Mali me Gropa, fenomeni i rrallë në Shqipëri

Mali me Gropa është një nga fenomenet e rralla të karstit në Shqipëri dhe një ndër më të rrallët dhe në Europë, për nga përmasat dhe shtrirja. Emrin ky mal e ka marrë nga sipërfaqja e sipërme e tij, që është e mbushur me gropa karstike, që janë formuar nga tretja e gurit gëlqëror në epokën e akullnajave.

Është ndër zonat më të reja të shpallura në mbrojtje nga Qeveria Shqiptare. Kjo zonë kufizohet ngushtë me Parkun Kombëtar të Dajtit (të zgjeruar), nga veriperëndimi i saj, dhe është, gjithashtu, ekologjikisht e lidhur ngushtë edhe me pellgun e Bovillës dhe Parkun Kombëtar të Qafështamës, që ndodhen më në veriperëndim, duke qenë vazhdim natyror i njëri-tjetrit.

Këto gropa kanë një thellësi që shkon nga disa dhjetëra metra, deri në mbi 100 metra në zona të caktuara. Disa prej këtyre gropave përfundojnë me puse të cilat zgjerohen në shpella karstike të nëndheshme. Ky mal është “prodhuesi” dhe fillesa e disa përrënjve që përshkojnë rrethin e Tiranës. Nga ky mal furnizohet me ujë burimi i Selitës. Pika më e lartë e tij arrin në 1847.3 metra që quhet dhe maja e Mcekut (njihet dhe e Micekut).

Ai është një destinacion për të gjithë të apasionuarit e ngjitjes malore dhe të skisë. Në dimer ai është pothuaj gjithnjë i mbuluar me borë, që arrin me raste deri në disa metra, duke e bërë të përshtatshëm për sportin e skisë ekstreme. Nuk ka shenja, por ka shtigje që të çojnë deri në lartësinë më të madhe. Mali është kryesisht i zhveshur nga pemët, përveç bimësisë së ulët.

Rruga për tek ai mund të vijojë në dy drejtime Tiranë -Qafëmollë dhe Tiranë – Shenmeri(Shengjergj). Rruga deri në Shenmeri dhe Qafëmollë është kryesisht më mirë. Me pas procedohet në rruge rurale dhe ngjitja në këmbë deri në destinacion. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Qeveria shqiptare shkakton ‘përplasje’ mes Katolikëve dhe Ortodoksëve

Kisha Ortodokse Shqiptare nuk i ka kursyer kritikat e saj pas një ceremonie të zhvilluar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në Kishën e Labovës së Kryqit.

Sipas ortodoksëve, 3 priftërinj katolikë nga Italia, së bashku me një grup turistësh italianë shihen të kryenin “meshën e parë” në Kishën Orthodhokse të Labovës së Kryqit, një monument i famshëm bizantin.

Në këtë ngjarje ishte e pranishme drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani dhe persona të tjerë, ndërkohë që ende vazhdojnë të kryhen punime plotësuese për restaurimin e këtij monumenti.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë thotë se, nuk pati asnjë dijeni rreth kësaj ngjarjeje.

“Protestojmë për këtë shkelje të re të ligjit që thotë se “shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Kisha Ortodokse thotë se, është një fakt i pranuar ndërkombëtarisht se shteti nuk ka kompetencë të japë lejë në mënyrë arbitrare tek Kisha apo Fe të tjera, që të përdorin një objekt ortodoks kulti.
“Iniciativa të tilla të papërgjegjshme janë shkelje e hapur e lirisë fetare dhe cenojnë bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri” – thuhet në deklaratën e KOASH.

“Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk do të reshtë kurrë së theksuari të drejtat e saj, siç ato përcaktohen qartë nga ligji që thotë se “shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit ortodoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjtë, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në deklaratë./ KultPlus.com