“Fotografia që prek indet e qytetit”, Griseld Hoxha sjell momentet e veçanta të përditshmërisë

Në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), u zhvillua promovimi i katalogut fotografik “Fotografia që prek indet e qytetit”, një projekt artistik i fotografit të ri durrsak, Griseld Hoxha.

Ky katalog sjell një koleksion fotografish bardhezi të zhanrit street photography (fotografi në rrugë)  dhe urban photography (fotografi urbane), të shoqëruara me storytelling (narracion), duke krijuar një kombinim unik mes imazhit dhe rrëfimit.

Në panelin e diskutimit morën pjesë emra të njohur të artit dhe medias si: profesori i Universitetit të Arteve (UART), Ardian Isufi, njëherazi kurator dhe kritik arti; fotografi i njohur Roland Tasho; dhe redaktorja e katalogut, shkrimtarja dhe gazetarja Arjola Kondakçiu.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, fotografi Griseld Hoxha u shpreh se kjo ekspozitë grumbulloi punën e 5 viteve, nga jeta e përditshme në qytet, jo vetëm në Durrës dhe më gjerë, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Ekspozita ka momente të fotografuara gjatë pandemisë, tërmetit që goditi qytetin e Durrësit. “Janë foto të ndjera dhe fotot e stilit urban dhe bardhezi”, shtoi fotografi.

Hoxha u shpreh se ky është një album me foto të veçanta që në Shqipëri nuk janë të shumta, janë në zhdukje si temë.

“Jashtë vendit dhe në Kosovë ka fotografë që aplikojnë këtë lloj fotografie, këtë lloj zhanri. Unë vendosa që të sjell diçka ndryshe, këtë lloj stili të fotografisë, por përveç kësaj të shoqëruar me storytelling, domethënë me histori se çfarë fotot e përditshme na tregojnë, atë aktualitetin, hallet e përditshme, problemet e përditshme, ku në katalog nuk përfshihen vetëm 2-3 kategori, por të gjithë llojet e njerëzve, nga qytetarët e varfër deri tek pushtetarët”, tha Hoxha për ATSH.

Një risi në fotografinë shqiptare

Gjatë fjalës së saj, redaktorja Arjola Kondakçiu theksoi se ky është katalogu i parë i këtij formati në Shqipëri, ku fotografia bardhezi kombinohet me storytelling. Ajo vlerësoi aftësinë e fotografit për të kapur çastet që përcjellin mesazhe të fuqishme dhe për t’i shoqëruar ato me rrëfime që i japin edhe më shumë kuptim imazhit.

Fotografi Roland Tasho ndau përshtypjet e tij për punën e Griseld Hoxhës, duke theksuar se që në shikimin e parë të katalogut, kuptoi se bëhej fjalë për një projekt profesional dhe të veçantë. Ai vlerësoi ndjeshmërinë dhe qasjen artistike të autorit në kapjen e momenteve autentike të jetës urbane.

Ndërsa profesori Ardian Isufi nënvizoi se fotografitë e Hoxhës nuk janë thjesht imazhe, por mbartin mesazhe të rëndësishme për komunitetin, me secilën foto që trajton një tematikë specifike. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e studimit të historisë së fotografisë, duke nisur nga pionierët shqiptarë e deri te teknikat e avancuara të ditëve të sotme.

Fotografia si pasion dhe mision

Diskutimi mes të ftuarve, gazetarëve, arkeologëve dhe artdashësve solli një reflektim mbi sfidat e fotografisë në Shqipëri, duke trajtuar kalimin nga pasioni në profesion dhe rolin e saj në transmetimin e realitetit shoqëror. Të pranishmit ndanë mendimet e tyre për katalogun dhe punën e fotografit, duke lexuar gjithashtu disa nga rrëfimet e përfshira në storytelling.

Në përmbyllje, Griseld Hoxha ndau vizionin e tij mbi fotografinë, duke e cilësuar atë jo thjesht si një profesion, por si një mjet për të përcjellë mesazhe sociale dhe artistike. Ai ftoi të rinjtë të ndjekin pasionin për fotografinë, duke e parë atë fillimisht si një mision dhe më pas si një mundësi profesionale.

Fotografi Grisel Hoxha ka lindur në Durrës, në vitin 2000. Është diplomuar për degën Informatikë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, por drejtimin e karrierës së tij e fokusoi te pasioni për fotografinë, i cili tashmë është kthyer në profesion për të.

Edhe pse shumë i ri në moshë, ai ka marrë pjesë në dy ekspozita:

Ajo kolektive me temë “Jeta urbane në Durrës” (2022), dhe ekspozita personale hapur në Milano- Itali (tetor 2023).

Griseld Hoxha ka qenë aktiv nëpër aktivitete, dhe falë mprehtësisë artistike të syrit, fotografi të tij janë vlerësuar me çmime në konkurse me tematika të ndryshme, si:

Çmimi “Fotoja më e mirë”, gjatë periudhës së karantinës.

Çmimi i tretë në konkursin ” Fotografia për muajin e Ramazanit”, viti 2020.

Çmim të tretë në konkursin “Tirana Foto Festival”.

