

Filmi “Hana e re” është në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi trajton rrëfimin e katër shoqeve, të cilat në një udhëtim të menduar për qejf, zbulojnë të vërteta për njëra tjetrën.

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike Kanape, me skenar dhe regji të Jehona Berisha dhe producent Jetmir Zenelaj.

Në rolet kryesore janë: Rozafa Çelaj, Era Balaj, Blerta Ismaili, Qëndresa Jashari.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002”, me regji të Trëndelina Halilit dhe producent Ermal Gërdovci është gjithashtu në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi rrëfen historinë e një adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Në rolet kryesore janë: Hana Limani dhe Rrezarta Haziraj.

Edicioni i 22-të i Doku Fest do të mbahet me 4-12 gusht, 2023. / KultPlus.com

Shtyhet afati i thirrjes për propozime për edicionin e 95-të të çmimeve OSCAR

Shtyhet afati i thirrjes për propozime për edicionin e 95-të të çmimeve OSCAR, deri më 1 shtator, 2022

Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimet e Akademisë OSCAR, për kategorinë për film ndërkombëtar/gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit.

Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema, apo VOD platformë, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 01 janar 2022 dhe jo më vonë se 30 nëntor 2022.

Në periudhën kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë e cila konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema (theatrical release).

Dhe, filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, marrin një ekspozitë publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet OSCAR. Shfaqje publike jashta kinemave konsiderohen të jetë (por nuk kufizohet vetëm në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarjet të DVD-ve, shpërndarjet gjatë fluturimeve ajrore, transmetimet në internet etj.

Në linkun e mëposhtëm gjeni detajet e tjera rreth aplikimit:

https://qkk-rks.com/…/shtyhet-afati-i-thirrjes-per…/

Propozimet mund t’i dërgoni përmes postës elektronike në: [email protected]

Apo fizikisht në:

Qendra Kinematografike e Kosovës

Rruga UÇK Nr.273

10000 Prishtina

Kosova

Afati i fundit për aplikim është 1 shtator 2022. / KultPlus.com

QKK hap konkursin për bursën në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë – FAMU

Për vitin e tetë me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës ofron mundësinë e aplikimit në shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU.

FAMU është themeluar me dekret presidencial në vitin 1945 dhe ofron programe të akredituara dhe të çertifikuara të studimit si në gjuhën çeke ashtu edhe në atë angleze.

Memorandumi i lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, ofron mundësinë e edukimit audio-vizuel për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. Bursa vlen vetëm për shtetas të Republikës së Kosovës me vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Kushtet për regjistrim në shkollën e filmit FAMU përcaktohen nga shkolla e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura me seli në Pragë, të cilët gjithashtu bëjnë edhe intervistimin dhe përzgjedhjen.

Për t’i parë kriteret dhe afatet ju lutem shkoni në webfaqe të FAMU-së duke klikuar KËTU. / KultPlus.com

Skenari i Korab Lecaj, fitues në kategorinë e debutantëve nga QKK

Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur skenarin e Korab Lecaj si fitues në kategorinë e debutantëve, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lecaj, i cili njoftoi se edhe protagonistë të tjerë janë bashkuar me të.

“Skenari im për film të metrazhit të gjatë, “Shtëpia e
babës” është shpallur fitues në Qendren Kinematografike të Kosovès, në kategorinë e debutantëve” shkroi Lecaj në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Ekipit të këtij projekti tashmë i janë bashkangjitur Enis Limani, Valon Bujupi si producent i filmit dhe Latif Hasoi si drejtor i fotografisë. /KultPlus.com

Zharku njofton për largimin e tij nga QKK, fajëson Ministrinë për shkelje ligjore

Arben Zharku ka njoftuar se para disa muajve është larguar nga pozita e drejtorit në Qendrën Kinematografike të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gjatë shkrimit të tij në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Zharku ka bërë të ditur se mandati i tij duhej të përfundonte në mars të vitit 2022, mirëpo Ministria e Kulturës ka bërë shkelje ligjore duke shkëputur kontratën.

“Normalisht mandati im do të duhej të përfundonte në mars të vitit 2022, mirëpo Ministria e Kulturës me arbitraritet dhe shkelje ligjore e shkëputi kontraten, dhe për këtë qështje veq se kam ndjekur hapat ligjor”, thuhet mes tjerash.

39 vjeçari gjithashtu ka falënderuar të gjithë bashkëpunuesit e tij dhe i ka vlerësuar si të jashtëzakonshme 10 vitet e fundit të QKK-së. /KultPlus.com

May be an image of 5 people, people standing and indoor