Queen Latifah do të nderohet për arritje jetësore në ngjarjen “BET Awards”


Ylli i hollywoodit, Queen Latifah, do të bëhet artistja e tretë më e re në moshë që do ta pranojë shpërblimin special “BET Award”, për arritje jetësore.

Queen Latifah është 51-vjeçare, por kjo konsiderohet një moshë relativisht e re për t’u nderuar me çmim për arritje jetësore. Sërish, një gjë e tillë do të ndodhë për artisten e njohur amerikane.

Të hënën më 14 qershor, organizatorët e ceremonisë “BET Awards” e bënë të ditur lajmin se, Queen Latifah, do të pranojë këtë shpërblim special që e vlerëson kontributin e saj si performuese, në edicionin e ri të kësaj ngjarjeje e cila zë vend më 27 qershor.

Kështu, Latifah e cila e kishte prezantuar këtë ceremoni në vitin 2010, bëhet solo artistja e tretë më e re në moshë që e pranon këtë trofe.

Këngëtarja më e re e nderuar në të kaluarën ishte, Whitney Houston, e cila ishte vetëm 37-vjeçare kur iu nda ky çmim në vitin 2001. E dyta është, Mary J. Blige, e cila u nderua për arritje jetësore para dy vjetësh, kur ajo ishte 48-vjeçare.

Solo artisti më i moshuar i nderuar me këtë shpërblim ishte, Smokey Robinson, i cili ishte 75-vjeçar kur e pranoi çmimin në vitin 2015. Pas tij vjen James Brown, i cili u nderua në vitin 2003, kur ishte 70-vjeçar.

Samuel L. Jackson është ylli i vetëm i cili nuk i takon muzikës, që është nderuar për arritje jetësore në këtë ceremoni. Ai u nderua në të njëjtin vit kur vdiq këngëtari, Prince, dhe organizatorët menduan se asnjë artist nuk do të dëshironte apo mundte të garojë me muzikantin e ndjerë, prandaj vendosën që shpërblimin t’ia dhurojnë një ylli të kinematografisë.

Disa prej artistëve ikonik që janë nderuar me shpërblim për arritje jetësore nga “BET”, janë: James Brown, Chaka Khan, Diana Ross, Prince, Patti LaBelle, Charlie Wilson, Lionel Richie dhe të tjerë.

“BET Awards” është një ceremoni shpërblyese e themeluar në vitin 2001 nga televizioni “Black Entertainment Television”, dhe ka për qëllim t’i festojë arritjet e afrikano-amerikanëve në muzikë, aktrim, sport dhe fusha tjera të showbizit. Edicioni i sivjetmë i kësaj ngjarjeje që vjen e organizuar nën tematikën, “Viti i grave afrikano-amerikane”, do të prezantohet nga aktorja, Taraji P. Henson. / Koha.net / KultPlus.com