Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sot veprat fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”.
Nga 12 aplikime, juria, e kryesuar nga përkthyesi Erion Kristo dhe me anëtarë dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha dhe profesor Blendi Lamin, vlerësoi për t’u mbështetur financiarisht nga QKLL, 6 autorë dhe veprat e tyre.
Fituesit për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”:
Ylljet Aliçka, me “Histori njerëzish të zakonshëm”; Maklena Nika me “Nitroglicerinë”; Namik Dokle me “Vallëzim me hënën”; Arian Leka me “Në kërkim të këmishës së humbur”; Manjola Nasi me “Një udhëtim e gjysmë”; Artur Spanjolli me “Lule drite në ag”.
Ceremonia e shpalljes së fituesve u zhvillua në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit./ KultPlus.com
“Enciklopedia imagjinare” me autor Bajram Kosumi është prezantuar në Qendrën Kombëtare të Librit në Tiranë, prezantim që u përcoll nga shkrimtarë, studentë e nxënës, shkruan KultPlus.
Për këtë prezantim ka njoftuar edhe Qendra Kombëtare e Librit në Tiranë, njoftim që e sjellim të plotë për lexuesit e KultPlus.
”Enciklopedia imagjinare”, është eksperiment i madh me letërsinë: me zhanrin letrar, me tematikën dhe me tipin e ligjërimit. Ndryshimi shfaqet që në titull: ai përmban një element shkencor (enciklopedia) dhe një element artistik (imagjinata).
Ish-kryeministri i Kosovës dhe shkrimtari Bajram Kosumi ishte në një takim me lexuesit e tij në Shqipëri në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit mbi botimin e tij më të fundit “Enciklopedia imagjinare”.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe shkrimtari Besnik Mustafaj, përkthyesi Erion Kristo, studiuesi Behar Gjoka dhe botuesja Irena Toçi, të cilët ndanë idetë e tyre mbi librin e Bajram Kosumit.
Ndër të tjera, ai u rrëfeu nxënësve të gjimnazit “Luan Hajdaraga” dhe studentëve të Letërsisë që ishin të pranishëm në aktivitet, shumëçka mbi krijimtarinë e tij, përfshirjen në politikë dhe studimet mbi letërsinë e burgut./ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi përmes aktiviteteve 556-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skëndërbeut.
Ne mjediset e QKLL u çel një ekspozitë me botime të rralla mbi Skëndërbeun, një prej të cilave, “Historia e Skënderbeut” nga Fan Noli, botimi i parë, i vitit 1921.
Historianët Ferit Duka dhe Nevila Nika sollën në fjalën e tyre përmasat botërore të kësaj figure të rëndësishme, jo vetëm për Europën, si një simbol i përjetshëm i lirisë njerëzore. Gjatë këtij takimi u promovua dhe Bibliografia “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë”, me autor Hysen Dizdari si dhe u hap një ekspozitë me botime në kohë mbi këtë figurë. Bibliografia fillon në vitin 1480 dhe përfundon në muajin shtator të vitit 2023. Objektivi themelor i kësaj bibliografie është përshkrimi i librave historikë, librave letrarë e artistikë, biografive, albumeve, katalogëve të ndryshëm kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, të shkruara në gjuhën shqipe dhe të huaj nga autorë me etni dhe origjinë shqiptare. Kjo bibliografi i bashkohet veprave të tjera në këtë gjini mbi figurën e Skënderbeut të shkruara nga bibliografë të shquar si :prof. Gjergj Prekazi, Dhimitër Shuteriqi, Palok Daka, Jup Kastrati, Isak Shema, Ibrahim Rugova, Maksim Gjinaj, Etleva Domi, Willy Kasmi, etj.
Përvjetori i Skënderbeut. Fotot nga Agim Dobi/KultPlus.com
Në prag të datëlindjes së tij, shkrimtari me renome botërore, Ismail Kadare ka takuar të rinjtë e Kavajës, shkruan KultPlus.
Nën praninë e gruas së tij, Helena Kadare, drejtoreshës së Qendrës Kombëtare së Librit dhe Leximit, Ismail Kadare realizoi një bashkëbisedim me të rinjtë në kuadër të Klubit të Librit në këtë qytet.
Kandidati për çmimin Nobel ndër vite iu përgjigj pyetjeve të të rinjve, të cilët ishin entuaziastë për të dëgjuar rrugëtimin e suksesshëm letrar të shkrimtarit që ktheu vëmendjen e botës drejt Shqipërisë.
Ky aktivitet u realizua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit gjatë ditës së sotme mbajti takim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe Departamentin e Historisë në mjediset e Muzeut Kombëtar në Tiranë, shkruan KultPlus.
Zyrtarë institucional dhe historianë e studiues të shumtë u takuan për të diskutuar për librat historik, nevojat dhe kërkesat e kësaj fushe, përkthimet, autorët dhe lexuesit.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli u shpreh se po tentojnë t’i japin zë fushave që kanë qenë më pak në fokus, e siç është edhe çështja e botimeve historike.
