Qentë ëndërrojnë për njerëzit që i duan

Psikologja e Harvardit, Dr.Deirdre Barret ka thënë se qentë janë të prirë të ëndërrojnë për njerëzit që kujdesen për ta.

Barret, e cili ka studiuar sjelljen e njerëzve në gjumë për vite të tëra, ka thënë se ndonëse nuk mund të dihet 100% se çka ëndërrojnë qentë, këto kafshë kanë cikël të ngjashëm të gjumit sikurse njerëzit, që nënkupton se ato bien ngadalë në një gjumë të rëndë dhe pastaj truri i tyre bëhet joaktiv duke shkuar drejt ëndërrimit.

Sipas saj, në këtë mënyrë edhe njerëzit kalojnë nga gjumi i rëndë, në çaktivizim të trurit e më pas edhe në ëndrra, transmeton KultPlus.

Lidhur me atë se çka mund të ëndërrojnë kafshët, Barret sërish ka si udhëzim njerëzit.

“Njerëzit ëndërrojnë për gjërat e njëjta në të cilat janë të interesuar gjatë ditës, ndonëse më shumë vizualisht dhe më pak logjikisht. Nuk ka arsye të mendohet se kafshët janë ndryshe. Që kur qentë janë të tërhequr nga pronarët e tyre, është e ngjashme që qeni juaj të mendojë për fytyrën, erën, ose rreth asaj se a po të kënaqë apo po të mërzitë”, ka thënë Barret.

Ajo ka shtuar se mënyra më e mirë për t’i dhënë vetës ose fëmijëve ëndrra të mira, është që të kalohet kohë e mirë gjatë ditës dhe të bëhet gjumë i mirë në një mjedis të mirë. Me gjasë, sipas saj, e njëjta vlen edhe për ëndrrat e kafshëve. / KultPlus.com

Qeni

Tregim nga Ibrahim Berisha

I murrmë si një ujk, qeni humbi pasi la zinxhirët e këputur mbështetur për shtëpizën, të cilën ia kishin ndërtuar Boritë shpejt e shpejt në hyrje të oborrit kur ishte këlysh dhe rritej me qumësht të lopës. I murrmë, si ujk, mbas një viti ia shtoi sigurinë familjes muhaxhire nga Repa e Podjevës, e vendosur pesë muaj më parë në Stanoc të Vushtrrisë. Oborri nuk kishte shtrega kashte e as stogje sane, edhe pse vjeshta ishte afër dhe dimri hetohej nga gjethet që bëheshin më të kuqe.

Borive u humbi qeni i murrmë, si një ujk. I pari plaku Aziz, e pastaj edhe dy gratë, rejat, panë zinxhirët e këputur, mbetur si një gjarpër i vrarë, pa kokë, por vetëm me një bisht që të kujton ekzistencën e kahershme të kafshës së rrezikshme.

Qeni i murrmë, si ujk, familjes që erdhi dhe u vendos në një shtëpi të vjetër pa oborr të rrethuar blerë nga kolonistët hercegovas, me ca dërrasa të kalbura, duke qëndruar i lidhur, përveç se ua shtonte sigurinë, ua lehtësonte ankthin dhe vetminë e natës në vend të huaj. Boritëe dilnin natën dhe posa e shihnin qenin afër shtëpizës së ndërtuar me ca kashtë e drurë, e dinin se nuk kishte afër rreziqe.

E shikonin si një mburojë të familjes, në një shtëpi e vend të ri. Por, një natë, kur plaku i Borive shkoi ta luste kafshën më besnike me këlli e ujë, pa se asgjë nuk kishte afër shtëpizës dhe të mbuluar me pluhur e barishte, kishin mbetur vetëm zinxhirët e ndryshkur.

Qeni ka humbur, tha duke alarmuar djemtë, rejat, nipat e mbesat. Të parat dolën dy rejat. U rrah biseda se çfarë kishte mundur të ndodhë me qenin që ishte shembull i kujdesit ndaj shtëpisë dhe i besnikërisë ndaj anëtarëve të familjes Boria. Askush nuk mundi të thoshte ndonjë mendim të prerë lidhur me atë kafshë. U pajtuan se ai kishte disa ditë nuk lehte. Ditën dukej i plogësht dhe hante fare pak.

E ka parandier fundin, tha plaku i Borive, duke u dhënë leje djemëve, rejave e nipave që të shkonin të gjithë të flinin përpara se t’i zinte agimi me bisedën për qenin.

Puna e tij e pat, tha ai i pikëlluar.

Pas një jave, sikur u harrua qeni i murrmë, kafsha e kujdesshme e besnike. Në shtëpizën me kashtë e drurë u vendos një këlysh, i cili jepte parashenja të një kafshe, megjithëse në të parë shtëpiake, të egër dhe të rrezikshme.

Plaku i Borive do të shkonte në Repë për të bërë diç me kashtën dhe sanën, të cilën e la të shkretë në lamën e shtëpisë, atje në kodër të vogël, ku niste oborri i madh.

Plaku do të vonohej së paku tri ditë.

Pas pesë orë rrugë me kalë, ai në një natë të errët arriti në Repë. Shkoi drejt në odën e shtëpisë, ku kishin mbetur edhe ca rraqe, që mund t’i shërbenin ta kalonte natën. Në rrugë, për shkak të gjakut, kishte menduar të hynte në Repë natën dhe pa u vërejtur, të flinte në odën e tij pa drita, jo si një mysafir, por si një njeri eremit.

