Mbyllet konkursi vjetor i QKK-së

Është mbyllur konkursi vjetor i Qendrës Kinematografike të Kosovës për mbështetje të projekteve filmike.

Këtë vit kanë aplikuar gjithsej 71 projekte filmike.
Nga këto projekte:
12 projekte kanë aplikuar në kategorinë e metrazhit të gjatë artistik;
11 projekte në kategorinë e bashkëprodhimeve minorë për film të metrazhit të gjatë artistik
6 projekte në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë dokumentar
3 projekte në kategorinë për postproduksion të filmit të metraxhit të gjatë artistik
1 projekt në kategorinë e filmave të regjisorëve debutant
14 projekte në kategorinë e filmave të shkurtë artistik
3 projekte në kategorinë e filmave të shkurtë dokumentar
5 projekte në kategorinë e filmave të shkurtë të animuar
16 projekte në kategorinë për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë, dhe të animuar.

Shuma e buxheti të QKK-së për këtë vit është 810,000 euro, shumica e së cilës ndahet për mbështetjen e projekteve filmike.

Pas mbylljes së konkursit është formuar komisioni i konkursit i cili verifikon secilin aplikacion se a i plotëson kriteret e përcaktuara me konkurs dhe aktet ligjore në fuqi. 

Me përfundimin e procesit të punës së komisionit të konkursit dhe atij financiar, emërohet juria vlerësuese të cilët shqyrtojnë dhe vlerësojnë projektet.

Listën e plotë të aplikuesve mund ta gjeni në seksionin e njoftimeve zyrtare në linkun: https://qkk-rks.com/sq-al/njoftimet-zyrtare/ / KultPlus.com

Emërohet këshilli i ri i QKK-së

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim drejtorin e QKK-së Arben Zhurku dhe anëtaret e rinj të Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka këtë përbërje: Arbnesha Grabovci, Jeton Zogjani, Luan Daka, Linda Shala dhe Burim Reçica, përfaqësues i MKRS-së.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi i njoftoi anëtaret e rinj të këshillit drejtues për gjendjen aktuale të kinematografisë si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon aktualisht QKK.

“Dua ta falënderoi paraprakisht ish-këshillin drejtues të QKK-së për punën dhe angazhimin e deri tanishëm. Ju pret një sfidë e madhe e cila kërkon mund dhe angazhim dhe kjo patjetër që do arrihet me profesionalizëm dhe përkushtim”,  u shpreh ministrja Dumoshi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të përkrahë në vazhdimësi QKK-në si nga ana profesionale dhe nga ajo financiare.

MKRS do të jetë çdo here mbështetja me e madhe e industrisë së filmit pasi që filmat tanë po tregohen të suksesshëm në kinematografi evropiane duke sjellë çmime të njëpasnjëshme”, tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për ligjin e ri të QKK-së i cili së shpejti do të kalojë në Qeveri për aprovim.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku i uroi anëtarët e rinj dhe i njoftoi për punën dhe sfidat nëpër te cilat do të kalojnë. Gjithashtu ai e falënderoi Ministren Dumoshi për punën dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për institucionin që ai përfaqëson./KultPlus.com

Shoqata e Producentëve të Kosovës kërkon që të lirohen nga pagesat e konkurseve

Shoqata e Producentëve të Kosovës ‘PREK’, ka kërkuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës që ti lirojnë nga pagesa e aplikimit për konkursin e vitit 2020 si dhe shtyrjen e datës së aplikimit, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp PREK ka njoftuar se pavarësisht kërkesës së tyre drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të gjejnë një zgjidhje për pagesën e aplikimit për konkurs, kjo e fundit ju është përgjigjur se pagesa është e përcaktuar në rregullore dhe se nuk mund të hiqet.

Ata kanë shtuar se duke marrë parasysh gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën gjendemi atëherë është e mundur të gjendet një rrugë ligjore për të liruar ose subvencionuar producentët nga kjo shumë, kur dihet se në këtë periudhe janë pezulluar të gjitha aktivitetet dhe është rrezikuar edhe vet ekzistenca e shumë produksioneve filmike në vend.

“Jemi koshient që 100 euro për aplikim për fituesit eventual në konkurs nuk është ndoshta një shumë e papërballueshme, por në anën tjetër një kujdes minimal për këtë industri në të cilën po thirret shteti kur po korren suksese ndërkombëtare, është përveҫse i drejt moralisht edhe i nevojshëm duke marr parasysh se gjithë punëtorët filmik nuk janë punëtorë që marrin rroga shtetërore, por janë punëtorë që varen nga tregu, i cili tanimë është inekzistent”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.

Sipas tyre Shoqata e Producentëve të Kosovës ka qenë çdo herë bashkëpunues më Ministrinë e Kulturës dhe ministrat e saj, prandaj dhe në takimet e tyre ata kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë ti kenë çdo herë të njëjtat kërkesa.

