Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës.
“Prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë. Objektet fetare e kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe ato nuk mund të tjetërsohen. Ato i takojnë shtetit të Kosovës, qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për pasurinë e Kosovës përgjigjen qytetarët dhe institucionet e saj”, thuhet në reagim.
Përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare përfshirë edhe UNESCO-n janë legjitime dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i përmbushë kërkesat e saj, në pajtim me legjitimitetin ndërkombëtar të pranuar nga më shumë se 110 shtete të botës dhe në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë.
Pengesat e rrugës së Kosovës për pranim ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, që vazhdojnë t’i bëhen nga Serbia, janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë./ KultPlus.com