QRTK në Prizren ka përgatitur projekt propozimin e Muzeut të Dhunës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka zbatuar projektin “Hulumtimi dhe dokumentimi i ish-burgut në ndërtesën e QRTK-së Prizren.

Synimi i veçantë i këtij projekti ishte hulumtimi dhe grumbullimi i shumë materialeve, përfshirë dokumente arkivore, fotografi, intervista me dëshmitarë të kohës, ish të burgosurit politik dhe familjarët e tyre, duke dokumentuar dhe faktuar rrëfimet për ish burgun e OZN-ës në Prizren gjatë viteve 1945-65.

Gjatë procesit të punës, ekipi fillimisht është angazhuar në grumbullimin e materialeve të ndryshme arkivore të siguruar nga Agjencia Shtetërore e Kosovës, Arkivi Ndërkomunal i Prizrenit, Shoqata e të burgosurve politik shqiptar – dega në Prizren, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Biblioteka e qytetit të Prizrenit, etj. Pos materialeve arkivore, informata të rëndësishme janë siguruar edhe nga botimet e ndryshme shkencore të cilat janë prezantuar nëpër konferenca të ndryshme në të kaluarën. Gjatë hulumtimit, paralelisht janë realizuar edhe intervista me dëshmitar të kohës, kryesisht të moshës së shtyrë, intervista me të burgosurit, të cilët janë akoma gjallë, intervista me familjarët e të burgosurve politik, intervistë nga historianët, të cilët kanë  rrëfyer për  ngjarjet e periudhës së viteve 1945-1965

Bazuar në të gjitha dëshmitë e dokumentuara, së shpejti do të finalizohet edhe dokumentari televiziv i cili do të paraqet përjetimet dhe dëshmitë rrëqethëse të dënuarve politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren theksoi se   referuar dokumenteve të shumta arkivore të cilat janë grumbulluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore është përgatitur propozimi i projektit “muzeu i dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me funksionalizimin dhe shndërrimin e ndërtesës në hapësirë muzeore, do të shpalosen dhe vizualizohen pamjet e shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte shtypjen e popullit tonë me dekada të tëra,  ka theksuar drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha. / KultPlus.com

QRTK në Prizren synon t’i rikthejë shkëlqimin shtëpisë së familjes Dukagjini dhe Muriqi

Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Dukagjini dhe familjes Muriqi në qytetin e Prizrenit.

Krahas historikut kjo shtëpi ka edhe një sërë vlerash ndërtimore dhe arkitektonike. Shtëpia e familjes Dukagjini dhe Muriqi është ndërtuar në shek. XIX, ndërkohë që në periudha të ndryshme janë kryer ndërhyrje restauruese. Ajo është një ndër ndërtimet më tipike në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit.

Duke u bazuar në stilin e ndërtimit dhe tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit mund të thuhet se objekti i përket shtëpive me sallë qendrore, kjo për arsye të rolit qendror të salloneve tek të dy katet. Sipas nevojave të pronarëve të shtëpisë, objekti është e ndarë në dy pjesë, dhe sot shfrytëzohet si shtëpia e familjes Dukagjini dhe shtëpia e familjes Muriqi. Shtëpia pas ndarjes ka humbur tipologjinë e saj origjinale por ende ruan vlerat artistike dhe arkitekturore të saj.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha thotë se “Hartimi i projektit restaurues për këtë shtëpi është një tjetër hap i rëndësishëm i politikave të Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje restauruese në shumë asete të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente”.

Projekti i restaurimit është hartuar nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe po mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, meqë rast synon t’i rikthejë shkëlqimin e munguar kësaj pasurie të trashëgimisë sonë kulturore. / KultPlus.com

QRTK në Prizren, nisë projektin “Edukimi i të rinjve mbi Trashëgiminë Kulturore”

Përveç identifikimit, dokumentimit, verifikimit të vlerës dhe gjendjes së trashëgimisë kulturore gjatë procesit të inventarizimit, monitorimit të aseteve të trashëgimisë kulturore, përzgjedhjes dhe propozimit të aseteve për mbrojtje, përfshirjes në intervenime konservuese-restauruese dhe atyre me karakter shpëtimi, sot kemi filluar edhe me ligjëratat për edukimin e të rinjve mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore.

Ligjëratat kanë për qëllim vetëdijesimin e të rinjve mbi vlerat e trashëgimisë kulturore dhe angazhimin e tyre në mbrojtjen dhe promovimin e kësaj pasurie.

Njëra ndër arsyet kryesore të degradimit dhe humbjes së vlerave të trashëgimisë kulturore është mungesa e informacioneve mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe si rrjedhojë mos angazhimi i qytetarëve në ruajtjen e saj. Të rinjtë i kemi përzgjedhur sepse përfaqësojnë të ardhmen, kështu që vetëdijesimi i tyre mbi rëndësinë dhe vlerat e trashëgimisë kulturore rritë përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e saj, si dhe përkujdesjen që të vazhdon të ruhet edhe në të ardhmen dhe t’i përcillet gjeneratave që do të vijnë pas tyre.

Nëpërmjet këtyre ligjëratave do të përpiqemi që t’i ndërgjegjësojmë nxënësit mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, sepse ajo është pjesë përbërëse e jona. Trashëgimia kulturore përfaqëson identitetin tonë, historinë tonë, lidhjen tonë me të kaluarën, për më tepër, përfaqëson gjithçka që ne kemi trashëguar nga të parët tanë, të cilat duhet që t’i ruajmë e t’ua përcjellim gjeneratave të ardhshme. Trashëgimia kulturore përfaqëson një vlerë unike për çdo individ në veçanti dhe çdo shoqëri në përgjithësi.