1. Të subvencionohemi për pagesë, për konkursin e hapur të QKK-së, i cili mbyllet me 31.08.2020, për të gjitha kategoritë;

2. Të përshpejtohen pagesat dhe të shlyhen borxhet e të gjitha projekteve që kanë mbetur pa u paguar qysh prej fillimit të vitit 2019;

3. Të rritet buxheti i QKK-së! Ish Ministri Gashi ka deklaruar publikisht që është dyfishuar buxheti i QKK-së, por kjo në praktikë nuk ka ndodhë asnjëherë, andaj presim nga Vlora Dumoshi që t’a rrisë këtë buxhet dhe të ndihmojë në zhvillim të mirëfilltë të Kinematografisë;

4. Të bëhet plotësim ndryshimi i rregullores aktuale për subvencionim të projekteve. Rregullorja dhe kriteret në rregullore, e cila është hartuar në vitin 2016 kufizon tej mase zhvillimin e shtëpive filmike. Mund të ketë pasur logjikë në atë periudhë, por tani me ndryshimet dhe ecurinë e punës së shtëpive filmike duhet të mbështetet zhvillimi dhe fuqizimi i tyre dhe filmbërësve në përgjithësi e jo të pengohet ajo.

Krejt në fund ata kanë shtuar se këto kërkesa janë minimale, krahasuar me punën e tyre në promovimin dhe prezantimin e Kosovës jashtë kufijve./ KultPlus.com

QKK ju fton të aplikoni në programin e montazhës në FAMU në Pragë

Shkolla e filmit dhe televizionit e Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU sivjet ka ofruar raundin e dytë të programit të masterit për montazh, njofton KultPlus.

Inkurajohen të gjithë të interesuarit e fushës së filmit shtetas të Kosovës të aplikojnë.

Afati i fundit për aplikim është 24 korrik, 2020.

Ky është viti i gjashtë me radhë që Qendra Kinematografike e Kosovës mundëson financimin e shkollës së filmit dhe televizionit në Pragë – FAMU.
FAMU është themeluar me dekret presidencial në vitin 1945 dhe ofron programe të akredituara dhe të çertifikuara të studimit si në gjuhën çeke ashtu edhe në atë angleze.

Memorandumi i lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, ofron mundësinë e edukimit audio-vizuel për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. Bursa vlen vetëm për shtetas të Republikës së Kosovës me vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Kushtet për regjistrim në shkollën e filmit FAMU përcaktohen nga shkolla e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura me seli në Pragë, të cilët gjithashtu bëjnë edhe intervistimin dhe përzgjedhjen. / KultPlus.com

https://international.famu.cz/programs/masters-degree-in-editing

QKK-ja hapë konkursin për subvencionim të projekteve filmike për vitin 2020

Këshilli Drejtues i QKK-së në mbledhjen e fundit të mbajtur, ka hapur konkursin në këto kategori: konkursi për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik dhe dokumentar, konkursi për film të shkurtër dhe të gjatë të animuar, konkursi për film debutues të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik si dhe konkursi për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.

Afati i fundit për të aplikuar për mbështetjen e projekteve filmike është 31 Gusht, 2020.

Aplikimi bëhet online përmes faqes zyrtare të QKK-së.

Për më shumë informata klikoni KËTU /KultPlus.com

Sonte edhe katër premiera online të filmave të mbështetur QKK-ja

Katër filma të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës do të shfaqen sonte nga ora 20:00 në Gjirafa video.

Sonte do ti kenë premierat dy filmat e shkurtë artistik ‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj dhe ‘Tisa’ nga Valter Lucaj; filmi i gjatë asrtistik ‘Një Tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha, dhe filmi dokumentar ‘Rojtari i Bjeshkëve’ nga Antoneta Kastrati.

‘Gardhi’
Disa gra të gjeneratave të ndryshme të së njëjtës familje me zë të lartë përballen me njëra-tjetrën për pikëpamjet e tyre për jetën, dashurinë, dëshirat dhe patriarkatin. Mbledhja e familjes shndërrohet në kaos, ndërsa i më i riu prej tyre – djali i vetëm – kërkon një dalje. Në rolet kryesore: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Xhejlane Godanci, Melihate Qena, Kumrije Hoxha, Rozafa Çelaj, Alketa Sylaj, Adriana Matoshi, Edita Doli, dhe Arta Selimi.

Tisa
Beni është një i ri “cool” që është i mirë në futboll, është i lumtur në trekëndëshin e tij shoqëror me mikun e tij Gezim i cili gjithashtu luan futboll dhe të dashurën e tij Ema që të dy djemve u pëlqen. Jeta e Benit bëhet dramatike kur ai merr një ftesë për një provë në një ekip francez të futbollit. Kjo ftesë është një mrekulli për të por në të njëjtën kohë shtrëngon trekëndëshin e tij shoqëror. Udhëtimi për ta bërë mrekullinë e tij bëhet i komplikuar kur Ambasada refuzon vizën për të dhe babai i tij vendos ta dërgojë djalin e tij në provat e futbollit në Francë përmes rrugëve të paligjshme të imigracionit.

