Yjet Saimir Pirgu & Marigona Qerkezi i sjellin Kosovës koncert operistik të nivelit botëror

Vjollca Duraku
Fotografitë: Arben Llapashtica & MKRS

Të martën mbrëma, në Kosovë u mundësua një operë e nivelit botëror falë bijëve të saj të cilët si asnjëherë më parë e nderuan skenën e vendit të tyre, i cili institucionin më të lartë të kulturës, Operën e Kosovës, e ka në hapat e parë të ngritjes, shkruan KultPlus. Saimir Pirgu- tenor shqiptar, një nga më të vlerësuarit e kohës në skenat ndërkombëtare ishte protagonisti i mbrëmjes, ku përveç interpretimit ka lansuar edhe albumin e tij “Saimir”, ndërkaq artistja tjetër e përmasave ndërkombëtare gjithashtu, sopranoja Marigona Qerkezi ka qenë një prezencë e fuqishme që i dha Prishtinës shkëlqimin e një qyteti me traditë të lartë kulturore.

Në këtë mbrëmje të rrallë artistike, dukej sikurse teatrot dhe skenat prestigjioze botërore po ia kthenin Kosovës një borxh, përmes të cilit falë margaritarëve shqiptarë kanë arritur të qëndrojnë në piedestal dhe  në themele të sigurta. Një Gala Koncert të tillë publiku shqiptar e kishte pritur gjatë, kjo vërehej në fytyrat e qeshura të publikut i cili kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë. Ulëset shtoheshin vazhdimisht deri në fillim të koncertit, entuziazmi sa vinte e shtohej, dhe zemra rrihte plotë emocion për këtë art të jashtëzakonshëm, që do të rrjedhte nga një esencë dhe dell shqiptar.

Orkestra e Operës së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro fillimisht dha një pikë interpretuese me dinamikë të madhe. Kjo energji në epiqendër të së cilës gjendej profesionistja Laro, që bashkë me lëvizjet e fuqishme të trupit të saj shkundtte me themel çdo ndjenjë apo emocion të ultë të çdo njërit që gjendej në sallën tonë tejet modeste, duke sjellë ndjenja admirimi dhe krenarie të lartë.

Paraqitja në sallë e tenorit të shquar Saimir Pirgu paraqiste një moment historik për Operën e Kosovës, i cili sa hapa që hidhte drejt skenës i shtonte një tullë kalasë në ndërtim e sipër të bashkëkombasve të tij. Me veprën e Georges Bizet- “Opera Carmen” (Aria “La fleur que tu m’avais jetée”)  nisi mbrëmja e tij artistike ku përmes zërit të fuqishëm, të pasur dhe emocionues shkrinte vetëm dashuri në zemrat e audiencës. Një autoritet që vetëm me prezencën e tij dëshmonte interpretimet në skenat më të njohura të kohës si ato të: Operës Metropolitane në Neë York, Teatrin La Scala në Milano dhe Operën Mbretërore të Londrës.

Me veprën e Francesco Cilea – “Opera Adriana Lecouvreur” (Aria “lo son l’umile ancella”) po vinte ngadalë Marigona jonë e çmuar, e cila sikurse simotra e saj matanë kufirit, në një kohë më moderne tingull më tingull po qëndiste dhe e ngriste lartë flamurin e Operës së Kosovës. Me një fizik prej dive, veshur në të kuqe, plotë zjarr e pasion shpërthyese në çdo interpretim, sopranos Qerkezi  i m’vishej  një siluetë hyjnore, përmes së cilës kishte arritur të duartrokitej ngrohtësisht nga publiku i skenave prestigjioze si në: “La Fenice” në Venecia, “Gran Teatre del Lieceu” në Barcelonë, “Opera Royal de ëallonie Liege” dhe në Shtëpinë e Operës në Dubai.

