Kjo lëvizje shënon hapin e parë të bërë ndonjëherë nga UNESCO në drejtim të njohjes së trashëgimisë kulturore hebraike në Gjermani. Edhe një zgjatim i kufirit ushtarak romak, Limes, është njohur me këtë rast
Trupa kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, ka njoftuar se dy vende në Gjermani kanë marrë statusin e Trashëgimisë Botërore. Anëtarët e Komitetit kanë njohur qytetet gjermane të Mainzit, Speyerit dhe Wormsit për rolin e tyre si qendra të kulturës hebraike në Evropë gjatë mesjetës – që shënon njohjen e parë nga UNESCO të trashëgimisë kulturore hebraike në Gjermani.
Ata, po ashtu, kanë miratuar edhe aplikimet për njohje të një seksioni të Limesit – kufiri i jashtëm i Perandorisë Romake – përgjatë lumit Rhin.
Cilat janë qendrat hebraike me status në UNESCO?
Mainz, Speyer dhe Worms njihen si vendet SchUM – për germat e para të emrave të tyre hebrenj gjatë mesjetës. Të tri qytetet bëjnë pjesë në atë që dikur quhej si “Jerusalemi i Rihinit”.
Ato ishin fort ndikuese për kontributet në gjuhën hebraike, studimet fetare, si dhe stilin fetar arkitekturor.
Shteti Rihneland-Palatinate luftoi për njohje për më shumë se 15 vjet. Avokatët shënonin se problemi i tyre më i madh ishte fakti që kaq pak artefakte fizike mbetën pas shekuj plaçkitjesh e vandalizmi shkatërrimtar.
Më në fund, Komiteti i njohu varrezat, sinagogën dhe banjat rituale Mikvah në këto qytete si emra të denjë për Trashëgiminë Kulturore Botërore. Varreza e Heiligen Sandit në Worms, fjala vjen, shpesh konsiderohet si më e vjetra dhe më e madhja varrezë hebraike në Evropë, me varre që datojnë nga shekulli i nëntë.
Mungesa e vendeve të ruajtura historike, thotë Andreas Lehnardt, profesor i studimeve hebraike në universitetin e Mainzit “Johannes Gutenberg”, është shpesh një zhgënjim për mysafirët e huaj që kërkojnë të lidhen me të kaluarën e pasur hebraike të rajonit, “por”, shton ai, “kjo është thjesht një reflektim i historisë hebraike në Gjermani”.
Mbështetësit e aplikimit, si kryetari i Wormsit Alfred Kessel, thonë se shquarja nga UNESCO-ja do të ndihmojë jo vetëm në rritjen e turistëve, por edhe do t’iu dalë në krah komuniteteve për të ruajtur atë çka ka ngelur nga ajo që dikur ishte qendër e rëndësishme e kulturës hebraike dhe mësimit fetar.
Çka është seksioni i Limesit që fitoi statusin e UNESCO-s?
Limesi i poshtëm gjerman shtrihej nga Rheinbrohli në shtetin e Rhineland-Palatinate, përmes North Rhine-Westphalia në Detin e Veriut në Holandë. Njohja e tij avancon vizionin e UNESCO-s për ta vënë gjithë kufirin ushtarak – që shtrihej nga Skocia deri në Detin e Zi – nën mbrojtje si vend i trashëgimisë kulturore panevropiane.
Maria Böhmer, kryetare e Komisionit gjerman në UNESCO, ka thënë se disa prej “mbetjeve më të vjetra të skajit të Perandorisë Romake” janë gjetur në vend.
“Romakët ndërtuan fortesa dhe vendbanime përgjatë Rhinit që do të rriteshin për t’u bërë qytete të mëdha si Këlni, Boni e Nijmegeni. Ato lulëzuan për shkak se Limesi nuk ishte mbyllje, por më tepër lehtësonte shkëmbimin mes Romës dhe fqinjëve të saj”.
Pavarësisht të qenit kufi, Limesi nuk ishte thjesht një vijë statike e mbrojtjes, por më tepër një vend shkëmbimi, me dogana dhe tregje të vendosura në kalimet kufitare, ashtu sikurse edhe me kulla vrojtimi e fortesa gjatë gjithë strukturës.
Vendimi për një seksion të mëtejmë, të njohur si Limesi danubian, i është dorëzuar një grupi punues për rishqyrtim.
Hungaria rrëzoi propozimin – e ngritur nga Gjermania, Austria, Sllovakia e Hungaria – duke e tërhequr papritur pjesën e saj të aplikimit. Komiteti e quajti këtë vendim si “të paprecedent”. /dw/ KultPlus.com