Në 40 vjetorin e filmit ‘Proka’, Isa Qosja vjen me një rrëfim të rrallë në KultPlus Caffe Gallery

Vjollca Duraku

Një bashkëbisedim i ngrohtë, i rrallë dhe i jashtëzakonshëm është mbajtur mbrëmë me regjisorin e madh, Isa Qosja, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Në këtë ndejë e cila u organizuar me rastin e 40-të vjetorit të filmit ‘Proka’ u shfaq papritur edhe malli i sa e sa viteve të mungesës së regjisorit të mirënjohur, i cili ka kohë që është tërhequr nga adhuruesit e tij dhe nga jeta publike në përgjithësi, të cilës për vite me radhë i kishte dhënë aq shumë.

Filmi ‘Proka’ është  filmi i parë i regjisorit Qosja, i cili edhe pse i realizuar në fillim të karrierës së tij si regjisor, para katër dekadash, vazhdon të kryesojë listën e filmave më të mirë të kinematografisë tonë. Kjo prurje flet për një artist të papërsëritshëm, e i cili konsiderohet “numri një” i filmit. Përmes një rrëfimi jetësor të sinqertë e të përzemërt me aktoren Vlora Merovci, regjisori Qosja i tregoi prapaskenat dhe detajet e filmit ‘Proka’ dhe të filmografisë si asnjëherë më parë.

Regjisori Qosja në këtë rrëfim intim me adhuruesit e tij, tregoi që ideja për të krijuar skenarin e filmit “Proka” i kishte lindur pasi i ishte dhënë ta lexonte një libër të Filip Papajanit.

“Te ‘Proka’ ka parë një njeri që rebelohet në mënyrë të heshtur, rebelohet në mënyrë të qetë, mu duk pak si personazh antik. Kisha dëshirë ta shihja një personazh të tillë, dhe fillova të bëj skica, në këtë kontekst Azem Shkreli ishte gjithnjë pranë krijuesve, i cili ishte edhe arkivë e diturisë edhe për rrjedhat shoqërore edhe për letërsinë mos të flasim për poezinë. Ishte artist në shpirt nganjëherë edhe bohem. Një njeri i jashtëzonshëm në gjeneratën e krijuesve që atëherë erdhën nga shkolla të ndryshme që i kishin kryer në Ballkan. Më sugjeroi të bashkëpunoj me Eqerem Bashën me këtë ide dhe filluam e bëmë skenarin”, ka thënë regjisori Qosja.

Filmi “Proka” është realizuar në vitin 1984, në të cilin trajtohet një ngjarje simbolike e filozofike, që përqendrohet në betejën mes individit dhe shoqërisë, si dhe në çështjen e lirisë dhe ekzistencës. Aty tregohet historia e një burri të thjeshtë, i cili përballet me sfidat e jetës dhe me presionet e një jete të mbyllur. ‘Proka’ gjykohet sepse ai e prish mentalitetin e provincës me atë qe nuk lutet për të rënë shi, i cili vazhdon të punojë përkundër një thatësire të madhe. Rrethi social me të cilin ai ballafaqohet në film e shpallin të rrezikshëm dhe psiqikisht të sëmurë.

Profesor Qosja ka thënë që gjatë realizimit të filmit i dukej që po artikulohej dhe se po e  gjente vetveten si artist dhe si njeri. Mbi të gjitha ai tha që këtë film e kishte realizuar me zemër, duke iu referuar regjisorit Ingmar Bergman mbi filozofinë se filmat bëhen me zemër ose me mendje.

“”Proka” është ai që iu bën ballë padrejtësive por edhe mënyra se si iu bën ballë është ajo metoda të cilën unë e preferoja. Nuk mund të shkëputet asnjë vepër e një krijuesi prej krijuesit. Nuk mund të jetë vetëm prodhim për një qëllim.

Unë e gjeta veten në një mënyrë, aty flitet edhe për njeriun që dëshiron të dallohet nga mjedisi, për diçka qoftë për sjellje, për angazhim të vetin, për emocion, për dashurinë ndaj të tjerëve, për dashurinë ndaj vetvetes ose për përkushtim. Dhe natyrisht ti duhet ta gjesh vetveten në krejt këto dimensione për të patur filmi atë pjesë që e themi ne është e zemrës, e kam punuar me zemër. Kur themi e kam punuar me zemër nënkupton që ti nuk e ke të rëndësishme a do të vlerësohet kështu apo ashtu, apo do të gjykohet”.

