Margariti: Prioriteti i qeverisë, Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku në rend dite ka qenë edhe ratifikimi i marrëveshjes me qeverinë e Japonisë për restaurimin dhe konservimin e Muzeut Historik Kombëtar, ka qenë e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Duke replikuar me deputetët e opozitës, Margariti tha se “kultura bashkon sfumatura politike, në të gjithë botën, përveç se në Shqipëri”.

Ministrja tha se po kryhen restaurime me fondet e BE-së dhe sot, jemi duke bërë bashkë këta donatorë, si nga Europa ashtu edhe Japonia, sepse po u tregojmë se po ecim me të njëjtin vizion si vendet e tjera të Europës.

Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja është ndalur tek mozaikët, duke veçuar Mozaikun e Tiranës, i cili do të kthehet në pikë atraksioni.

“Jo për të parë kërthizën ku lindi qyteti ynë, por ky mozaik do të jetë pikë promovimi edhe për gjithë mozaikët e tjerë të Shqipërisë. Kjo pikë atraksioni do të pajiset me teknologji të kohës e gjithashtu do të ketë dhe një hapësirë didaktike, për fëmijët, të cilët do të mund të mësojnë se si formohet një mozaik”. Një hapësirë tjetër e kërkuar nga ministria dhe komuniteti, do të jetë ngritja e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët, një program prioritar i qeverisë Rama”, deklaroi ministrja.

Margariti është ndalur tek Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, i cili u dëmtua pas tërmetit të vitit 2019, por që do t’i kthehet publikut e studiuesve të Tiranës, me përfundimin e restaurimit dhe dixhitalizimin e restaurimin e librave.

Gjithashtu do të vazhdohet të punohet me donatorët në plot hapësira të tjera, siç po punohet me EU4Culture.

“Nuk është e turpshme të kërkosh donatorë për të mëkëmbur pasuritë dhe artefaktet. Të mohosh atë që ka bërë qeveria Rama, në sektorin e artit dhe kulturës, është të mos ndahesh dot nga politika”, tha ministrja Margariti.

Në 8 vjet qeverisje janë investuar 1,8 miliardë lekë, për kulturën. Shumë shpejt Tirana e gjithë Shqipëria, do të kthehen në destinacione të turizmit akademik. / atsh / KultPlus.com