Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nga dita e sotme është “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë.
Këtë titull, të parit të shtetit, ia dhuroi Pallagorio, komunë në Provincën e Krotones.
Këshilli i kësaj komune i drejtuar nga kryebashkiaku, Umberto Lorecchio, vendosi me unanimet të plotë të nderojë Begajn me titullin “Qytetar Nderi”, i Pallagorios, shkruan tvklan.al, transmeton Klankosova.tv.
Begaj shprehu mirënjohjen e tij më të thellë duke theksuar se, e çmon jashtëzakonisht respektin dhe vlerësimin e tyre. “Ju siguroj”, u shpreh presidenti, “që do të vijoj angazhimin tim e të institucionit që drejtoj, për të zhvilluar më tej marrëdhëniet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve”.
Kryetari i Shtetit e cilësoi nderimin e sotëm nga arbëreshët e Pallagorios, “si një nga momentet në jetë që të shenjon shumë fort, të lë mbresa të pashlyeshme, por edhe është një përgjegjësi dhe angazhim për të vijuar nismat për Arbërinë.”
Bashkia e Durrësit miratoi sot vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).
Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale.
Ditën e nesërme në qytetin e Durrësit do të organizohet nën kujdesin e kryebashkiakes Sako edhe ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.
Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.
Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.
Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.
Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.
Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com
Shkrimtari shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare, është shpallur “Qytetar Nderi i Fushë Kosovës” nga Kuvendi Komunal dhe kryetari i Komunës Burim Berisha.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt sot në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” ku i pranishëm ishte edhe vetë shkrimtari.
Pasi ju dorëzua certifikata “Qytetar Nderi” nga kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, Kadare është shprehur falënderues ndaj këtij nderimi.
“Ju falënderoj të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje të bukur që tregon jo vetëm fuqinë e shqiptarisë, por fisnikërinë e këtij kombi i cili është një nga kombet kryesore të Evropës. Jam shumë i lumtur për këtë festim prekës që tregon se me sa këmbëngulje njeriu shqiptar e ka ngritur në qiell dashurinë e tij, fisnikërinë e tij, qytetërimin evropian. Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time”, është shprehur Kadare.
Kadareja ka tre ditë që po qëndron në Kosovë pasi erdhi si i ftuar nderi në Panairin e Librit “Prishtina 2023”. / KultPlus.com
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare sot në Tetovë është shpallur qytetar nderi i qytetit. Kadare tha se momente të tilla janë të rralla për shkrimtarët, që të flitet para lexuesve të botës iliro-shqiptare.
“Duhet të më besoni se nuk e kam lehtë të flas para jush, jo se nuk di të flas fjalë nga më të ndërlikuarat që mund të gjenden në botë sepse kam atë mjeshtëri, mjeshtërinë e fjalës por sepse qaste të tilla janë shumë të rralla në jetën e një shkrimtari, të jetë para lexuesve të një prej qyteteve të pafundme të botës iliro-shqiptare”, tha mes tjerash Kadare, përcjell TV21.
Kadare shprehu falënderimet e tij ndaj të pranishmëve ndërsa tha se ngjarje të tilla pasurojnë edhe të ardhmen, që ju përket brezave të ri.
“Unë kur dëgjoj fjalët e bukura tuaja për atë çfarë kam shkruar, harroj çdo mundim që kam përjetuar, sepse shkrimtari ka mundime të mëdha kur shkruan, por nuk ka vlerësim më të madh për të sesa mbledhje të tilla kur njerëzit presin të dëgjojnë nga goja e tij diçka edhe më tepër për atë që kanë lexuar nga dora e tij. Ju falënderoj jashtëzakonisht”, pohoi mes tjerash Kadare. / KultPlus.com
“Mbretëresha” e Evropës, Luiza Gega, pas nderimeve dhe ceremonisë shtetërore që iu bë në kryeministri, ka marrë një tjetër vlerësim shumë të lartë. Qyteti i sajë i lindjes, Bulqiza, ka shpallur atleten “Qytetar Nderi”, një titull dhe një vlerësim shumë i lartë.
Me konsensus të plotë dhe me një mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Bashkiak i Bulqizës i ka dhënë Luiza Gegës këtë titull. Ndërkohë ceremonia e dorëzimit do të bëhet ditën e hënë.
Luiza Gega u shpallet kampione Evropë në Mynih, në garën e 3000 mijë metrave me pengesa. Gega vendos rekord në këtë kampionat ndërsa i dhurojë Shqipërisë medaljen e parë në atletikë. / BalkanWeb / KultPlus.com
Ahmet Brahimaj është shpallur qytetar nderi post mortum në Pejë. Kjo për kontributin e dhënë në fushën e baletit.
Ish-drejtori i Baletit, Ahmet Brahimaj, është titulluar si “Nderi i Qytetit” të Pejës, pas vdekjes së tij.
Brahimaj ishte ndër themeluesit e trupës së Baletit të Kosovës. Ai është një nga kontribuesit më të mëdhenj të zhvillimit të baletit në Kosovë.