Më parë la kalin në ahur, e rehatoi, pastaj shkoi në odë. E futi çelësin në bravë dhe aty ndjeu erën, të cilën përkohësisht e kishte humbur dhe me të cilën ishte rritur e plakur. Shtroi pak kashtë dhe pak bar dhe fjeti deri pas mesnatës. Atëherë ndjeu një të lehur, që ia kujtoi zërin e qenit të tij të humbur. Doli jashtë, por e lehura i humbi, derisa hëna ishte plotësisht e shpaluar mbi katund.

Me kujdes, shkoi teposhtë, nga koritat e dhenve dhe pas gurit të kripës. U ul të shihte, se deri kur do të mbetej kaq e verdhë hëna dhe kaq i zi qielli i Repës.

Plaku i Borive herë pas herë bënte lutje dhe disi lehtësohej nga ngarkesa që ia kish shkaktuar këta muajt e fundit borxhi i gjakut që i erdhi në shtëpi. Kish menduar, por nuk mund të merrte vendim – ta falte gjakun, gjaku nuk falej, sepse ai nuk ishte ujë, ndërsa ta merrte gjakun, gjaku nuk merrej, pasi prapë, ai nuk ishte ujë.

Plaku mori vetë vendimin më të rëndë – të lëshonte shtëpinë dhe të ikte sa më larg, për të mos dhënë asnjë shkas të kthimit të krimit brenda familjes së Lokave, që kishin jetuar kaq afër, por që aq papritur u armiqësuan, sa as vdekje e katër plagë, nuk e zbutën afshin për krime të reja.

Plaku derisa po mendonte për fytyrën e djalit të vrarë, pak më poshtë, në arë, duke mos mundur ta ndajë shikimin nga hëna, përnjëherë, ndjeu të lagur në dorë. Ishte një gjuhë e gjatë, e cila me një tërheqje vertikale, i krijoi ngrohtësi.

Qeni, tha, duke dashur ta kapte me dorën tjetër për shpine. Por, nuk ishte qeni dhe asfare kafshe afër. Ishte lagështia e natës, ashtu ende e ngrohtë, që i ngjitej për pjesën e epërme të dorës, e ngjashme me një lëpirje gjuhëkafshe.

Kur po kthehej në odë, një duhmë e rëndë ngordhësire ia mbushi hundët. U mundua ta përcaktonte vendburimin, prej nga vinte ajo duhmë. Plaku i Borive shkoi nga njëra prej dy shtregave dhe, nëpër

dritë të hënës, në një gropë kashte, pa qenin e shtrirë. Gjuhën e kishte jashtë e sytë të hapur që i ndrinin në rrezet e hënës: trupin shtrirë, me një zgjatje harmonike të këmbëve, sikur të ishte përgatitur për fotografi.

E preku kujdesshwm dhe me ofshamwn e mërzisë mbushi zbrazëtinë e oborrit.

Biri im këtu në Repë do të të varros, tha. Në oborrin e shtëpisë sonë. / KultPlus.com

Qeni ec i përlotur në rrugën që e kalonte me ‘gjyshen’ (VIDEO)

E ashtuquajtura “gjyshe” e qenit Jindol ka vdekur, mirëpo qeni vazhdon ta bëjë rrugën që e bënte me të.

Qeni madje edhe nëpër shi e ecë po të njëjtën rrugë që e ecte me gjyshen e vet.

Madje në disa momente familjarët kishin provuar ta ndalonin që të mos ecte nëpër atë rrugë në kohëra të këqija, por ai do ta gjente një mënyrë për të ikur.

Jindol dhe gruaja plakë kishin qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe këtë e vërteton vetë videoja më poshtë./klan/ KultPlus.com

Qeni del në rrugë dhe ndalon një veturë për t’ia shpëtuar jetën pronares (VIDEO)

Një qen në Ottawa të Kanadasë ka kërkuar ndihmë për pronaren e tij, në një incident heroik i cili është kapur nga kamerat e sigurisë së një fqinji.

Gruaja po ecte me qenin e saj një vjeçar të quajtur Clover, kur pësoi një krizë me shëndetin duke rënë përtokë, shkruan ABC7, transmeton KultPlus.

Mirëpo, qeni i mençur pasi kontrollon fillimisht pronaren e tij, lirohet nga zinxhiri dhe del në rrugë për të ndaluar një veturë që do ta ndihmonte gruan.

Vozitësi i veturës është ndalur dhe ka ndihmuar gruan  ndërkohë që ajo tashmë ndjehet mirë dhe është falënderuese ndaj qenit i cili arriti t’ia shpëtonte jetën. / KultPlus.com

Qeni endacak vizitonte përditë dyqanin e Hyundait, birësohet dhe fiton një vend pune

Këmbëngulja ua bën vendin e punës. Sidomos, kjo vërehet tek njerëzit.

Kjo ndodhi edhe në Brazil. Një qen, i gjeti vetes një punë e madje u birësua vetëm duke u shfaqur çdo ditë në dyqanet e Hyundait.

Në fillim të këtij viti, stafi i një pike të Hyundait në Brazil, çdo ditë takonte një qen para derës. Fillimit, menduan se ishte diçka e përkohshme, por qenushi, së shpejti do të bëhej miku i tyre i përditshëm.

Me kalimin e kohës, kjo u bë e dukshme – qeni e vizitonte lokalin përditë.

Pronari i kësaj pike vendosi ta punësoj qenin. Madje, i dha edhe kartën e identitetit. Kjo është zemra e madhe e njerëzve!

Në muajin maj, atë e birësuan dhe historia e tij nisi të bëhej virale në rrjetet sociale në fillim të kësaj jave, kur pika zyrtare e Hyundait në Brazil publikoi imazhet e para të qenit në llogarinë e tyre në Instagram. /koha/ KultPlus.com