Shoqata e Gastronomëve bën thirrje për protestë: Kësaj radhe nuk do të ketë mirëkuptim

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka njoftuar se më datë 25 të këtij muaji do të mbyllin bizneset për një kohë të caktuar dhe do të shkojnë para Qeverisë e Parlamentit të Kosovës për të dorëzuar kuponat fiskal, përcjellë KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Petrit Kllokoqi përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku është shprehur tejet i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, duke potencuar se kësaj të fundit nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë dhe se krejt çfarë kërkuan nga Shoqata e Gastronomëve ka qenë ‘MBIJETESA’.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Kllokoqit

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës

SHGK: Shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë, ne kërkuam vetëm mbijetesë

Edhe një herë u cenua e drejta e biznesit në Kosovë.
Edhe një herë shteti tregoi që nuk i intereson mirëqenia e asnjë punëtori në Kosovë.

Papunësia vetëm në pandemi shënoi rritje prej 30%, e mos të flasim për gjendjen normale që gjithnjë ka qenë katastrofale. E mos të flasim as për humbjet enorme të bizneseve.

Nuk kërkuam asgjë më tepër se sa MBIJETESË.

Vazhdimisht kërkuam që ky orar të rritet, gjithnjë duke i respektuar të gjitha masat.

Kërkuam edhe një njoftim se si të punojmë brenda lokaleve tona pasi që jemi në prag të vjeshtës.

Thirrjet tona për kryeministrin, qeverinë e parlamentin po duket të jenë të kota.

Jemi shteti i vetëm në botë që skemi as plan, e as mbështetje për krizën e thellë, kemi vetëm retorikë boshe …

Herën e fundit kur Shoqata paralajmëroi dhe mbajti protestë, Policia e Kosoves me urdhër të Kryeministrit, na lejuan vetëm 7 minuta aktivitet, ne e mirëkuptuam Policinë, nuk donim arrestime e as përkeqësim të situatës, e as situata të palakmushme në mes Policisë dhe Gastronomeve. Respektuam çdo urdhër e vendim që na u dha.

Këtë radhë nuk do të kemi mirëkuptim, sepse mirëkuptim për ne nuk pat as edhe një moment. Ne duam të jemi përgjegjës ndaj punonjësve tanë, familjeve tyre dhe familjeve tona.

Fatkeqësisht më të lehtë dhe më të përballueshme e kemi të kalojmë kohë në qeli sesa të shohim shkatërrimin e asaj që ndërtuam me shumë mund. Ne nuk na ka mbetur asnjë alternativë tjetër, po na e cënoni ekzistencën, më keq se kaq nuk ka.

I bëjmë thirrje të gjithë gastronomëve të Republikes së Kosovës që me datën 25.09.2020 nga ora 14:00-15:00 të mbyllin bizneset e tyre dhe të na bashkangjiten në ora 14:00 para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës që të dorëzojmë kuponat fiskal!

Atë që virusi po ua shkakton njerëzve, ju po ia shkaktoni Gastronomisë së Kosovës. / KultPlus.com

Objekti i Qeverisë së Kosovës mbulohet me flamurin e SHBA-së, në përkujtim të 11 shtatorit (VIDEO)

Në kujtim të viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit, objekti i Qeverisë së Kosovë është mbuluar me flamurin amerikan.

Këtë e njoftoi kryeministri, Avdullah Hoti përmes një videoje të postuar në llogarinë e tij në Facebook.

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/videos/1263746133963220/

Në vitin 2001, më 11 shtator, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga një sulm terrorist i paparamenduar më parë.

Dy aeroplanë me udhëtarë u rrëmbyen nga terroristë dhe sulmuan Kullat Binjake në Nju-Jork. Menjëherë pas sulmit, një grup terrorist i njohur si Al-Kaeda, mori përgjegjësinë e sulmit të kryer.

Ky grup terrorist udhëhiqej nga lideri i tyre, Osama Bin Laden. Ky i fundit u vra nga njësite speciale të SHBA’së nën udhëheqjen e administratës së presidentit Barack Obama në vitin 2011.

Nga viti 2001, 11 shtatori kujtohet nga e gjithë bota si dita më tragjike që i ndodhi SHBA’së. Në mesin e shteteve që sot u solidarizuan me SHBA’të, është edhe Kosova, shteti më pro-amerikan në planet. / KultPlus.com

Qeveria kërkesë zyrtare kompanisë Apple, i kërkon t’i njohë kufijtë e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një letre i është drejtuar drejtorit ekzekutiv të Apple, Tim Cook, duke kërkuar edhe zyrtarisht nga ai, përfshirjen e Kosovës në hartën e Apple.

Siç ka bërë të ditur vetë ministrja, me një letër të tillë ajo i është drejtuar Apple më 23 korrik, ku ka kërkuar ndërmarrjen e shpejtë të hapave për të “prezantuar me korrektësi Kosovën me kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht në shërbimin e AppleMaps”.

Në letrën e saj, Haradinaj-Stublla ka përmendur faktin se pavarësia e Kosovës në kufijtë e saj është e njohur nga mbi dy të tretat e vendeve të botës, përfshirë vende si SHBA, Britania e Madhe, Japonia, Gjermani, Franca, Kanadaja,… si dhe anëtarësimin në institucionet prestigjioze botërore si Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe jo vetëm.

“Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në një opinion këshillëdhënës erdhi në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla, duke kujtuar edhe faktin se platforma si Linkedln, Twitter, Facebook dhe Spotify kanë përditësuar platformat e tyre duke prezantuar Republikën e Kosovës si një vend të pavarur.

Ndryshe, ditë më parë këngëtarja e njohur britanike me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, shkaktoi një varg reagimesh në rrjetet sociale, pasi, fillimisht, e ftoi kompaninë Apple nga profili i saj në Instagram që ta vendosë Kosovën në hartë, ndërsa më pas postoi në Instagram dhe Twitter një fotografi të hartës së “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin “autochthonous“ (autokton).

Një veprim i saj madje ka nxitur reagime nga përdoruesit e rrjeteve sociale në Serbi.

Ndërkohë edhe këngëtarja tjetër britanike me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka kërkuar nga Apple që ta përfshijë Kosovën në hartat e saj.

Aktualisht, kufijtë e Kosovës në hartën e kësaj kompanie janë vizatuar me ngjyrë të kuqe të zbehtë, ndryshe nga vendet e tjera që ndahen me një ngjyrë të ndritshme dhe një linjë e trashë./ KultPlus.com

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës mbulohet me flamur

Ndërtesa e Qeverisë sot ka marrë një pamje shumë të bukur. Përgjatë saj është lëshuar flamuri shtetëror i Kosovës duke i dhënë ndërtesës një pamje mjaftë të bukur, shkruan KultPlus.

Gjithë kjo është realizuar në kuadër të 10-të vjetorit të Pavarësisë. Kurse zbukurimet kanë filluar edhe në pjesë të tjera të qytetit në Prishtinë por edhe qytete të tjera në shënim të kësaj ditë të rëndësishme./KulPlus.com