Edukimi dhe formimi i hershëm i të rinjve mbi vlerat e trashëgimisë kulturore është shumë i rëndësishëm, sepse i mëson të kapërcejnë injorancën dhe iluzionet për identitete ekskluzive dhe përçmimin që mund ta kenë për kulturat tjera dhe trashëgiminë e tyre.

Derisa në njërën anë përforcon ndjenjën e krenarisë dhe dashurisë për trashëgiminë e tyre kulturore, në anën tjetër rritë respektin dhe tolerancën ndaj trashëgimisë së komuniteteve tjera. Edukimi në rini ofron perspektivë afatgjate në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe siguron vazhdimin e traditave në kohërat moderne.

Për vitin 2018, ligjëratat do të përfshijnë qytetin e Prizrenit, Regjionin e Hasit dhe të Anadrinisë. Ndërsa për vitin 2019, është paraparë që të përfshihet i gjithë Regjioni i Prizrenit./ KultPlus.com

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore demanton Komunën e Prizrenit

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka mohuar lajmin se komuna e Prizrenit dhe kjo qendër ka përpiluar listë të objekteve që paraqesin rrezik brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

Sipas kësaj qendre, lista e Drejtorisë së Emergjencave dhe Sigurisë ka ardhur si kërkesë për shqyrtim në QRTK, kërkesë të cilën e kanë shqyrtuar në Qendrën Rajonale dhe iu kanë kthyer përgjigje, duke dhënë konkluzionet për çdo objekt i cili ka qenë në listë.

”Dje në faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit është plasuar një lajm, ku tregon për punët e Drejtorisë së Emergjencave dhe Sigurisë, si dhe Drejtorisë së Inspektoratit në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht zbatimin e disa veprimeve për rrënim të objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit, duke u bazuar në një listë kinse të përpiluar në bashkëpunim me QRTK-në. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në asnjë moment nuk ka dhënë pëlqim për rrënimin e objekteve në Qendrën Historike të Prizrenit, përkundrazi, ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit që të bëj përforcimin dhe sigurimin e strukturave të objekteve, përveç rasteve të evidentuara për pastrim të rrënojave të objekteve të cilat janë të rrënuara”, thuhet në komunikatën e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore./ KultPlus.com

QRTK reagon rreth rrënimit të shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren

Tani kur po afrohemi fundit të vitit kalendarik 2017 dhe të gjithë jemi duke bërë vlerësimin e arritjeve dhe sfidave që na përcollën gjatë këtij viti, rrënimi i shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren shkaktoi një dis-balans duke e njollosur rezultatet e punimeve të kryera sivjet, e që nuk janë të pakta.

Përveç tjerash ky vit ishte edhe viti jubilar i institucionit tonë ku kohë më parë kemi shënuar 50 vjetorin e themelimit, me disa aktivitete modeste për shkak të angazhimit të madh që ka pasur institucioni ynë në përmbushjen e planifikimeve dhe objektivave programore. Vetëm sektori i arkitekturës gjatë vitit 2017 ka bërë ndërhyrje restauruese – konservuese në 20 objekte të ndryshme krahas punëve tjera si rivlerësimi, inventarizim dhe propozimi i objekteve të tjera për mbrojtje të përkohshme, hartimi i projekteve për ndërhyrje, shqyrtimi i lëndëve investive nga palët dhe institucionet, mbikëqyrje, konsultime me palë të ndryshme, etj.

Ky vit jubilar u përmbyll me aktivitete rekorde në krahasim me 18 vitet e kaluara. Shkatërrimi i shtëpisë së familjes Myftiu, këtij aseti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dha një goditje të rëndë bindjes sonë se jemi duke përparuar në vetëdijesimin e opinionit dhe institucioneve në ruajtjen e trashëgimisë kulturore si vlerë universale e njerëzimit. Shtëpia e familes Myftiu është vlerësuar si monument kulture me numrin unik 507 dhe gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2017-2018. Ndërtesa është inventarizuar, janë evidentuar vlerat e saj arkitektonike – estetike, historike, shoqërore dhe shkencore. Është bërë edhe rilevimi i gjendjes ekzistuese dhe ka qenë e propozuar për ndërhyrje restauruese gjatë këtij viti. Fatkeqësisht pronarët nuk kanë pranuar të bëhet ndërhyrja, duke u arsyetuar se ndërtesa është pronë e disa trashëgimtarëve, dhe nuk po arrijnë një marrëveshje të brendshme për të lejuar restaurimin e ndërtesës. Përkundër faktit që janë njoftuar rreth obligimeve dhe detyrimeve të pronarëve të aseteve të Trashëgimisë Kulturore, në bazë të Ligjit (Nr.02/L-88) të Trashëgimisë Kulturore, nuk kemi arritur t’i bindim për të lejuar ndërhyrjen.

Kjo situatë e palakmueshme është paraqitur në departamentin e Trashëgimisë Kulturore, me ç’rast kemi kërkuar që të ndërmerren hapat konkrete ndaj pronarëve për pengimin e ndërhyrjeve restauruese, bazuar në dispozitat ligjore. Duke menduar që ndërmarrja e veprimeve ligjore do të parandalojë rrënimin e qëllimshëm të këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore, dhe do të kontribuojë në vetëdijesimin e pronarëve tjerë. Po ashtu është kërkuar të ndërmerren masa ligjore ndaj shkatërruesve të këtij aseti shumë të rëndësishëm kulturo-historik që përveç humbjes së monumentit kanë krijuar një imazh të shëmtuar për qytetin, respektivisht për Kosovën që nuk mund të kujdesej për trashëgiminë e vet kulturore.

Ne si Qendër Rajonale e Trashëgimisë Kulturore vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive tona për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë të përbashkët kulturore./ KultPlus.com