Mbi këtë qështje ai më tutje thotë që regjisorët të cilët kanë arritur që të gjejnë hamoninë mes mendjes dhe zemrës kanë arritur të krijojnë vepra të gjithmonshme dhe të gjithhershme, të tillë si: Ingmar Bergman, Federico Fellini dhe Andrei Tarkovsky.

Në filmin e ‘Prokës’ përkundër konflikteve personale, reflektohen edhe tensionet shoqërore të kohës kur është krijuar si projekt.

“Secili nga ne në një mënyrë ka kontribuar në atë mision, në atë që quhet dëshmi për përkushtimin atdhetar. I pari që e jep dëshminë e tij është populli, populli i shpreh së pari të gjitha pakënaqësitë, natyrisht pjesë e popullit jemi të gjithë ne dhe po nuk fole me gjuhën e popullit është anakronizëm. Ne e kemi ndier që duhet të themi diçka edhe ne si krijues, por kjo që duhet të themi diçka në një mënyrë e zbehë autorësinë në një film. Në një vepër artistike, sepse të bart gjendja emocionale për të thënë dicka më fuqishëm, për të dërguar një mesazh”, ka thënë më tej profesor Qosja.

Më tutje, profesor Qosja ka thënë që filmi Proka përmban shumë arte të veçanta ne vetvete duke përfshirë artin e muzikës, letërsisë, fotografisë të cilat filmin e bëjnë një art vërtetë madhështorë, shumë domethënës dhe kuptimplotë me mesazh.

“Sa herë i shoh filmat e mij, shoh që kam shumë gabime, shumë kisha me i ndryshu, është atësi e pandershme, por ja që ne i shohim shumë më shpesh gabimet se ato që ja vlenë. Megjithatë, “Proka” ka një të mirë. Atë kundërshtinë e tij të heshtur, e cila është mesazh i përhershëm. Ajo më pëlqen si vijë gjenerale, si vijë e përgjithshme. Ajo më pëlqen, ndoshta për faktin që unë nuk jam njeri që shërbehem me potera. I marr në heshtje të gjitha, gjërat, natyrisht thonë që ato që shkarkohen në heshtje bëjnë më keq, por shumë më mirë është me e mbajtë të keqen në vetvete, se më ju përplasë të tjerëve. Kështuqë “Proka” e ka këtë vlerë për mua dhe ka vlerën e freskave në kuptimin e rëndësisë së fotografisë”, ka thënë profesor Qosja duke e zgjeruar rëndësinë e fotografisë në film.

“Secila pamje ka pasur në vetvete një mesazh të vogël. Këta filma të vegjël e bëjnë një film më të gjatë. Te dikush kjo mund të mos funksionjë, unë mbetem në atë rrugën e vjetër të filmit i cili shprehet me fotografi në mënyrën më kuptimplote. E di që ka teksti shumë rëndësi, por nganjëherë ndodhë që ne duke u marrë me tekstin ne harrojmë përmbajtjen, posaqërisht aktorët e kanë këtë veti. Aktorët që e trajtojnë më shumë tekstin se sa përmbajtjen nga pak kalojnë në skenën teatrale. Fotografia është ajo që e gëlltitë tekstin, andaj në situata të tilla duhet pasur kujdes”, ka thënë ai.

Profesor Qosjen e frikëson plani i afërt në krijimin e filmit, pasi sipas tij është një teknikë e cila kushton shtrenjtë.

“Duhet pasur kujdes nga plani i afërt. Unë e kam frikë planin e afërt. Fakti që me plan të afërt ti i sheh sytë e njeriut prej të cilëve nuk mund të ikësh, nuk ke nga ja mban, sytë e njeriut janë pasqyra e brendshme dhe po i pe sytë e njeriut nëse ata sy nuk ta sjellin gjendjen spontane, qetësinë, po të shqetësojnë automatikisht ke dalë prej linje. Planet e afërta janë të shtrenjtë”.

Natyra si element përbërës i çdo kuadri, lidhshmëria e regjisorit Isa Qosja me natyrën

Për regjisorin Isa Qosja, natyra përbën një element shumë të rëndësishëm krijues, qoftë në aspektin e formësimit të njeriut, qoftë në aspektin e inspirimit të artistit për të realizuar vepër arti.