‘Një tregim Prishtine’
‘Një tregim Prishtine’ është dramë familjare që flet për një familje të shtresës së mesme, e cila përballet me sëmundjen e vajzës së tyre me leukemin akute dhe mënyrën se si ata i sigurojnë mjetet për shërimin e vajzës. Skenari ndjekë dy linja dramatike që janë drama familjare dhe drama korruptive. Në rolet kryesore luajnë Donat Qosja dhe Teuta Krasniqi.

“Rojtari i Bjeshkëve”
Dokumentari tregon ngjarjen e malësorit, Fatos Lajçit, dhe luftën e tij për të shpëtuar pyjet e Malit të Rugovës nga mbingarkesa dhe shkatërrimi i mjedisit. Ndërsa mësojmë historitë e rinisë së tij, duke u rritur në ato male me vëllanë e tij, fillojmë të kuptojmë historinë prapa zhgënjimit të Fatosit me politikën e pasluftës, ndjenjën e tij të strehimit në male dhe në fund të fundit, lidhjen dhe përkushtimin e tij shpirtëror për ruajtjen e tyre.

Këta filma shafqen në kuadër të transmetimeve që po ofrohen përshkak të rrethanave të krijuara nga pandemia dhe në pamundësi të shkuarjes nëpër Kinema.

Përvec tyre sonte nga ora 20:00 ne Gjirafa do të shfaqen edhe filmat Kosovar: “Zgjedhe një emër”, “Dasmat dhe Pampersat”, “Zonjusha”, “Zibidi”, “Ndeshja e fundit”, “E dashur Nita” dhe “Memory”. / KultPlus.com

QKK-ja prezanton Kosovën si vend bashkëprodhimi dhe xhirimi para industrisë botërore në Berlinale


Në kuadër të programit EFM Landmark të Tregut Europian të Filmit (European Film Market) në Berlinale, QKK-ja prezantoi profilin e Kosovës para producentëve, filmbërësve dhe komisioneve të filmit europian dhe botëror.

Ky prezantim përveç vënjes në pah të karakteristikave natyrore, arkitektonike, demografike dhe kulturore të Kosovës, paraqiti edhe një historik të filmit të Kosovës prej formimit të Kosovafilmit në 1969, ndërprerjes së prodhimit prej para dhe gjatë 90tave, deri te ringjallja e kinemasë Kosovare e cila shpesh u zgjodh dhe po vazhdon të përdoret si medium për trajtimin e plagëve dhe dhimbjes që solli lufta.

“Përveç ofertës që ia bëjmë industrisë europiane dhe botërore të filmit, është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ndërkombëtarë të fushës të njoftohen më kualitativisht me kontekstin historik dhe kulturor të Kosovës” u shpreh hartuesi dhe prezantuesi Lum Çitaku nga QKK-ja.

Pas shfaqjes së trejlerit të Kosovës, pjesa tjetër prezantimit u koncentrua në kontekstin që e prodhoi suksesin ndërkombëtar në rritje të filmave Kosovar, ligjin e ri për kinematografinë që pritet të hyj në fuqi dhe i cili integron lehtësirat financiare, si dhe strategjinë e institucionit për të kultivuar më tej komunitetin filmbërës të vendit për të përhapur mundësitë e bashkëpunimit dhe rritur potencialin e bashkëprodhimit ndërkombëtar. / KultPlus.com

Kosova me propozim për “Oscar”

Kosova për të gjashtin vit do të propozojë kandidatin e vet për nominim për edicionin e 92-të të çmimeve “Oscar”.

Të martën, Qendra Kinematografike e Kosovës ka ftuar të gjithë filmbërësit e interesuar që t’i dërgojnë propozimet e tyre për konsiderim për çmimin e madh për kategorinë për film në gjuhë të huaj, që mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit në edicionin e 92-të “Academy Awards”.

Ndryshe nga viti i kaluar kur komisioni i QKK-së kishte pasur vetëm filmin “Martesa” si propozim, sivjet gara duket të jetë më interesante. Së paku tri projekte filmike të mbështetura nga buxheti i shtetit mund t’i plotësojnë kriteret për t’u bërë kandidat.

Sipas drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, pritjet janë që “gara të jetë më interesantja deri më tani me tre filma të shkëlqyer”.

Duke pasur si kusht për konkurrim të gjitha projektet e metrazhit të gjatë që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë me radhë në kinematë e vendit nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 30 shtator të këtij viti, “Nëntor i ftohtë”, nën regjinë e Ismet Sijarinës, tashmë është filmi i parë që i plotëson kushtet e kërkuara. /Koha.net / KultPlus.com

QKK hap thirrjen për propozime për Oscar

Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur thirrjen për propozime për Oscar.

QKK ka ftuar të gjithë të interesuarit që të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimin Oscar për kategorinë për film në gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësoj Kosovën këtë vit. Sipas njoftimit të QKK-së, të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova.

“Të drejtën e konkurimit e kanë të gjithë filmat e metrazhit të gjatë nga Kosova që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e Kosovës duke filluar nga data 1 Tetor 2018 dhe jo më larg se data 30 Shtator 2019 dhe të cilët i plotësojnë kushtet tjera të vëna nga “Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Data e fundit për dërgimin e propozimeve është 15 shtator 2019.