“QKLL-ja do të krijojë një fond të posaçëm mbështetjeje për albanologjinë, por dhe do t’i japë më shumë hapësirë, përmes kooperimeve ndërkombëtare, që libri historik e albanologjik shqiptar të jetë pjesë e panaireve, apo aktiviteteve ndërkombëtare te Librit, ku merr pjesë Ministria e Kulturës”, premtoi Bardhyli.
Pos të tjerash ajo theksoi se është e domosdoshme ndihma ndaj kësaj kategorie, e veçanërisht autorëve të historisë.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rrisim kulturën e leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin botimet historike, sidomos te brezi i ri”, përfundoi drejtoresha e QKLL-së.
Të pranishëm ishin edhe Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Mariglen Verli, Prof. Ass. Sonila Boçi, Prof. Ass. Ledia Dushku, Dr. Dorian Koçi. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot çmimet e projektit “Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.
Juria, e përbërë nga Gaqo Bushaka, Anisa Ymeri, Enkelejd Lamaj, kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi, ku morën pjesë 20 dorëshkrime.
Veprat fituese, që do të financohen nga QKLL-ja, janë: Romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën. Motivacioni: Për temën interesante, sa kombëtare aq edhe universale që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët. Shkrimi i librit qartazi është i paraprirë nga një kërkim jo i vogël dhe është një histori e bukur për fëmijët.
Libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin. Motivacioni: Për vlerat e larta gjuhësore, që nxit lidhjen e “shkëputur” të fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe përmes historive.
Përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhani. Motivacioni: Për nxitjen e fantazisë së fëmijëve, duke i motivuar ata që të kërkojnë lidhjen e munguar me natyrën. I shoqëruar me ilustrime të arrira, libri e çon edhe më tej fantazinë e të vegjëlve. / KultPlus.com
Është bërë ndarja e çmimeve për Konkursin “Libri i Karantinës” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit
Fituesit e Librit të Karantinës janë autorët Lum Gashi, Ervin Nezha dhe Vera Bekteshi, transmeton KultPlus.
“Libri i Karantinës”, konkursi letrar i cili u kthye në një ngjarje gjatë muajve të karantinës mbylli sot siparin me një ceremoni ku ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ky konkurs ngjalli interesin e autorëve në gjithë gjeografinë shqipfolëse.
“82 vepra u bënë pjesë e kësaj gare, e cila kishte për qëllim të motivonte nxitjen e shkrimit shqip”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së. Sipas saj, libri shqip dhe autori shqiptar do të jenë në fokus të punës së QKLL-së.
Rita Petro, kryetare e jurisë, u shpreh se ajo që i ka befasuar si juri ishte serioziteti i pjesëmarrësve, pasi secili prej tyre ishte munduar të paraqiste një material të punuar përgjithësisht mirë.
Fatmira Aliaj, anëtare e jurisë, veçoi nivelin artistik të autorëve pjesëmarrës, duke thënë se ky konkurs ishte një befasi për nga prurjet. Fituesit Juria e përbërë nga Rita Petro, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri, Durim Abdullahu kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi: “I liri” me autor Lum Gashin, “Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha dhe “Grupi ‘Bella Ciao’” nga Vera Bekteshi. Ervin Nezha , Lum Gashi dhe Vera Bekteshi shpallen autorët më të mirë.
Sipas tyre tre autorët e përzgjedhur përfaqësojnë nivele të ndryshme të letërsisë shqipe: nga Kosova tek letërsia e “periferive” dhe ajo e traditës. Gratë e karantinës në librin e Bekteshit Libri me tregime ‘Bella Ciao’ përbëhet nga pesë tregime me tema krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, por që i bashkon një fill, personazhet kryesore janë përgjithësisht gra.
Tregimi i parë, ai që i jep dhe titullin librit, përshkruan periudhën e karantinës për shkak të pandemisë së virusit të Covid-19, që është dhe ngjarja, një ngjarje aq e madhe, saqë ka përfshirë gjithë planetin Tokë. Në tregim flitet se si një virus i kohëve moderne, kërkon që dhe mjetet e komunikimit midis personazheve të jenë po të kësaj kohe, mbasi të pesta shoqet lidhen midis tyre përmes chat-it në WhatsApp. Ato mësohen kaq shumë me këtë mënyrë virtuale komunikimi, saqë shpesh e kanë të vështirë të kujtohen se ka dhe mënyra më të shpejta siç është ajo e telefonit ku lidhesh përmes zërit, pa pasur nevojë të shkruash, por sjelljet e njerëzve, pa e kuptuar, kanë ndryshuar kaq shumë, saqë edhe zëri është i tepërt, sjell bezdi.
Si në formën e një ditari, ato lidhen me njëra-tjetrën ku ndajnë hallet e jetës së përditshme, por dhe mendimet lidhur me këtë gjëmë që po kërcënon mbarë botën, sepse janë të gjitha gra të shkolluara, që nuk tremben të japin mendim, ani pse edhe duke e kundërshtuar njëra-tjetrën, megjithëse ndodhen në një kuvend virtual. Por është edhe pjesa e njerëzve të thjeshtë, që të prek me gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, pa përfillur rrezikun nga infektimi.