“Natyra është pjesë e asaj që unë e konsideroj ngjarje, tregim. Natyra ndikon në secilin njeri, në secilin nga ne. Ne jetojmë së bashku me natyrën dhe në momentin që e ndiejmë fuqinë e natyrës, ne shprehemi ndryshe. Kjo është përshtypja ime. Është një intuitë brenda njeriut, brenda natyrës që shpalos dashurinë me natyrë të veçantë. Në natyrë të veçantë e shpalos edhe mos durimin, emocionin që se ka njohur. Natyra ka ndikim të jashtëzakonshëm, prandaj e konsideroj si një element themelor në një kuadër”, ka thënë ai.

Profesor Qosja ka lindur  në vitin 1949 në Vuthaj të “Malit të Zi”, fshat ky i cili është i njohur për natyrën e tij të mahnitshme dhe të paprekur. Ky fshat ndodhet në zemër të Alpeve Shqiptare dhe ka një peizazh të mrekullueshëm malor me male të larta dhe maja mbresëlënëse.

“Nganjëherë mund të duket një lloj western-i i vogël sepse është element konstituiv i përmbajtjes brenda asaj që e quajmë brendësi të njeriut. Është e pamundur ta evitosh. Është e pamundur ta evitosh edhe fuqinë e natyrës, është themelore ajo dhe nganjëherë dijmë me besu në fuqinë e natyrës dhe në unifikimin e ndjenjës sonë me reagimin e natyrës. Mund të reagojë natyra. Një shi mund të bie rastësisht por që përputhet me momentin e gjendjes sonë emocionale”, ka thënë ai.

Heshtja, mençuria më e madhe e njeriut

Profesor Qosja në pjesën më të madhe të jetës së vetë thotë se ka qenë oportunist, dhe se më të dobishëm për shoqërinë sipas regjisorit janë njerëzit e kundërt me të.

“Diku të mësojnë, sepse heshtja është menquria më e madhe, ajo që nuk thuhet shpeshherë është ideja më e menqur. Dhe nëse ajo depërton te bashëbiseduesi ose bashkëbiseduesi te të tjerët, atëherë ne me të vërtetë hipotetikisht po themi një teori që për mua funksionon shpesh. Në zhargonin modern mund të quhet edhe oportunizëm që është veti e keqe thonë, por mua më ka ndodhur në shumicën e jetës time të jem oportunist. Është veti e keqe por që ndodh edhe tani. Janë shumë më të drejtëpërdrejt, më të dobishëm ata që nuk janë të tillë, ata që e thonë atë që mendojnë. Epo njerëzit janë të ndryshëm për aq mund të jenë të dobishëm ose jo. Në këtë kahje, në këtë mënyrë unë nuk jam i dobishëm”, ka thënë profesor Qosja.

Kukumi, një dilemë për njerëzit e pasluftës

Një film tjetër të cilin e ka realizar Profesor Qosja është “Kukumi”, në vitin 2005, që trajton një histori të thellë mbi pasojat e luftës, dhe ato të cilat priteshin të barteshin pas luftës te një popull i cili do të ishte komplet i lirë.

“Kukumi ka qenë një dilemë për të gjithë. Kam qenë edhe unë. Pas luftës ka pasur shumë kukuma, për atë e ka edhe emrin e tillë. E ka më shumë tingëllimë se sa emër të vertetë. Sepse ka pasur edhe shumë paqartësi. Droja ime ka qenë që ndoshta ne nuk do të sillemi mirë në momentin kur do të jemi plotësisht të lirë, sepse do ta konsiderojmë që gjithçka na takon përnjëherë dhe gjithcka mund të bëjmë përnjëherë. Ka qenë kjo pyetja ime a do ta qëndrojmë të tillë çfarë jemi treguar një kohë shumë të gjatë, shumë unik, shumë së bashku, shumë pranë, a do të qëndrojmë edhe  më tutje dhe kam pasur frikë të dehumanizimit të shoqërisë, dhe për fat të keq ajo urë për të cilën mendojsha se do të kalojmë sigurtë tash në anën tjetër, që shumë gjatë kemi qëndruar në një anë, ajo urë filloi të lëkundet”, ka thënë Qosja, duke potencuar që në këtë projekt ka punuar edhe me mendje edhe me zemër.

Profesor Qosja më tej ka thënë se mesazhi i fundit i Kukumit sado i vrazhdë të ketë qenë, ende mbetet i tillë, dhe është i qëndrueshëm.

Parametrat e paevitueshëm që e përkufizojnë një film të mirë:

Profesori Isa Qoja ka thënë që në filamt e tij gjithmon më shumë i vë re gjërat të cilat do të donte t’i ndryshonte se sa ato që realisht vlejnë. Nisur nga kjo ai tha që nëse do të mund t’i bashkonte të gjithë filmat e tij në një, do të kishte arritur të krijonte një film ashtu siq do të dëshironte vërtetë.