Kushtet e aplikimit i gjeni më poshtë: FOREIGN LANGUAGE FILM AWARD   — Rule Thirteen — fq.16:

https://www.oscars.org/sites/oscars/files/92aa_rules.pdf

Propozimet mund të dërgohen përmes e-mail adresës: [email protected] Apo përmes postës: Qendra Kinematografike e Kosovës Rruga UÇK Nr. 273 10000 Prishtina Kosova. / KultPlus.com

An Oscar statue stands during a preview for the Governors Ball during the 91st annual Academy Awards week in Hollywood, on California, February 15, 2019. (Photo by VALERIE MACON / AFP) (Photo credit should read VALERIE MACON/AFP/Getty Images)

Vazhdohet marrëveshja që ua mundëson studentëve nga Kosova studimin në FAMU në Çeki

Është nënshkruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU, për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësisë së edukimit audio-vizual për shtetasit e Republikës së Kosovës, në veçanti për studentët e kësaj fushe.

Ky vazhdim i marrëveshjes u nënshkrua nga drejtori i QKK-së z. Arben Zharku, dhe nga prodekani i FAMU-së z. Ondrėj Zach.

Në rrjetin social Facebook të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Drejtori i QKK-së z. Zharku rreth vazhdimit të këtij Memorandumi u shpreh: “Jemi të gëzuar që po e vazhdojmë këtë mundësi të madhe për brezat e rinj që ëndërrojnë të studiojnë filmin në një prej shkollave më të çmueshme në botë. E falënderojmë Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e vazhdimit të marrëveshjes me FAMU-në në Pragë dhe për këtë mundësi.

Bursa e plotë që ndahet nga Ministria e Kulturës jep mundësi për studime në programin bachelor (në rast se e flisni gjuhën çeke) dhe në programin master në këto drejtime: regji, skenar dhe kamerë (drejtor fotografie) etj.

Akademia e Arteve të Bukura FAMU në Pragë është themeluar në vitin 1947 dhe është një ndër shkollat më të vjetra në botë, dhe sipas gazetës Hollywood Reporter është shkolla numër një në Evropë, ndërsa e njëmbëdhjeta në botë. Të diplomuar nga kjo shkollë janë shumë regjisorë dhe skenaristë të njohur ndërkombëtarisht si fitues të çmimeve Oskar ose laureat të festivaleve ndërkombëtare të filmit.

Deri më tani 4 studentë kosovarë: Norika Sefa, Dritëro Mehmetaj, Noar Sahiti, dhe Enis Saraçi kanë gëzuar këtë bursë./KultPlus.com

Arben Zharku zgjedhet anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institucionit prestigjoz European Film Promotion

Sot në mbledhjen e fundit të EFP të mbajtur në Kanë, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku është zgjedhur anëtar i bordit të drejtorëve të institucionit prestigjioz të filmit – European Film Promotion (EFP).

EFP (European Film Promotion) është një rrjet ndërkombëtar unik i 38 agjencive kombëtare të promovimit të filmave nga e gjithë Evropa që përfaqësojnë filmat dhe talentin e tyre kombëtar jashtë vendit. Me flamurin e EFP-së, këto organizata anëtare vijnë së bashku për të promovuar diversitetin dhe frymën e kinemasë, talentin evropian në festivalet dhe tregjet kryesore filmike ndërkombëtare, e veçanërisht jashtë Europës. EFP mbështetet financiarisht nga Programi Creative Europe – MEDIA e Bashkimit Evropian dhe nga organizatat e saj anëtare.

“Është nder dhe privilegj të jem pjesë e vendimmarrjes së këtij institucion kaq prestigjioz europian. Do të jap maksimumin në promovimin e filmit europian dhe veçanarisht të atij regjional. Si shteti me i ri europian është kënaqesi e madhe që Kosova merr këtë përkrahje të fuqishme europiane.” U shpreh Z. Zharku në rastin e bërjes publike të zgjedhjes së bordit të ri të EFP-së./KultPlus.com

EFP Board Meeting during the 72nd Cannes Film Festival at the Palais des Festivals on May 21, 2019 in Cannes, France. (Photo by: EFP/Kurt Krieger)

QKK hap konkursin për bursën në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë – FAMU

Për vitin e pestë me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës ofron mundësinë e aplikimit në shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë – FAMU.

FAMU është themeluar me dekret presidencial në vitin 1945 dhe ofron programe të akredituara dhe të certifikuara të studimit si në gjuhën çeke ashtu edhe në atë angleze.

Memorandumi i lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, ofron mundësinë e edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. Bursa vlen vetëm për shtetas të Republikës së Kosovës me vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Kushtet për regjistrim në shkollën e filmit FAMU përcaktohen nga shkolla e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura me seli në Pragë, të cilët gjithashtu bëjnë edhe intervistimin dhe përzgjedhjen.