Tregimi lihet i hapur për të gjitha transformimet që pëson apo mund të pësojë ky virus kaq inteligjent, plotësisht i denjë për kohën e ndërlikuar që jetojmë. Tregimi “Në Reading” flet për potencialin e madh biologjik që kanë gratë për të krijuar jetë dhe për ta mbrojtur atë me çdo mjet dhe sakrificë. Gjimnazistet janë sërish një grup grash që shkojnë për pushime disaditore në plazhin e okupuar prej pushtetarëve të rinj dhe zhgënjimin që pësojnë nga niveli i tyre.
Tregimi “Mulliri i vjetër”, një tregim shumë i shkurtër, flet për një grup sigurimsash që ende ruajnë celulat e dikurshme, megjithëse në pension, bile duke pasur ‘të drejtën’ të përflasin viktimat e tyre të dikurshme, sepse nuk kanë pësuar asgjë. “Portokajtë e kuq të Sicilisë” është një tregim, për brengat dhe pasiguritë e dashurisë. “ILIRI” nga Lum Gashi Një roman me temën e ditës, si personazh kryesor është i riu që mbijeton përmes punëve të rëndomta, ku fati i tij është në dorë të pronarit të kompanisë dhe zgjidhja mbetet vetëm ikja në perëndim; rrëfimi është i natyrshëm dhe pa sforcime.
Dialogu me të folmen e gjuhës së përditshme të gegnishtes së Kosovës i jep mjaft natyrshmëri rrëfimit, që është konciz, pa stërhollime sentimentale apo romantike edhe kur flitet për marrëdhëniet. “Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha Tregimet e Ervin Nezhës dallojnë për stilin befasues dhe mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve. Tregimet e tij shërbejnë si një vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip. / KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit do të kryesohet nga Alda Bardhyli.
E zgjedhur nga ministrja e Kulturës, studiuesja e konsideron sfidë profesionale këtë nismë, që ka në qendër letrat shqipe. Nëpërmjet platformës së saj, si kryetare e qendrës, Bardhyli dëshiron të ketë sa më shumë ndërgjegjësim për rritjen e numrit të leximit të letërsisë shqipe, si brenda dhe jashtë vendit.
“Mendoj se të qenit në krye të një institucioni kombëtar është një sfidë e bukur profesionale, që kam besim se do të jetë e suksesshme. Unë besoj shumë në rritjen e ndërgjegjësimit të leximit, besoj që libri, letërsia, mbetet e vetmja liri me të cilën mund të shkojmë tek edukimi, tek vazhdimësia. Këto nuk mund të vijnë ndryshe, veçse nëpërmjet politikave të librit. Platforma ime ka të bëjë me librin dhe autorët shqiptarë. Në fokus të kësaj qendre do të jenë të gjitha politikat që mbrojnë autorët dhe botuesit, në mënyrë që libri të marrë vëmendjen e duhur” – ka thënë ajo, për mediet, shkruan Konica.al
Qendra e Librit do të jetë në funksion gjatë muajit shkurt edhe vëmendja, nuk do të jetë vetëm tek autorët dhe bibliotekat në Tiranë.
“Muaji shkurt do të finalizojë këtë proces që ka nisur prej disa javësh. Ekipi që do t’i bashkëngjitet do të ketë në qendër të vëmendjes, jo vetëm bibliotekat në Tiranë, por edhe ato në rrethe. Do të zhvillojmë politika zhvillimi, duke i dhënë status autorit shqiptar, por edhe do të ringjallim letërsinë e atyre autorëve, që janë pjesë e letërsisë sonë, por për të cilët nuk është folur sa duhet deri tani. Janë shumë iniciativa, të cilat me dëshirën që libri të jetë arma kryesore ku mbështetet një shoqëri, mendoj se qendra do arrijë t’i kryejë”.
Teksa na rrëfen se në qendër të ekipit që do të merren librin, do të ketë profesionistë, të botimeve dhe bibliotekave në rrethe, shton se nuk do të mungojnë bashkëpunimet me organizatat e huaja. Ndërsa, puna e parë e Bardhylit si kryetare, nis në Qendrën Kombëtare të Librit në Francë
“Mendoj që ta bëjmë edhe sa më prezent letërsinë shqipe jashtë vendit, duke ndihmuar përmes koperimeve me organizata të huaja, edhe më tej për të përçuar kulturën tonë shpirtërore. Puna ime e par,ë do të nisë më një vizitë në Qendrën Kombëtare të Librit në Francë. Ky është modeli më i mirë, ku mendoj se modeli shqiptar duhet të mbështetet. Është shumë e rëndësishme, që gjuha edhe kultura shqiptare të përçohet edhe në kulturat e tjera”.
Bardhyli, ka theksuar se: “Buxheti minimal, prej vetëm 10 milionë lekësh, është një start i mirë, për të nisur një punë që është në shërbim të librit edhe të trashëgimisë sonë shpirtërore”.
Qendra Kombëtare e Librit është në varësi të Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com