Veprat të cilat u interpretuan herë nga njëri e herë nga tjetri qenë ato të: Pyotr Ilyich Tchaikovsky- “Opera Eugen Onegin” (Aria “Kuda, kuda kuda vy udallilis), Giacomo Puccini- “Opera Madam Butterfly” (Aria “Un bel di vedremo), Pietro Mascagni- “Opera Cavalleria Rusticana, Intermezzo”, Giacomo Puccini- “Opera Manon Lescaut” (Intermezo), “Opera Tosca” (Vissi d’arte), Aria: (E Lucevan le stelle)dhe “Opera LaBohème” (O soave fanciulla) e cila dëshmonte kapacitetin e artistëve edhe në aktrim, ku me plotë takt e elegancë prezantonin rolin e historisë së dy të dashuruarve parisienë.

Kurse, veprat e Feim Ibrahimit- “Unë biri yt Kosovë” interpetuar nga sopranoja Qerkezi, Limoz Dizdarit “Fjalët e qiririt” interpretuar nga Simir Pirgu dhe ajo e Prenk Jakovës “Kto lule të bukura mali” në interpretim të përbashkët u ndjenë padiskutim më fuqishëm nga ky repertor me kryevepra botërore.


Ndërkaq, një kulmim i paparë i mbrëmjes u arrit kur maestro i skenës operistike, Simir Pirgu, në skenë i ftoi edhe kolegët e tij artistë për të performuar së bashku. Me ftesën e tij skenës iu bashkangjit edhe Ramë Lahaj, Flaka Goranci, nëna e Marigona Qerkezit, Merita Juniku, Jeta Çitaku, Zana Ramadani dhe Harris Bajraktari për të interpretuar veprën “Unë biri yt Kosovë” dhe për ta shëndrruar atë në himn të institucionit. Sikurse vargjet “Unë biri yt Kosovë, ta di gjakun të të vlon në gji” vlonte gjakun në dejet e artistëve dhe gjithë publikut me emocione të përziera, të dominuar nga krenaria për gjithë atë kapacitet artistik shqiptar.

Nuk kishte se si të mungonte edhe kryevepra “La Traviata”, e cila skenës në këto momente po i jepte madhështi të paparë. Improvizimi i aty për atyshëm nga ana e artistëve jepte emocione kulmore, me të cilat audienca do të shoqërohet për gjatë kohë.

Pas Gala Koncertit të Operës së Kosovës, në një prononcim për KultPlus, tenori Saimir Pirgu është shprehur i kënaqur me reagimin e publikut, duke e cilësuar si nderë të veçantë interpretimin e tij para bashkëkombasve.

“Unë jam tepër i kënaqur. Jam këtu për herë të parë. Ishte një publik i shkëlqyer, një publik që meriton shumë, një publik që e tregoi dashurinë për artin, kulturën, e shprehu me gjithë këto herë që u ngrit në këmbë për ne, për mua, për Marigonën, për Shqipërinë dhe për Orkestrën e Kosovës. Është nder për mua që të kem vënë një gur në këtë vend në këtë teatër, në kombin tim.  Nuk ka rëndësi se ku bëhet art. Arti bëhet kudo, mjafton zemra, zëri, muzika, kutura dhe ajo është gjëja më kryesore. Këto elemente na bëjnë ne komb, gjë që na bën të njihemi midis të tjerëve”, është shprehur Saimir Pirgu duke mos dashur të potencojë kushtet jo adekuarte të interpretimit.

Kurse, sopranoja Marigona Qerkezi ka thënë se interpetimi përkrah tenorit Pirgu për të përbënte kënaqësi të dyfishtë ngaqë u interpretuan edhe perla shqipe para njerëzve me të cilët ajo ishte rritur.