Çmim të parë në konkursin e organizuar nga “Travel Fest Albania” (2023).

Ky album me foto bardhezi është preferencë e tij, shoqëruar me story telling. si një risi për evolimin e artit të fotografisë në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

QKLL, thirrje për përkthimin e veprave letrare nga shqipja në gjuhë të huaja

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi dje thirrjen për aplikime për përkthime të veprave letrare nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.

Kjo thirrje u drejtohet të gjithë botuesve të huaj që duan të botojnë autorë shqiptarë.

Kjo thirrje është pjesë thelbësore e politikave të QKLL për promovimin e kulturës shqiptare jashtë kufijve.

Ajo synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë tradicionale e bashkëkohore shqiptare, si në prozë, ashtu edhe në poezi dhe ese.

Sipas QKLL kërkesa duhet të dorëzohet nga një botues i huaj, i pajisur me licencë botimi.

Botuesi duhet të sigurojë të drejtat e autorit para se të aplikojë, ose të paktën të jetë në proces të sigurimit të së drejtës së autorit.

Fituesit do të bëhen publikë në javën e parë të muajit maj, në faqen e QKLL-së. Dorëzimi i aplikimit pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit bëhet brenda datës 14 prill 2023, ora 14:00. / atsh / KultPlus.com

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit rikthen çmimin “Lumo Skëndo”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot në mjediset e saj aktivitetin kushtuar prezantimit të çmimit “Lumo Skëndo”, si një çmim i përvitshëm që do të jepet për librin më të mirë studimor/eseistik/publicistik, përkatësisht për vitin 2021.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli shprehu nderimin e saj ndaj figurës së Mid’hat Frashërit dhe kontributit të tij në letrat shqipe, në studimet historike dhe Albanologjike.

Bardhyli prezantoi edhe jurinë që do të ngrejë punën për përzgjedhjen e këtij çmimi, pjesë e së cilës janë Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”; Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Dr. Dhurata Shehri, zv/Dekane e Fakultetit të Gjuhës dhe letërsisë, UT., Prof. Assoc. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, UET.; Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Drejtori i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”, Butka shprehu mirënjohjen e tij ndaj vëmendjes së figurës së Mid’hat Frashërit dhe rolit të tij në historinë dhe kulturën Shqiptare si një njeri që ka jetuar katër kohë historike të Shqipërisë, por gjithashtu foli edhe për kontributin e tij në fushën e letrave shqipe me shkrimet publicistike dhe me hapjen fillimisht të Bibliotekës “Lumo Skëndo” në Stamboll dhe pastaj të Librarisë “Lumo Skëndo” si një ndër më të njohurat dhe me më ndikim në Tiranë.

Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, përveç vlerësimeve, ndau lajmin e mirë të punës së madhe që Biblioteka Kombëtare ka bërë në mbledhjen dhe përgatitjen në një sallë të veçantë në mjediset e kësaj të fundit të bibliotekës personale të Mid’hat Frashërit, si një vlerë bibliofilike dhe historike.

zv/Dekania e Fakultetit të Gjuhës dhe letërsisë, Dhurata Shehri ndër të tjera u ndal edhe te puna që kjo juri do të ndërrmarrë, në seriozitetin dhe përkushtimin që vetë emri që përfaqëson Mit’hat Frashëri bën të ndikojë në trajtimin me profesionalizëm për veprat që do të përfshihen dhe kritereve që do të ndiqen./atsh/KultPlus.com

Publikohen emrat e 25 poetëve të cilët kandidojnë për çmimin “Poeti Laureat”

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë të ditur emrat e 25 poetëve të cilët kandidojnë për të fituar çmimin “Poeti Laureat”, shkruan KultPlus.

Sipas Qendrës, ky çmim do i dhurohet një emri të njohur në fushën e letërsisë, gjegjësisht të poezisë më 30 tetor. Poeti laureat do të jetë në krye të një fushate publike me fokus poezinë shqip.

“Komiteti Drejtues i këtij projekti të rëndësishëm për botën letrare shqiptare, kryesohet nga shkrimtari dhe poeti Besnik Mustafaj dhe në përbërje të tij janë: botuesja Arlinda Dudaj, Agron Gjekmarkaj, zv.Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në UT, profesorja dhe poetja Viola Isufaj, dhe kritiku Agim Baçi”, thuhet në njoftimin e QKLL.

KultPlus ua sjell të plotë emrat e poetëve garues:

1. Flutura Açka 2. Natasha Lako 3. Arian Leka 4. Ilirian Zhupa 5. Parid Teferiçi 6. Lindita Arapi 7. Entela Tabaku 8. Ervin Hatibi 9. Rudian Zekthi 10. Entela Kasi 11. Visar Zhiti 12. Bardhyl Londo 13. Rudolf Marku 14. Luljeta Lleshanaku 15. Primo Shllaku 16. Krenar Zejno 17. Agron Tufa 18. Ledia Dushi 19. Gëzim Hajdari 20. Preç Zogaj 21. Mimoza Ahmeti 22. Skënder Rusi 23. Skënder Buçpapaj 24. Hamit Aliaj 25. Petrit Ruka. / KultPlus.com