Qendra Muzeore ”Ndre Mjeda” në Kukël, mban statusin monument kulture të kategorisë së parë, që nga viti 2012.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka publikuar një material për këtë qendër muzeore. DRTK Shkodër shprehet se pas 30 minutash udhëtim nga Shkodra, arrin përballë portës së madhe të muzeut “Ndre Mjeda”.
“Natyra është e mrekullueshme në Kukël, fshatin midis Shkodrës dhe Lezhës, aty ku Mjeda i madh jetoi dhe krijoi për shumë vite”, thuhet nga DRTK.
Në të gjithë Shqipërinë, sikurse edhe nëpër trevat shqipfolëse, Ndre Mjeda njihet si poet, rilindas, filozof, klerik, studiues dhe pjesën më të madhe të kësaj veprimtarie ai e zhvilloi këtu.
DRTK Shkodër shprehet se kompleksi përbëhet nga kisha dhe nga qela (shtëpia ku ka banuar rreth 30 vite Ndre Mjeda) dhe është ideuar dhe projektuar nga vete Mjeda, sipas stilit neoklasik.
“Qela është e ndërtuar në vitin 1906 dhe kisha në vitin 1913. Në vitin 1962, banesa u kthye në shtëpi-muze, si dege e muzeut të Shkodrës, ku pati të ekspozuara objekte personale të Mjedës, si materiale fotografike, shkrime studimore, botime librash, etj. Në vitin 1991 shtëpia-muze “Ndre Mjeda” u mbyll dhe gjithë materialet e ekspozuara u dërguan në Muzeun Historik të Shkodrës. Në vitin 1993 në kishën e Kuklit shërbyen misionaret e Nënë Terezës, të cilët bënë një shtesë ngjitur me qelen nga ana e pasme e saj, si dhe në hapësirën ndërmjet kishës dhe qelës duke i lidhur këto dy objekte”, shprehet më tej DRTK.
Banesa është e ndërtuar me mur guri dhe e mbuluar me çati me konstruksion druri dhe tjegulla vendi. Gjithashtu edhe ndërkati i banesës është i ndërtuar me konstruksion druri, trarë druri mbi të cilët është vendosur dyshemeja e drurit e katit të sipërm si dhe është fiksuar tavani i katit përdhe.
DRTK Shkodër thotë se duhet vizituar patjetër për vlerat e jashtëzakonshme, që mbart dhe për historinë shekullore. /SOT/ KultPlus.com