Në Galerinë e Arteve të Tiranës (GAT) u çel ekspozita e skulptores Mira Kuçuku.
Ekspozita vjen me punime të larmishme, të cilat kanë mbushur sallat e GAT-it.
Mira Kuçuku nuk i ka vënë një emër ekspozitës, e cila është një përmbledhje e punimeve të viteve të fundit, por e quan thjeshtë “Qeramika e Mirës”, duke ia kushtuar atë 3 mbesave të saj.
“Për mua është ekspozita e parë private në vend, pas disa ekspozitave të tilla në Paris, Bordo, Holandë, Danimarke, Venecia e Prishtinë”, tha Mira Kuçuku për ATSH-në.
Teknika që mbizotëron në krijimet e Mirës është teknika japoneze “raku”, me të cilën është njohur jashtë vendit.
Ardian Devolli, kuratori i ekspozitës, shprehet se, “kemi të bëjmë me një artiste që spikat për nga origjinaliteti, forca krijuese, njohja e teknikave të qeramikës, teknologjisë së materialit etj”.
Vetë artistja e sheh qeramikën si grua: “Në përkëdheljet me zjarrin përvëlues, ajo forcohet dhe të befason, me të papriturat e saj, si një grua tekanjoze dhe kthehet më e bukur dhe vezulluese”.
Ekspozita “Qeramika e Mirës” do të qëndrojë e hapur për publikun, në Galerinë GAT, deri më 30 prill./atsh/KultPlus.com