Për t’i parë kriteret dhe afatet ju lutem shkoni në webfaqe të FAMU-së duke klikuar KËTU. / KultPlus.com

QKK sjell ekspertët e njohur të filmit në Kosovë

Qendra Kinematografike e Kosovës në partneritet me EAVE po organizon një punëtori katër-ditore (10-13 janar) për zhvillimin e projekteve filmike në Kosovë për producentët dhe skenaristët e 9 projekteve të filmave të metrazheve të gjata me potencial ndërkombëtar të bashkëprodhimit.

Qëllimi i kësaj punëtorie është zhvillimi i skenarëve dhe përmirësimi i aftësive të bashkëprodhimit të pjesëmarrësve, duke siguruar mjetet e nevojshme për të pasur sukses në tregun ndërkombëtar.

Punëtoria udhëhiqet nga ekspertët experti i skenarit Jacques Achoti nga Franca, ekspertja e produksioniot Rashanak Behesht Nedjad nga Gjermania dhe agjenti i shitjes Gabor Greiner nga Gjermania të cilët do të kombinojë përvojën e EAVE në trajnimin dhe krijimin e rrjetit ndërkombëtar me një qasje të krijuar për producentët kosovarë dhe nevojat specifike të secilit projekt.

Punëtoria do të përbëhet nga Ligjeratat nga ekspertët, seancat e punës në grupe dhe takime individuale për pjesëmarrësit-producentë dhe ekipet e tyre krijuese, projektet e pjesemarrese nga Kosova janë ‘lëkura e Krokodillit’ nga Ilirjan Himaj, ‘Dëbora’ nga Arlinda Morina, ‘Heshtja e Sirenave’ nga Gazmend Nela, ‘Hunting Bears’ nga Edon Rizvanolli, ‘The Tiny Walkers’ nga Jeton Kulinxha, ‘Njeriu me Valixhen Vjollce’ nga Edin Alija, ‘Tifozi i Jugosllavisë’ nga Arian Krasniqi, ‘Ikja’ nga Artur Tahiraj dhe ‘Hotel Slavia’ nga Besart Sllamniku.

Ligjeratat do të trajtojë tema si: Realizimi i Skenarit, Roli i Producentit, Shitjet, Shpërndarja dhe Tregu Ndërkombëtar.

Gjatë sesioneve intensive të punës dhe takimeve individuale të ekspertëve dhe pjesëmarrësve të EAVE-s, do të punohet së bashku në shkrimin dhe zhvillimin e skenarit, analiza strukturore / dramaturgji, marrëdhënia producent-skenarist / producent-regjisor, buxhetim dhe menaxhim financiar, ndërgjegjësimin e tregut dhe audiencës, shitjet dhe shpërndarjen duke përfshirë parimet themelore të këtyre praktikave. /KultPlus.com

Edhe nëntë projekte filmike mbështeten nga QKK

Sarandë Selimi

Para disa javëve Qendra Kinematografike e Kosovës, publikoi listën e projekteve të subvencionuar për vitin 2018-të, shkruan KultPlus.

Kësisoj pas këtij vendimi erdhi edhe vizita e ministrit të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, ku konfirmoi rritjen e buxhetit për këtë institucion kinematografik. Pas konfirmimit të rritjes së buxhetit, QKK, mblodhi edhe njëherë juritë vlerësuese e krejt kjo për të subvencionuar edhe plotë nëntë projekte të tjera.

Këto projekte, janë përzgjedhur në bazë të radhitjes së poenëve të fituara më parë.

KultPlus, sjellë listën e projekteve që kanë fituar në QKK, nga rritja e buxhetit:

Në kategorinë e projekteve për filmit të metrazhit të gjatë:

Titulli i Projektit: “Debora”; Shtëpia Filmike: Raven City Production; Producenti: Luigj Bejta; Skenaristi: Arlinda Morina; Regjisori: Arlinda Morina.

Titulli i Projektit: “Lëkura e krokodilit”; Shtëpia Filmike: N.SH. Filmatory 2656; Producenti: Teuta Krasniqi; Skenaristi: Ilirjan Himaj; Regjisori: Ilirjan Himaj.

Titulli i Projektit: “Heshtja e sirenave”; Shtëpia Filmike: N.SH. Frame; Producenti: Arben Shala; Skenaristi: Gazmend Nela; Regjisori: Gazmend Nela.

Në kategorinë e projekteve për filmit të metrazhit të gjatë-dokumentar:

Titulli i Projektit: “Lufta për shkollën“; Shtëpia Filmike: N.I. Idea; Producenti: Nuhi Bytyçi; Skenaristi: Nuhi Bytyçi; Regjisori: Ilir Kabashi.

Titulli i Projektit: “Fisi i humbur“; Shtëpia Filmike: Sorra SH.P.K.; Producenti: Fitim Shala; Skenaristi: Garentina Kraja; Regjisori: Arzana Kraja.

Titulli i Projektit: “Rrugëtimi im nga Shkupi përmbi Zagreb, deri…“; Shtëpia Filmike: Ndërmarrja për marketing; Producenti: Kujtim Shabani; Skenaristi: Mirjana Novak Perjanec; Regjisori: Mirjana Novak Perjanec.