Sipas tij parametrat e pazëvendësueshëm për të krijuar një film të mirë janë: skenari i mirë, interpretimi i mirë i aktorëve dhe fotografia e mirë.

Nuk e përmenda regjinë, pasi regjia i ka të gjitha këto në distribuim. Pra, skenari që është thelbësor, pa skenar të mirë, s’ka film të mirë, prej skenarit të mirë mund të bëhet edhe film i keq, jo shumë por prej skenarit të keq kurrë film të mirë s’mund të bëjmë. Fotografia e mirë prej së cilës varen emocionet tona, pra ne mundemi me e ndëgju rrëfimin e dikujt si vokal pa fotografi, po e zëmë, por neve na bën përshtypje vazhdimisht se kush qëndron prapa atij territ. Pra na duhet fotografia, na duhet ajo dritë në hije që e themi. Dhe natyrisht ai që e bartë vetitë e një njeriu, e një personazhi nji karakteri, pra aktori për mua këto janë tri ememente konstante fanatike”, ka thënë Qosja.

Filmat mbi luftën e Kosovës, tema kryesore e luftës dhunimi i 20 mijë grave

Nisur nga përvoja e amerikanëve të cilët vetëm pas 50 vitesh nga Lufta e Dytë Botërore kanë arritur rezultatet maksimale të të krijuarit film mbi temat e luftës, Regjisori Qosja ka thënë që për të sjellë një film të madh për temën e luftës së Kosovës nuk është koha e duhur tani.

“Unë mendoj që lufta jonë është tema e dhunimit të 20-mijë grave. Ajo është lufta më e tmerrshme që e kemi përjetuar, mendoj që për atë temë duhet me pas akoma kohë dhe duhet të vijë një film i madh në atë degë. Duhet të vijë sado që është punuar, punohet dhe janë filma me të vërtetë me arritje të mira të gjithë, por që është tema më e madhe të cilës i duhet përkushtuar jo tani, më  vonë, ashtu qysh mendoj që nuk i duhet tani Kosovës një film për luftën sepse është herët. Janë gjiruar shumë emisione, aq sa njerëzit janë të ngopur me informacione. Duhet ato informacione të hyjë pak në arkivë që të harrohen pak, që më pas të vijmë me një kujtesë përmes një filmi i cili e ka një fuqi, që vetëm filmi mund të ketë. Natyrisht filmi dhe vetëm filmi”, ka përfunduar Qosja.

Ky bashkëbisedim i këndshëm për të gjithë audiencën ka qenë projket i aktores Vlora Merovci, të cilin e ka mbështetur Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Rexhep Qosja: Rëndësia e Kongresit të Manastirit për kombin shqiptar

Mes datave 14 dhe 22 nëntor të vitit 1908 është mbajtur Kongresi i Manastirit që kulmoi me caktimin e alfabetit të Gjuhës shqipe më 22 nëntor.

Në përvjetorin e kësaj date, është publikuar një dorëshkrim i akademikut Rexhep Qosja.

Përmes dorëshkrimit të tij, që e ka publikuar “Euronews Albania”, Qosja kujton përpjekjet dhe përkushtimin e delegatëve të këtij Kongresi, të cilët hodhën themelet për një identitet kulturor të qartë dhe të bashkuar.

Akademiku thekson se Kongresi i Manastirit është një ngjarje historike për kombin shqiptar, pasi i dha shqiptarëve për herë të parë një alfabet të standardizuar, si dhe ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.

Dorëshkrimi i Rexhep Qosjes, sipas EuronewsAlbania:

Gati të gjitha veprat, monografitë, studimet, trajtesat dhe shkrimet për Kongresin e Manastirit, fillojnë me shprehjen e bindjes se ky Kongres është ngjarje shumë e rëndësishme e Kulturës dhe kombit shqiptar. Ka një varg arsyesh e të dhënash për një vlerësim të tillë të Kongresit të Manastirit, por megjithatë dy janë kryesoret.

E para, Kongresi i Manastirit është ngjarja historike që gjuhës shqipe, kombit shqiptar, ia solli një alfabet, alfabetin e bazuar në alfabetin latin.