Poashtu, në vendimin e komunës për dhënien e titullit qytetar nderit, përmendet se Brahimaj gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka vdekur në moshën 66-vjecare vitin e kaluar. /KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot çmimin “Qytetar Nderi i Gjilanit”, për gazetarin Marin Mema, për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, e në veçanti për angazhimin dhe kontributin e tij në shërbim të atdheut dhe kombit në përgjithësi, përcjell KultPlus.
Kryetari Haziri ka falënderuar kuvendarët e Gjilanit që votuan unanimisht për nismën e tij, në mbledhjen e të enjtes.
“Me votimin e Kuvendit të Komunës dhe në prani të shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi, në prezencë të nënkryetarit të Bujanocit dhe udhëheqësve më të lartë institucional e regjional të Gjilanit, sot e ndaj çmimin në emër të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, në vlerësim të punës dhe angazhimit që Marin Mema ka dhënë me punën e tij, e cila është mbarëshqiptare edhe përtej kufijve administrativë e politikë. Emri i Marinit tashmë përpos të një gazetari hulumtues, është emër i një patrioti që kalon përmasat e kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Haziri duke shtuar tutje se Mema ka forcuar lidhjen tonë dhe ka faktuar prezencën tonë dhe shpërndarjen tonë të farës shqiptare me qenie, kulturë, prezencë dhe gjuhë. Gjilani është i vendosur në pikën kufitare mbrojtëse të shumicës shqiptare.
Ai më tej ka folur për fatin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë të drejtave të tyre civile në Kosovë dhe të drejtave politike në Serbi.
“Gjilani vazhdon kontributin e vet për mbështetje të shqiptarëve në Kosovën Lindore, por njëkohësisht edhe të angazhimit për t’i sjellë Gjilanit figura të ndritura sikur Marini, i cili radhitet në mesin e emrave të shquar për ne, si Beqir Musliu, Bob Dole, presidenti Ilir Meta e të tjerë”, ka thënë ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se Gjilani i dha çmimin “Qytetar Nderi”, gazetarit që tashmë është i të gjithë neve kudo që jemi në Ballkan, Evropë dhe në botë.
“Ai me punën e tij ka zbardhur rolin tonë që kishim në të kaluarën dhe atë që kemi edhe sot. Marini është nga çdo trevë e shqiptarëve dhe jo vetëm kaq. Vepra e tij e ka ofruar atë në mesin e secilit prej nesh, në lagjen, familjen dhe qytetin tonë. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, Asambleja Komunale dhe qytetarët e Gjilanit e më gjerë, kanë bërë diçka shumë të madhe për Marin Memën”, tha mes tjerash, ambasadori Minxhozi.
Ndërsa, gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema, ka thënë se ky çmim dhe ky organizim është një kënaqësi dhe moment shumë i veçantë për të.
“Sot dhe gjithnjë e më shumë po dëshmojmë se dimë të afrohemi, por e ardhmja duhet të na ofrojë edhe më shumë. Duhet të çrrënjosen jo kufijtë mes nesh, por problemet që kemi e që janë gjera që gjithmonë na kanë mbajtur larg. T’i lëmë mëritë, përçarjet e konfliktet e të gjejmë rrugët e përbashkëta për të ecur bashkë në një rrugë që na përket. Pa të kaluarën, pa patriotizmin dhe pa historinë e ndritur që kemi, ne nuk ngremë dot, jo shtëpinë, por do ta quaja kështjellën e shqiptarisë. Është e nevojshme që ne të kuptojmë sakrificën që kanë bërë shqiptarët e mëdhenj e deri në sakrificën e luftës së Kosovës, ne kishim sakrifica të mëdha të prirë nga një luftë e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sot kemi një betejë të madhe atë të rrugëtimit të sigurtë brenda tokave shqiptare me frymën dhe pasurinë e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Mema.
Gjithashtu, në këtë takim ka folur nënkryetari i Bujanocit, Shqiprim Arifi, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për vlerësimin që bënë për personalitetet e veçanta dhe meritore, sikur që edhe përkushtimin e vazhdueshëm që kryetari i Gjilanit ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën Lindore.
Ndryshe, asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit me shumicë absolute kanë votuar të enjten për nismën e kryetarit Haziri për ta shpallur ‘Qytetar Nderi’ gazetarin e njohur shqiptar, Marin Mema. / KultPlus.com
Propozimin e Kuvendit Komunal të Bujanocit për shpalljen e Gent Cakajt “Qytetar Nderi” e ka kundërshtuar Ministrja e Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëadministrimit Lokal në Qeverinë e Serbisë, Marija Obradoviq, shkruan KultPlus.
Derisa mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit serb, Obradoviq tha se sot ka nënshkruar vendimin me të cilin refuzohet ky propozim.
“26 këshilltarë, nga 41 sa ka Kuvendi i Bujanocit kanë propozuar që Gent Cakaj të shpallet Qytetar Nderi i Bujanocit. Po, ata e kanë dërguar propozimin më 20 nëntor, dhe në mënyrë legale kanë vepruar, ku unë si ministre është dashur të nënshkruaj propozimin. Por, unë sot kam nënshkruar vendimin me të cilin refuzohet, propozimi i Kuvendit Komunal të Bujanocit, që ministri shqiptar Gent Cakaj të shpallet qytetar nderi i Bujanocit”, deklaroi ministrja.