Titulli i Projektit: “Kosova dhe Hebrenjtë“; Shtëpia Filmike: AS-Film; Producenti: Lorena Sopi; Skenaristi: Jakov Sedlar, Rabbi Robert Selzer; Regjisori: Jakov Sedlar.

Në kategorinë e projekteve për Zhvillim Skenari:

Titulli i Projektit: Tifozi i Jugosllavisë, Shtëpia Filmike: N.SH. Industriel, Producent: Arian Krasniqi, skenarist: Arian Krasniqi.

Titulli i projektit: “Ikja”, Shtëpia Filmike: Fokus film, Producenti: Artur Tahiraj, Skenaristi: Artur Tahiraj./ KultPlus.com

MKRS-ja premton rritje buxheti prej 100% për Qendrën Kinematografike të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Qendrën Kinematografike të Kosovës. Gjatë kësaj vizite ministri Gashi ka takuar drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharkun, me të cilin ka diskutuar për avancimin e politikave të filmit në vendin tonë, dhe ka konfirmuar se MKRS ka vendosur që ta rrisë 100% buxhetin për qendrën e filmit, po ashtu ministri Gashi tha se do të ju ofroj përkrahje në forma tjera për institucionin kryesor të filmit në Republikën e Kosovës.

Ministri Gashi tha se “ Jemi këtu që të ju përgëzojmë për punën, angazhimin dhe sukseset të cilat i ka pasur kjo qendër. Në të njëjtën kohë ju konfirmoj mbështetjen tonë të madhe për punën dhe angazhimin tuaj. Siç dihet kjo qendër ka pasur buxhet 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosë që këtë buxhet ta rrisim për 100% dhe QKK-ja do ta ketë buxhetin për filma 1 milion e 200 mijë kurse në total buxheti do të jete 1 milion e 400 mijë euro për shkak të punës së madhe që po ndodh në këtë qendër filmi, për shkak të angazhimit të madh dhe për shkak të çmimeve dhe rezultateve që kanë pasur filmat tanë, veçanërisht filmi “Shok” pastaj “Babai”, “Martesa” e shumë filma të tjerë dhe duke i pasur parasysh këto rezultate ne kemi vendosur që QKK-së t’ia rrisim buxhetin për 100% dhe ti inkurajojmë të gjithë film-bërsit shqiptarë që të vazhdojnë dhe angazhimin e tyre” ka thënë ministri Kujtim Gashi.

“Me këtë rritje do të përfitojnë shumë film-bërës shumë artist, dhe besojë që tani e tutje do të kemi një industri të filmit edhe me të zhvilluar, deri më tani janë mbështetur dikur rreth 18 filmi ndërsa me këtë rritje do të mbështeten 28 filma dhe ky është një moment i rëndësishëm për QKK-në për filmin dhe për Republikën e Kosovës tashmë filmat tonë janë duke bërë jehonë gjithandej festivaleve ndërkombëtare” ka thënë ministri Gashi.

Ndërsa drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku tha se “Fillimisht dua të falënderoi Ministrin Gashi që po na sjellë lajme të mira për QKK-në, por më së shumti për industrinë e filmit që këto vite do të kemi një rritje të konsiderueshme buxhetore për të vazhduar trendin e projekteve filmike me buxhete më të mëdha , për të rritur numrin e projekteve filmike të konkursit të sivjetshëm ka thënë Zharku .

“Filmat e Kosovës kanë krijuar një emër të mirë në festivale ndërkombëtare deri te nominimi për Oskar dhe besoj që me këtë rritje të buxhetit do te vazhdojmë edhe me teje sukseset tona” shtoi Zharku./ KultPlus.com

Rritet buxheti i filmit në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, nesër në ora 11:00 do të vizitojë Qendrën Kinematografike të Kosovës, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi do të takojë drejtuesit e QKK-së dhe do të diskutojë për avancimin e politikave të filmit në vendin tonë dhe do t’u konfirmohet rritja e buxhetit dhe e përkrahjes së formave tjera për institucionin kryesor të filmit në Republikën e Kosovës./KultPlus.com

Tetë filma të përkrahur nga QKK shfaqen në PriFest 2018

Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFilm Fest, fillon këtë të martën dhe do të hapë edicionin e tij të 10-të, me “ROOFTOP STORY”, një film nga regjisori Gazmend Nela i cili shfaqet premierë në Kosovë pas asaj të Montrealit.

Ndërsa, gjatë javës do të jenë edhe shtatë filma të tjerë të përkrahur nga Qendra Kinematografike që do të shfaqen në këtë edicion.