E dyta, Kongresi i Manastirit është ngjarja që me alfabetin, me një alfabet dhe me qëndrimet e organizuesve të tij dhe delegatëve të zgjedhur prej viseve të ndryshme shqiptare ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës së përbashkët letrare, domethënë të Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit janë çështje të mëdha, më të mëdhatë të Gjuhës Shqipe.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit, duke qenë çështje të mëdha, më të mëdhatë e gjuhës shqipe, janë njëkohësisht çështje të Shkollës Kombëtare. Gjuha, alfabeti dhe Shkolla ishin dhe janë përbërës gjithëjetshëm e gjithëkohshëm të rëndësishëm të kulturës së çdo populli, prandaj edhe të Popullit shqiptar.

Në Kongresin e Manastirit do të merrnin pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë Atdheut.

Delegatët me të drejtë vote ishin shkrimtarë dhe publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, veprimtarë të lëvizjes kombëtare.

Në mbledhjen e pasdites së parë të Kongresit do të zgjidhej Kryesia që do të udhëhiqte e drejtonte punimet e Kongresit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, ndërsa sekretarë Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet Bej Vrioni.

Duke parë se sa e përbërë do të ishte zgjidhja e dëshiruar, e rëndësishme e gjithëjetshme e çështjes në fjalë, disa nga diskutuesit e quajtën të nevojshme të propozojnë që të krijohet një Komision, të cilit do t’i besohej vendimi për çështjen e alfabetit.

Komisioni do të përbëhej prej përfaqësuesve të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit” e të “Agimit” dhe të disa publicistëve e intelektualëve të njohur. Komisionit iu besua me vota të fshehta vendimi për një alfabet të cilin delegatët e Kongresit zotoheshin se do ta pranonin detyrimisht si alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Kryetar i Komisionit u caktua Gjergj Fishta, i cili mori numrin më të madh të votave.

Kryeministri Kurti viziton akademik Qosjen për 88- të vjetorin e lindjes: Puna e tij prej vigani e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti,ka vizituar akademikun Rexhep Qosja me rastin e 88 vjetorit të lindjes, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se puna e tij si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe si kritik letrar i shquar, e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:

Rexhep Qosja, 88 vjet të plota të jetuara e të shkrira në qenien prej vigani në fjalë e në pendë.

Sot pata nderin të vizitoj shtëpinë e autorit të shquar për ta uruar personalisht për ditëlindjen e tij të 88-të.

Kontributi i tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare janë të pashoqe, duke e bërë atë një figurë të dashur në Kosovë dhe më gjerë. Nga fillimet e tij të hershme në Vuthaj deri te rolet e tij të rëndësishme në edukim dhe letërsi, udhëtimi i tij ka qenë një burim frymëzimi. Si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe një kritik letrar i shquar, puna e tij ka pasuruar trashëgiminë tonë kulturore.

Jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë!/ KultPlus.com

Fragment nga ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’

Fragment nga Rexhep Qosja

Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij. /KultPlus.com

Fragment nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë”

Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij. /KultPlus.com

Botohet monografia për dramat e Rexhep Qosjes

Studiuesi i dramës, Berat Dakaj (alias Armagedoni), ka botuar sot librin studimor “Dramat e Qosjes (monografi)”, të cilin para disa vjetësh e ka pasur punim të diplomës së masterit, paraqitur dhe mbrojtur në Fakultetin e Arteve Dramatike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nën udhëheqjen e mentorit, profesorit Haqif Mulliqi.

Në këtë monografi janë analizuar, interpretuar dhe studiuar dramat e Rexhep Qosjes me titull “Mite të zhveshura”, në të cilën përmbledhje të dramave, në botimin e parë dhe të dytë të tyre janë përfshirë dy drama dhe një monodramë, kurse në botimin e tretë dhe të katërt edhe një monodramë tjetër, e cila nuk është marrë për studim në këtë monografi pasi, sipas Armagedonit, është dramë shumë e thjeshtë artistike dhe është dramë me motive krejtësisht politike.

Monografia s’është ndarë në kapituj, por emërtimi i njësive dhe ndarja e tyre u ngjajnë kapitujve. Në fillim të librit është dhënë shpjegimi për dramën, për origjinën e dramës, për nocionet e dramës, për poetikën dhe evolucionin e saj ndër shekuj. Po në këtë kontekst teorik dhe historik, për poetikën e dramës janë dhënë mendimet e Aristotelit, të Baluhatit, të Platonit, të Hegelit e disa shpjegime të tjera të shkëputura nga fjalorët shqip dhe anglisht për mimesisin dhe katarsisin, pastaj disa shpjegime të librave teorikë për dramën në përgjithësi.

