Djali i patriotit të njohur shqiptar Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu, Qerim Haxhiu lindi në Lushnjë më 7 shkurt 1920.
Shkollën fillore e kreu në Lushnje ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës dhe studimet e larta i vazhdoi për teologji (shkenca islame) në universitetin “Al-Azhar” në Kairo, Egjypt.
Ai në vitet ‘30 u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit ‘Kongresi i Lushnjes’ i qytetit të Lushnjës. Qerimi ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjar dhe i pari që nisi “rrugën” e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjar dhe atë shqiptarë “Haxhiu”.
Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri. Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.
Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt, por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike. Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta, revista të Diasporës shqiptare të Egjiptit gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet. Haxhiu ka qenë nismëtar i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve, peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare. Në 7 prill 1939 kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte njëri prej studentëve shqiptarë organizator të protestave në Kairo. Në vitin 1958 Tito do të vizitonte Naserin në Egjypt dhe këtij të fundit Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në përmbajtjen e Memorandumit jepeshin të dhëna mbi golgothën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanë nuk jetojnë vetëm në Bosnje, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë. Memorandumi megjithëse iu drejtua Naserit nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit por memorandumi u dorëzua në Ambasadën Jugosllave. Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej, gjithmonë përkohësisht kur Tito do të vizitonte Egjiptin.
Në 9 korrik 1941 Qerimi do të shkruante poezinë “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare në Kairo të Egjiptit e cila u kthye në një “shtëpi” për shqiptarët atje pas pushtimit të Shqipërisë nga italia fashiste. Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohur shqiptare që emigruan në Egjipt, ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut, Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë. Ai ishte antikomunist i flakët, demokratë dhe nacionalist i madh.
Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951), mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e tij, gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit, në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt. Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për Diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.
Qerimi edhe në Egjipt gjatë gjithë jetës qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë është shprehur: – “ Unë kudo që të shkoj, kërkoj shqiptarë, sepse pa ta dita nuk më shkon”. Qerimi ka takuar edhe Mbretin e Egjiptit me origjinë shqiptare Faruk njëherë në një iftar që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare. Ai në Kairo ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptarë ndër të cilët janë: Mbreti Zog I dhe Familja Mbretërore Shqiptare (Mbretëreshën Geraldina, Princin Leka I, Skënder Zogu), Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Nexhmedin Qorraliu, Qemal Butka, Aleksandër Meksi, etj. Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri, Qerimi mbajti lidhje miqësore dhe kjo ishte vazhdimësi e një miqësie të vjetër që fillesat i ka në 1920 në Kongresin e Lushnjes e babait të Qerimit nismëtarit të Kongresit Bajram Haxhiu me delegatin e Matit Ahmet Zogun. Haxhiu e vizitonte shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare në residencën e saj në Aleksandri. Gjithashtu gjatë stinës së verës Qerimi qëndronte në residencën e Familjes Mbretërore Shqiptare, ku i mësonte dhe gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog. Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë. Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e Shqiptarëve në Kairo. Gjithashtu ai ka dhënë edhe leksione 3 herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kairos. Në vitin 1967 gati pas 3 dekadash u nis me anë të një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun Shqipërinë që pas vajtjes me studime në Egjipt në 1938. Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe, ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij aktivisti i shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu. Një moment prekës të kësaj vizite atdhetari nuk e harroi asnjëherë për të cilin ka treguar se: – “ Nga Tirana deri në Lushnje nuk kam pushuar së qari. Kur arrita në Lushnje oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz. U takova me të gjithë me shumë mall. Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu),ai posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj ngase njëzet e nëntë vjet nuk më kishte parë! Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë ”.
Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj.Shukrane me origjine nga Prishtina por me vendbanim në Kairo, vajza e Dr.Shyqyri Çupishti i cili ishte kirurg dhe Drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-1935.Qerimi ka lënë dy fëmijë nje djalë dhe një vajzë. Djali Iliri me profesion Farmacist dhe punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë ndërsa vajza Dhurata, Doktore e Shkencave të Kimisë, Profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë. Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kairos ndërsa Dhurata në atë Amerikan. Femijët e Qerimit jo vetëm gjuhën shqipe që ua mësoi i ati dhe që e flasin qartë dhe rrjedhshëm,por ata njohin edhe disa gjuhë të huaja.
Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Egjipt ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj. Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo, me origjinë nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për cështjet atdhetare. Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip, turqisht, italisht, anglisht, frëngjisht, etj. Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar Haxhiu ishin ata që tregonin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në disa prej rafteve të Bibliotekës së madhe të Qerimit qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij i cili ishte “Homeri Shqiptar” Gjergj Fishta. Librat e Fishtës e kthenin shpesh herë me mëndje e zemër në atdhe por pa harruar edhe një nga pikturat e veçanta për të ajo e Guri Madhi-t që pasqyronte atdheun që Qerim aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare.
Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe, në Shqipëri. Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare. Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit. Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.
Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”- Autor, Emin Azemi, Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup. Në Gazetën Illyria,1209, 21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar është publikuar një shkrim për atdhetarin e madh Qerim Haxhiu.Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare, zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët, ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël, bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”. / KultPlus.com