“Ishte mbrëmje magjike. Me të vërtetë, publiku u kënaq, ne u kënaqëm jashtëzakonisht shumë. Ishte një privilegj që në Kosovë të interpretoj një emër si Saimir Pirgu. Kisha nderin edhe ta ndaja koncertin me të. Është një emocion i veçantë të bashkëpunosh më në fund me Operën e Kosovës, pas një rrugëtimi disa vjeçar nëpër vende të ndryshme. Është një emocion i veçantë të këndosh për vendin tënd dhe të shohësh fytyrat të cilat i njeh dhe të kanë njohur prej një moshe shumë të vogël. Ishte një kënaqësi t’i ofrosh këtij publiku jo vetëm perla të repertorit operistik ndërkombëtar por edhe perla shqiptare të cilat janë jashtëzakonisht të bukura. Unë zakonisht i performoj jashtë. Kësaj radhe ishte emocion i dyfishtë që t’i performoja në vendin tim, për njerëzit e mi”, ka thënë sopranoja Qerkezi.

Sopranoja Qerkezi ka thënë se me një zemër plotë kanë dhënë maksimumin për të arritur të sjellin një koncert si ai i natës së mbrëmshme.

“Ishte një rikthim me të vërtetë me zemër plotë. Mezi kam pritur ta pranoj ftesën. U koordinuan jashtëzakonisht mirë edhe detajet organizative dhe të agjendës. Një ftesë të tillë për të ndarë mbrëmjen me Saimirin është vështirë ta refuzosh. Kështuqë, me një zemër plotë e bëmë të pamundurën dhe jam shumë, shumë e lumtur që një emër i tillë vjen në Kosovë, pavarësisht të gjitha elementeve të cilat nuk janë thjeshtë elemente, janë vitale por që i dijmë, dhe ndau shpirtin e tij gjigand botëror bashk me ne këtu sonte. Ishte me të vërtetë një mbrëmje e jashtëzakonshme dhe jam shumë e lumtur që jam këtu”, ka thënë sopranoja Qerkezi.

Kurse, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, Gala Koncertin e mbrëmshëm e ka quajtur një festë të madhe për fundvit, në të cilën tenori Pirgu dhe sopranoja Qerkezi hodhën një gur në themelet e këtij institucioni.

“Për fat të mirë ka shkuar gjithçka shumë mirë, e kemi pritur një kohë të gjatë. I falënderojmë artistët që e kanë pranuar ftesën, dhe kanë gjetur kohë të vijnë në Kosovë pasi kanë një agjendë shumë të ngarkuar. I falënderoj për këtë kontribut të tyre duke ia vënë edhe një gurëthemel Operës së Kosovës. Ishim pak të stresuar për shkak të kushteve, pasiqë artistëve të nivelit të tillë u duhen kushte më të mira akustike.  Për ne sfidë paraqiste salla si një vend i vogël me karrige pak, sepse interesimi ka qenë shumë i madh. Por, na gëzoi fakti që bashkëpunimi me ta ka qenë shumë i mirë, që nga dita e parë kur e kemi bërë ftesën e deri sot. Janë ndarë të kënaqur me pritjen, me orkestrën, dhe me nivelin që ka krijuar tashmë Orkestra e Operës së Kosovës. Ishte një festë për festat e fundvitit”, ka thënë drejtori Ferizi.

Ndërsa, dirigjentja Elda Laro ka falënderuar stafin e Operës së Kosovës për mirëpritjen dhe ngrohtësinë që iu kishin ofruar, si dhe gjithë popullin e Kosovës.

“Jam shumë e lumtur që koncerti vajti në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe u prit shumë mirë edhe nga publiku i Kosovës. Pash që interpretuan edhe disa artistë të tjerë shqiptarë dhe jam shumë e lumtur. Kemi pasur dy yje që janë të çmuar në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Ky ka qenë një privilegj shumë i madh edhe për mua që i kam dirigjuar dy këngëtarë të tillë. Edhe bashkëpunimi me Orkestrën e Operës më ka dhënë një eksperiencë shumë të madhe, pasi të rikthehesh të punosh edhe me të rinjë që janë fillestarë, të kujtojnë fillimin tonë, kohën kur kemi filluar edhe ne. Kështuqë, ka qenë një eksperiencë që do ngeli në zemrën time. Jam shumë e lumtur se si kanë reaguar sonte të gjithë orkestralët, janë me të vërtetë artistë shumë të mirë dhe jam shumë e lumtur. I falënderoj të gjithë pjesëtarët e Operës. I falënderoj edhe kosovarët sepse me të vërtetë i dua shumë, shumë, shumë”, ka thënë dirigjentja Laro.