Së këndejmi, duke marrë njohuri teorike nga këta teoricienë të teatrit e të dramaturgjisë, janë analizuar praktikisht dhe veç e veç dramat e Qosjes, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Vdekja e një mbretëreshe”, jo edhe “Bardha” e tij, të cilat janë përfshirë në “Mite të zhveshura”.

Ndër të tjera, meqë dramave të tij u paraprijnë peritekstet, janë analizuar edhe ata, pasi nëpërmjet tyre është parë ajo çfarë shprehin dramat e tij dhe ato çfarë kanë dashur të shprehin ose mund të kenë shprehur gjatë shfaqjes së tyre në teatër, regjisorët. Dhe, meqë këto drama kanë motive intertekstuale dhe janë të motivueshme politikisht, janë vënë në raport krahasimi me ato që u shëmbëllejnë: me arketipat të cilët kanë pësuar transformim zhanror.

Përpos kërkimit të gjenezës së intertektstit e arketipave e shfaqjes së tyre në dramat e Qosjes, është bërë edhe një kërkim gjenetik i botimit të tyre, duke i parë variantet e tyre botim pas botimi.

Profili i Qosjes një ditë pas moshës 83 vjeçe

Nga Berat Dakaj

Rexhep Qosja (1936), i cili nga shumë studiues është konsideruar dhe konsiderohet erudit, është shkrimtari më i njohur në Kosovë. Ka bërë emër të historianit e të studiuesit të letërsisë pasi ka botuar dhjetëra libra të kësaj natyre: Vazhdimësi, Panteoni i rralluar, Asdreni: jeta dhe vepra, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Shkrimtarë dhe periudha, Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Anatomia e kulturës, Episodet letrare, Dialog me shkrimtarë, Nocione të reja albanologjike, Kritika letrare, Historia e letërsisë shqipe: Romantizmi 1, Historia e letërsisë shqipe: Romantizmi 2, Historia e letërsisë shqipe: Romantizmi 3, Porosia e madhe, Tri mënyra të shkrimit shqip, Semantika e ndry-shimeve historiko-letrare; edhe të shkrimtarit, pasi i ka shkruar: Antologjia e lirikës shqipe, I ringjalluri i penduar, Mite të zhveshura, I ringjalluri i penduar, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Një dashuri dhe shtatë faje, Nata është dita jonë, Bijtë e askujt 1, Bijtë e askujt 2; edhe të historianit e të publicistit: Shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova, Çështja shqiptare – historia dhe politika, Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, Paqja e përgjakshme, Tronditja e shekullit 1, Tronditja e shekullit 2, Rilindja e dytë;Populli i ndaluar, Strategjia e bashkimit shqiptar, Ligjërime paravajtëse, Fjalor demo-kratik, Demokracia e shpërdorur, Intelektualët, etika dhe politika; edhe të polemistit: Populli i ndaluar,Strategjia e bashkimit shqiptar,Çështja shqiptare: historia dhe politika,Morfologjia e një fushate, Ideologjia e shpërbërjes, Realiteti i shpërfillur, Të vërtetat e vonuara; edhe të kronikanit Dëshmitar në kohë historike etj. Disa prej këtyre veprave, veçanërisht artistike (romanet e dramat), i janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, arabe, kroate, holandeze, serbe. Fatkeqësisht, sa ka merituar, ka depërtuar në pak gjuhë të botërore.

Veprimtarinë artistike të Rexhep Qosjes studiuesit, meqë s’kanë mundur ta nxjerrin një paralele me shkrimtarët e tjerë shqiptarë, e kanë krahasuar me të Kafkës, të Rusoit, të Volterit, të Zolës, të Eliotit. E kanë krahasuar e i kanë dhënë këto epitete: Kafka i lindjes, Volteri i Ballkanit, Shkrimtari më i mirë shqiptar jashtë trungut shqiptar,kapedan i shqiptarizmës… etj. Ndërkaq, duke bërë një krahasim të veprave të tij me të shkrimtarëve shqiptarë, ai pa dyshim se është një ndër më të shquarit e letërsisë dhe kulturës sonë dhe i krahasueshëm shpeshherë, për shkak të nivelit estetik dhe stilistik e temave të reja në veprat artistike e, i kundërshtueshëm, për shkak të pikëpamjeve të tyre kombëtare, vetëm me Ismail Kadarenë. Ndërkaq, për nivelin e studimit e të prodhimit, të librave të shumtë, e kanë krahasuar me punën e një akademie të tërë e të institucioneve e instituteve shkencore dhe historike. /KultPlus