Këta filma janë: MARTESA nga Blerta Zeqiri, GJUMË DHE DASHURI nga Arsim Haliti, NJË TREGIM PRISHTINE nga Burbuqe Berisha, ME DASHT, ME DASHT, ME DASHT nga Ilir Hasanaj, KLITHMA nga Korab Lecaj, VITI I MAJMUNIT nga Vladimir Blazevski, dhe mbyllja e festivalit do të bëhet me filmin KTHIMI nga Kastriot Abdyli./ KultPlus.com

Kosova dhe Maqedonia në Kanë nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëprodhimit në fushën e kinematografisë

Duke pasur parasysh faktin se bashkëpunimi i ndërsjellë mund të shërbejë në zhvillimin e prodhimit të filmit dhe të inkurajojë zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve kulturore dhe teknologjike midis dy vendeve; Duke pasur parasysh se bashkëprodhimi mund të jetë i dobishëm për industritë filmike të vendeve tona dhe të kontribuojë në rritjen e industrisë së filmit, televizionit, videove dhe industrive të reja të prodhimit dhe distribuimit në Kosovë dhe Maqedoni; Duke kujtuar “Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Bashkëpunimin në fushën e Kulturës, nënshkruar në Prishtinë më 8 shkurt 2013”, sot në Festivalin e Kanës Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia e Filmit e Maqedonisë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe Ministri i Kulturës Kujtim Gashi i cili u shpreh: “Është kënaqësi e veçantë të jem prezent në këtë moment historik të lidhjes së kësaj marrëveshje e cila do të shërbej edhe më shumë për bashkëprodhimet në fushën e filmit, por edhe të njohjes së kulturës në mes të dy vendeve. Ministria e Kulturës çdo here do të jetë afër iniciativave të tilla që i fuqizojnë marrëdhëniet ndër fqinjësore”.

Drejtori i Agjencisë së Filmit të Maqedonisë tha se: “Maqedonia dhe Kosova kanë bashkëpunim shumë të thellë në fushën e filmit, dhe sot si rezultat kemi këtë marrëveshje shumë me rëndësi për të ardhme e filmbërësve tanë”.

“Ky është një moment shumë i veçantë, sepse nënshkruhet marrëveshja e parë e këtij lloji, dhe pikërisht me shtetin fqinjë me të cilin kemi një histori të shkëlqyeshme të bashkëprodhimit” u shpreh me rastin e nënshkrimit drejtori i QKK-së z. Arben Zharku.

Maqedonia është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të kinematografisë Kosovare, vetëm brenda vitit të fundit katër projekte kanë gjetur mbështetje.

Kosova pritet të nënshkruaj marrëveshje të bashkëprodhimit edhe me disa shtete tjera fqinje./ KultPlus.com

Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur konkursin për subvencionim të projekteve filmike për vitin 2018

Këshilli Drejtues i QKK-së, në mbledhjen e fundit të mbajtur, ka vendosur të hapë këto konkurse: konkursi për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik dhe dokumentar, konkursi për film të shkurtër të animuar, konkursi për film debutues të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, konkursi për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik si dhe konkursi për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.

Afati i fundit për të aplikuar për mbështetjen e projekteve filmike është 4 maj 2018.
Ndërsa afati i fundit për regjistimin e shtëpive filmike në QKK është 1 maj 2018.
Aplikimi është online përmes faqes zyrtare të QKK-së./KultPlus.com

Ndahet buxheti për institucionet e kulturës, QKK prinë në këtë listë

Sarandë Selimi

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, sivjet ka një buxhet prej 36,523,903.86€.

Ky buxhet sipas zyrtarëve të kësaj ministrie për vitin 2018-të, konsiderohet të ketë një rritje të konsiderueshme të tij në raport me buxhetin e vitit të kaluar. Kësisoj, tashmë është bërë edhe planifikimi i ndarjes së këtyre mjeteve për institucionet vartëse të MKRS-së.

Për KultPlus, shefi i kabinetit të Ministrisë së Kulturës Samir Hoxha, shpalosi buxhetin e këtyre institucioneve, për të cilat tha se, pasi që buxheti i aprovuar për vitin 2018-të ka shënuar rritje të dukshme, sipas tij, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës.

“Meqenëse buxheti i aprovuar për vitin 2018 ka shënuar një rritje të dukshme, sigurisht që mund të ketë edhe rritje për institucionet e kulturës, por rritje mund të bëhet vetëm me rishikim të buxhetit në përputhje me nevoja dhe kërkesa për buxhet shtesë nga institucionet vartëse të MKRS-së”, ka thënë Hoxha për KultPlus.

Në përputhje me politikat programore të institucioneve të kulturës të vitit 2018, në vijim sjellim të dhënat në lidhje me buxhetin e institucioneve vartëse të MKRS-së:

Teatri Kombëtar i Kosovës i janë ndarë gjithsej 370,000.00€, Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet në buxhetin e saj ka 765,995.00€, Ansambli Shota këtë vit merr 162,500.00€, Filharmonia e Kosovës në buxhet do të ketë 345,000.00€, Galeria Kombëtare e Kosovës do të ketë 163,500.00€, Baleti Kombëtar i Kosovës merr 240,000.00€, Galeria Qafa – 29,000.00€ dhe Kosova Filmi – 10,000.00 €.

