Dorëzat e babës

Qendresa Loki

Te shpija e babës shkoj ma rrallë
M’shtojnë mërzi dheu e gurt n’oborr
E n’bodrum ka shumë rrjeta merimangash
Ka shumë pluhun
E pak i bjen drita.
Aty, n’dollap ka shumë gjana t’babës
Nana i run.
Nji ditë i shpalosa kutitë
M’bajshin erë dheu
Erë njeriu prej dheut
Baba u kanë puntor
Ka mbajt k’puca e dorëza pune
Nji pal k’puca t’leshta ngjyrë kafe
Trujtuna si me kan’ t’reja
Dorëzat n’formën e dorës babës
I nuhata fort e i shtrëngova
Iu vinte era punë,
Era babë.

( Sot 10 vite, e baba çdo ditë rrnon n’kujtime)/ KultPlus.com

‘Sytë’ dhe Qëndresa sjellin këngën ‘Up in the Air’, si himn për një identitet të ndarë (VIDEO)

Grupi nga Prishtina ‘Sytë’ në bashkëpunim me artisten shqiptare nga Londra, Qëndresa kanë publikuar bashkëpunimin e titulluar ‘Up in the Air’, si adresim i ndjenjës së një identiteti të ndarë, shkruan KultPlus.

‘Up in the Air’ krahas melodisë, ndjenjës së bukur të dashurisë, por thellë dhe një identiteti të gjendur në mes, shoqërohet nga një videoklip që po ashtu është xhiruar i ndarë në disa vende të ndryshme si Prishtina, New York-u e Londra.

Në një prononcim për KultPlus njëri nga anëtarët e grupit ‘Sytë’, Drin Tashi ka treguar se kënga e sapo lansuar ‘Up in the air’ përmban në vetë ndjenjat personale të vokalistes së këtij grupi, Nita Kaja.

“Duke qenë se ka lindur në Shtetet e Bashkuara, por që katër vitet e fundit të jetës së saj i kaloj në Kosovë, Nita Kaja, vokalistja e grupit SYTË, i ka shumë personale ndjenjat për të cilat ajo shkruan në këngën që sapo është lansuar ‘Up in the Air’, e cila vjen si bashkëpunim me këngëtaren nga Londra, Qendresa. Pa ndonjë kontekst, kënga mund të interpretohet lehtë si një këngë për dashuri, por në fakt adreson ndjenjën e një identiteti të ndarë, për të cilën edhe Qendresa e kuptoj duke qenë se edhe ajo është shqiptare e rritur jashtë vendit”, ka thënë ai.

Tutje Tashi ka shtuar se bashkëpunimi për këtë këngë ka filluar si nismë e Qëndresës që në dhjetor të vitit që po lëmë pas, kur kjo e fundit kishte ardhur për një vizitë në Prishtinë.

“Bashkëpunimi së pari filloi si nismë e Qendresës e cila në dhjetor të vitit të kaluar erdhi ne Prishtinë për një koncert, dhe kishte nevojë për instrumentista që ta shoqëronin në skenë. Më pas, shumë shpejtë u kriju një lidhje e fortë mes dy artisteve, dhe rezultoi në realizimin e këngës ‘Up in the Air’”, pohoi për KultPlus Drini.

‘Sytë’ është një grup nga Prishtina që u formua në vitin 2018. Stili i tyre është i vështirë të përcaktohet, megjithëse ndodhet diku midis R&B dhe indie-pop.

Fillimisht grupi u formua nga dyshja Nita Kaja dhe Drin Tashi gjatë një vizite të vokalistes në Prishtinë. Kurse që nga ajo kohë ‘Sytë’ ka evoluar në një grup me katër anëtar, pasi që i janë bashkuar edhe bateristi Granit Havolli dhe basisti Fatlind Ferati.

Ata janë të njohur për performancat e tyre elektrizuese dhe kanë luajtur një numër të madh festivalesh të mirënjohura si Pop Kultur Festival, Sunny Hill Festival dhe Localize Festival. Grupi së fundmi ka publikuar albumin e tyre të parë “Divine Computer”. Suksesi i albumit ka arritur të marrë edhe vëmendjen e disa mediave ndërkombëtare./ KultPlus.com