Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka vazhduar edhe këtë vit restaurimin e ndërtesave të Trashëgimisë Kulturore. Njëra ndër to është edhe shtëpia e familjes Puka, përcjellë KultPlus.
Shtëpia e familjes Puka gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht në zonën e tetë (Zona e banimit sipas trendeve aktuale të ndërtimit) sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit për Qendrën Historike të Prizrenit. Ndërtesa gjendet në lagjen e vjetër të ashtuquajtur Qafa e Kishës, e rrethuar me ndërtesa të banimit individual.
Shtëpia i takon tipit të banesave të mbyllura me kat, me fasadën ballore të orientuar kah oborri perëndimor. Ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar në përdhes dhe kat.
Si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese, shtëpia është vlerësuar në gjendje të keqe fizike dhe rrezikohej nga dëmtimet e mëtutjeshme.
Problemi kryesor ishte depërtimi i lagështisë nga struktura e amortizuar dhe e dëmtuar e kulmit, deformimi i strukturës së mureve dhe depërtimi i lagështisë nga toka.
Pas vlerësimit të dëmeve dhe hartimit të projektit për gjendjen ekzistuese dhe ndërhyrjet konservuese në ndërtesë, janë implementuar ndërhyrjet e restaurimit të pjesshëm, me ç ‘rast janë kryer këto punë: Shtangimi i strukturës së mureve dhe formimi i skeletit metalik mbajtës të konstruksionit të kulmit; Rindërtimi i strukturës së kulmit me të gjitha elementet përcjellëse; Restaurimi i nyjës sanitare duke përfshirë edhe ndërhyrjet dhe instalimet e reja; Restaurimi i murit jugor; dhe restaurimi i tavanit të çardakut.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të mbështes projektet të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e Trashëgimisë sonë Kulturore./KultPlus.com