Sipas raporteve te zyrës për buxhet dhe financa në MKRS, buxheti është nën-alokuar për periudhën Janar-Mars 2018 nëpër institucionet e kulturës menjëherë pasi që është bërë alokimi i buxhetit në nivel të MKRS-së. Siç dihet alokimi i buxhetit bëhet në baza tremujore, nënalokimi nëpër institucionet e kulturës është bërë duke u bazuar në Politikat Programore të institucioneve të kulturës./ KultPlus.com

Dy projekte filmike të Kosovës në Festivalin e Filmit të Rotterdamit

Ka filluar festivali i filmit të Rotterdamit, pjesë e të cilit është edhe punëtoria Rotterdam Lab, që edhe këtë vit, falë partneritetit që QKK ka me CineMart, do të mirëpres përfaqësues të projekteve filmike kosovare.

Rotterdam Lab nis nga data 27 deri me 31 janar dhe pjesë e kësaj punëtorie pesë ditore do të jenë edhe Blerim Gjoci me projektin filmik ‘Kodra e Diellit’ si dhe Ujkan Hysaj me projektin ‘Hana’, të dy këta filma, të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Punëtoria Rotterdam Lab ka për qëllim avansimin e producentëve në zhvillim nga e gjithë bota dhe krijimin e mundësive për njohuri dhe ekspertizë. Kjo punëtori është e organizuar nga tregu për bashkëprodhim ‘CineMart’, i njohur si tregu joformal i filmit, i ndjekur nga një numër i madh i profesionistëve ndërkombëtar të filmit, të cilët janë të interesuar të investojnë në projekte të reja filmike. Ky program përfshin diskutime dhe punëtori me ekspertë nga industria e filmit.

Festivali i filmit të Rotterdamit është një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane ku sivjet është edicioni i 47-të me radhë dhe gjatë dymbëdhjetë ditëve të festivalit, qindra filmbërës dhe artistë të tjerë paraqesin punën e tyre para një audience të madhe./ KultPlus.com

Konkursi i brendshëm për drejtor të QKK-së nxit akuza për manipulim

Me konkurs të brendshëm, në të cilin të drejtë aplikimi kanë shërbyesit civilë të institucioneve të kulturës, trashëgimisë kulturore e të Ministrisë së Kulturës, kjo e fundit ia ka mësyrë ta bëjë me drejtor Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Por ende pa u mbyllur konkursi tetëditësh, në komunitetin e kienastëve kanë shpërthyer akuza se ai është i paligjshëm dhe se po bëhet për t’ia vazhduar mandatin drejtorit të deritashëm të QKK-së, Arben Zharku.

Një reagim i Shoqatës së Autorëve dhe Producentëve të Filmit dhe Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, të mërkurën, u është dërguar ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Aty kërkohet edhe anulimi i konkursit të brendshëm që ka shpallur MKRS-ja më 29 dhjetor të vitit të kaluar, sikurse edhe shkarkimi i këshillit drejtues të QKK-së, shkruan sot Koha Ditore./ KultPlus.com

20 filma të mbështetur nga QKK, janë xhiruar gjatë vitit 2017 (FOTO)

Gjatë vitit 2017 shumë projekte filmike kanë filluar xhirimet, prej të cilave, disa janë ende në xhirim e të tjerat në faza të ndryshme të zhvillimit.

Këtë vit kanë filluar xhirimet e 20 filmave të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës ku 8 prej tyre janë filma artistik të metrazhit të gjatë si: ‘Një tregim Prishtine’ nga Burbuqe Berisha, ‘Njeri’i dosjeve’ nga Ismet Sijarina, ‘Fusha e Mëllenjave’ nga Arzana Kraja, ‘Delegacioni’ nga Bujar Alimani, ‘Qiej të Trazuar’ nga Anton Ndreca, ‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj, ‘The Happiness Effect’ nga Borjan Zafirovski dhe ‘Derë e Hapur’ nga Florenc Papas.

Ndërsa filmat dokumentarët që kanë filluar xhirimet sivjet janë: ‘Shpresa’ nga Vjosa Abazi, ‘Tregimi i tregimtarit’ nga Gazmend Avdiu, ‘Vater Atdhe’ nga Pamela Cohn, ‘Rrugëtim prej Kampioni’ nga Arton Humolli, ‘Kosova Brothers’ nga Samir Karahoda dhe ‘Aktorët e Kanës’ nga Mentor Spahiu.

Pa lënë anash edhe filmat e metrazhit të shkurtër: ‘Drita’ nga Rita Krasniqi, ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi, ‘Ajo’ nga More Raça, ‘Klithma’ nga Korab Lecaj, si dhe dy filma të animuar, ‘Magneti’ nga Arvan Berisha dhe ‘N’kornizë’ nga Gëzim Ramizi./ KultPlus.com

‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj parapremierë në Paris

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj pati parapremierën në Paris me datë 9 nëntor 2017 në Cinéma Le Méliès, – Montreuil e organizuar nga bashkëprodhuesi francez Sacrebleu Productions.

Kjo parapremierë priti në Paris njerëz të rëndësishëm nga industria e filmit, regjisorë, producentë dhe investitor të fondacioneve të ndryshme. Prezent ishin edhe regjisorja Lendita Zeqiraj dhe producenti Bujar Kabashi.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina./ KultPlus.com