Flonja Haxhaj
Mbrëmë në menzën ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë është promovuar fjalori ‘Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave’ nga Qerim Ondozi dhe që sjell një përshkrim sa interesant aq edhe argëtues të kontekstit gjuhësor dhe shoqëror në Kosovë gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, përcjell KultPlus.
Në këtë fjalor janë të paraqitura për çdo shkronjë fjalët që mund të kemi hasur më shumë gjatë këtyre viteve me theks tek fjalët ‘katastrofë’, ‘situata’, ‘paralufta’, ‘paslufta’, etj.
Për të bërë më të veçantë prezantimin e këtij fjalori, Ondozi ka përgatitur një lloj skeçi i cili u luajt nga aktorët Alketa Sylaj dhe Tristan Halilaj, të cilët lexuan disa nga pjesët e librit.
Autori i librit, Qerim Ondozi, tha për KultPlus se ideja e librit ka ardhë si një vazhdimësi e procesit të të menduarit dhe në përgjithësi të bashkëpunimit që ka pasur me ilustruesin e librit, Driton Selmani.
“Kemi ardhë me një ide për të bërë një përzgjedhje arbitrare të fjalëve për të dhënë një përshkrim të kontestit gjuhësor, linguistik dhe shoqëror në përgjithësi të Kosovës, gjatë pesëdhjetëve të fundit. Po ashtu, kemi dashur ta bëjmë një imitim të fjalorëve tradicional, duke e bërë një fjalor me fjalë të përzgjedhura të cilat vërtetë e shënojnë historinë e fundit të Kosovës”, thotë Ondozi.
Sipas tij, përzgjedhja është gjithmonë arbitrare dhe autoriale, për arsye se ka hapësirë edhe për qindra fjalë të tjera por që ka pasur konkurrencë. Ai pohon se ka pasur edhe garë mes fjalëve.
“Ne kemi punuar në libër për më shumë se një vit dhe ka qenë një proces në vazhdimësi i diskutimit derisa kemi ardhur tek momenti i konkretizimit. Unë në libër, kam filluar me situatën sepse gjithmonë më ka lënë përshtypje kur në vitet e 90-ta, unë kam qenë fëmijë dhe shpeshherë është përmend situata. Ka qenë si një fantazmë e cila ka ngërthyer në vete, shumë gjëra dhe mua më la përshtypje se si një fjalë përdoret aq shumë. Situata i ka ftuar edhe fjalët e tjera që të jenë pjesë e ‘valles’.”, shtoi Ondozi i cili mes tjerash tha se gjuha është shtëpia e qenies dhe ne realisht jetojmë me të.
Në përshkrimin që jepet në libër, thuhet se një ndër fjalët më të përdorura në Kosovë në pesëdhjetë vitëshin e fundit është ‘katastrofë’.
“Nëse katastrofën e kemi në majë të gjuhës, unë besoj që jemi duke e prodhuar atë”, shtoi për fund Ondozi.
Ndërkaq ilustruesi i librit, Dardan Selmani thotë se ky libër ka filluar të shkruhet në kohën kur ai ka filluar të zbulojë që ka shumë pasuri brenda një fjale të vetme. Ai thotë se bashkëpunimi me Qerim Ondozit ka rrjedhë krejt natyrshëm dhe çdo mëngjes kanë kaluar një orë duke folur për kuptimet e fjalëve.
“Jemi inspiruar të dy së bashku, ndoshta edhe Qerimi prej meje, ngaqë unë e kam bërë një tentativë të vogël në një botim të vitit të kaluar, andaj edhe kjo ka qenë baza. Me kënaqësi e them se është e fuqishme sepse e kam bërë me një shok shumë të afërt që punojmë shpesh bashkë. Është njëfarë ironie përbrenda që e tregon se si është të jesh kosovar brenda njëzet viteve”, thotë Selmani për KultPlus.
Sipas tij, është njëfarë doze e humorit përbrenda librit. Ai ka zbuluar kuptimin e fjalës ‘xyth’, dhe në atë moment ka vendosur që është shumë pak, që t’i kushtohen vetëm dy faqe.
“Fjala ‘xyth’, ka tri shkronja që serbfolësit nuk munden me i shqiptu dhe në fakt ka qenë emri i shumë shqiptarëve gjatë të 90-ta. Ka qenë si një revoltë kur policët i kanë pyetur se si e kanë emrin, dhe ata janë përgjigjur me ‘xyth’, dhe e ka lënë të lirë të shkoj në shtëpi. Është me rëndësi, deri ku ka arritur që të hyjë rezistenca. Jam shumë i emocionuar kur flas për këtë fjalë dhe e kuptoj shumë mirë pozicionin ndaj kësaj rezistence”, shtoi mes tjerash artisti Driton Selmani.
Ju kujtojmë që fjalori ‘Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave’, është një fjalor i ilustruar që bashkon disa nga fjalët dhe shprehjet më të (keq)përdorura kosovare në 50 vitet e fundit, që i japin ngjyrë historisë së re të Kosovës, e që formësuan të kaluarën tonë dhe vazhdojnë të formësojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Ky projekt është realizuar në kuadër të platformës Heritage Space e cila implementohet nga CHWB Kosova dhe financohet nga Qeveria Suedeze dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./ KultPlus.com