Ndërkaq, violistja Entela Qarkagjija ka thënë se bashkëpunimi me dy yje të skenës botërore siç janë Saimir Pirgu dhe Marigona Qerkezi për të personalisht përbën një përvojë të jashtëzakonshme, të papërjetuar më parë.

“Ishte një përvojë e jashtëzakonshme të punosh me artistë të nivelit ndërkombëtar. Duke pasur mungesë të një salle koncertale adekuate, ishte shumë e vështirë që të përshtatemi me akustikën. Por ja dolëm, gjithçka shkoi në mënyrë profesionale në fund, ashtu siç dijnë profesionistët e vërtetë të punojnë dhe të sjellin art në këto kushte. Ishte një arritje përfundimtare e suksesshme”, ka përfunduar Qarkagjija./ KultPlus.com

Sopranoja Marigona Qerkezi së shpejti me performancë në Brazil

Sopranoja e njohur shqiptare, Marigona Qerkezi, së fundmi ka njoftuar se do të interpretojë në Brazil, në teatrin “Municipal” të Sao Paulos.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ajo është shprehur tejet e lumtur për këtë performancë të saj, që do të mbahet në një teatër madhështor si ai i ‘Municipal’.

“Shumë e lumtur të jem në Brazil në Teatrin e mrekullueshëm Municipal të São Paulo për shfaqjet e ardhshme të operas ‘Nabucco’. Mezi po pres të sjell këtë operë të jashtëzakonshme në këtë teatër kaq madhështor”, ka shkruar Sopranoja Qerkezi./ KultPlus.com

Sopranoja Qerkezi me rol në operën e Verdit në ngjarjen kryesore kulturore të Finlandës

Sopranoja shqiptare e njohur në botë, Marigona Qerkezi, ka bërë të ditur se përgjatë muajit korrik do të performoj në Festivalin prestigjioz të Operas “Savonlinna” në Finlandë.

“Për shkak të një ndryshimi, jam e emocionuar të njoftoj se do të performoj si Abigaille në Nabucco të Giuseppe Verdit në një prodhim të ri në Festivalin prestigjioz të Operas Savonlinna në të gjitha datat: 6, 8, 11, 16, 19, 22, 24, dhe 26 korrik”, ka njoftuar sopranoja Qerkezi e cila këtë rol e interpreton për herë të parë.

“Nabucco” i Giuseppe Verdit tregon historinë e një mbreti babilonas që pushtoi Jerusalemin dhe dërgoi popullin hebre në mërgim.

Kurse festivali prestigjioz i Operas “Savonlinna”, në të cilin do të interpretoj Qerkezi njihet si ngjarja kryesore kulturore e Finlandës, e cila arrin të mbledh rreth 70.000 vizitorë.

Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi me debutim në ShBA: Jam shumë e lumtur

Sopranoja e njohur Marigona Qerkezi është duke bërë prova intensive për një debutim të trefishtë në teatrin Palm Beach Opera, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kryeveprën “Norma” nga kompozitori Vincenzo Bellini, shkruan KultPlus.

Sopranoja Qerkezi ka deklaruar se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur për një rol aq madhështor dhe sfidues njëkohësisht.

“Të dashur miq, ju përshëndes ngrohtësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku këto javë jemi duke i realizuar provat intenzive për kryeveprën “#Norma” të kompozitorit Vincenzo Bellini.

Ky do të jetë debutim operistik i trefishtë për mua :

në SHBA, në teatrin Palm Beach Opera si dhe në rolin e protagonistes Norma, një rol kaq madhështor dhe shumë sfidues. Jam shumë e lumtur”, ka shkruar Qerkezi./KultPlus.com