Sipas saj, nuk mund të shpallet qytetar nderi një person i cili ka akuzuar Serbinë për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Ministri Gent Cakaj, ka deklaruar se gjatë luftës në Kosovë, se Serbia është përgjegjëse për vrasjen e mijëra shqiptarëve, për depërtimin e miliona shqiptarëve dhe djegien e mijëra shtëpive që në esencë në vlerë prej miliona dollarëve”, ka deklaruar ministrja Obradoviq.
Kuvendi Komunal i Bujanocit në seancën e fundit të mbajtur para dy javëve, me shumicë votash ka propozuar që ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, të shpallet qytetar nderi i Komunës së Bujanocit. / KultPlus.com
Dy institucione kulturore në Lezhës, që mbajnë emrin e Poetit Kombëtar (Biblioteka e qytetit “Gjergj Fishta” dhe Enti Botues “Gjergj Fishta”), kanë organizuar një takim me fishtologun Tonin Çobani, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së këtij të fundit.
Kësaj veprimtarie i ka paraprirë një ekspozitë me botimet e “shkrimtarit dhe studiuesit lezhjan”, i njohur në atë qytet si drejtues i institucioneve të kulturës, gazetar i rubrikave kulturore dhe si mësues letërsie. Libri me titull “Paralele kulturore të një qytetit” flet për Lezhën dhe është pasqyrë e veprimtarisë së tij më se tridhjetëvjeçare në atë qytet.
Së bashku me “Paralele kulturore…”, vendin kryesor në ekspozitën e botimeve të Çobanit e kanë zënë librat për Fishtën dhe veprën e tij: “Miti dhe antimiti fishtjan” (1999), “Fishtologji” (2006), “Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis” (2008), “Lahuta e Malcis, ngjizja mitologjike dhe fjalori mitologjik” (2012), “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2014) si dhe botimi më i ri, “Gjergj Fishta, fillimet letrare” (2017), që u përurua me këtë rast. Tonin Çobani është autor edhe i tekstit mësimor “Gjuha shqipe dhe letërsia 11” (me zgjedhje të detyruar, që analizon nga fillimi në krye vetëm Lahutën e Malcis), i cili është në qarkullim për shkollat e mesme qysh prej vitit 2011.
Për Fishtën Çobani është angazhuar edhe duke përgatitur për botim veprat e poetit zadrimor, që nisin me vëllimin “Poezi” (1994) dhe “Juda Makabe” (1995), e deri te botimi i veprave të plota në 10 vëllime, si redaktor përgjegjës dhe si kurator i dy vëllimeve të dramaturgjisë (Gjergj Fishta, Vepra letrare, 5-6). Vetëm titujt e botimeve origjinale të Çobanit (përfshirë tekstet shkollore) kapin shifrën 36, ndërsa së bashku me ribotimet e kalojnë numrin 60. Ndonjë prej tyre, si “Princi i përfolur Lekë Dukagjini” (“The vilified prince Lekë Dukagjni”), është botuar disa muaj më parë edhe në anglisht nga LAP, Lambert Academic Publishing.
Ndërkaq në njërën prej sallave të bibliotekës së Lezhës u zhvillua takimi me shkrimtarin dhe studiuesin Tonin Çobani në formatin e një bisedë të lirë. Tonin Çobani ka gradën shkencore “Doktor i Shkencave letrare” dhe titullin “Profesor i asociuar” nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në atë Universitet Profesor Tonçi (kështu e thirrasin ish-nxënësit dhe studentët e tij) ka dhënë për 6 vjet radhazi lëndën e Eseistikës (në degën e gazetarisë) si pedagog i jashtëm. U përmend ky fakt, sepse në ekspozitën e librave të autorit zinte vënd edhe teksti universitar “Eseistika”, i pari dhe i vetmi libër për eseistikën në gjuhën shqipe, që i ka fillimet me Pashko Vasën (“Shqypnia dhe shqyptarët”, 1879) për të mbërritur deri në ditët e sotme me autorë të tillë si Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare…
Me interes të veçantë u ndoqën vlerësimet për letërsinë fiction të autorit (“Një grua përballë vetvetes”, “Puthje pa puthje” dhe “Etyde në prozë”), për vëllimin me ese “Variacione me fjalën komb”, si dhe për monografitë kushtuar Lekë Dukagjinit, Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, Nënë Terezës… Për një monografi të pritshme kushtuar Gjergj Fishtës, shkrimtari dhe studiuesi Tonin Çobani u shpreh se pjesë e asaj monografie është edhe libri i ri që po promovohej (“Gjergj Fishta, fillimet letrare”) me parathënien e mikut të tij, Tefë Topallit, Profesor Emeritus. Për Gjergj Fishtën, përfundoi Çobani, nuk do të resht së hulumtuari sa të më punojë dora dhe mendja, sepse, vetëm duke zbuluar sa më në thellësi vlerat e Fishtës, njihet meritueshëm e gjithë letërsia shqipe dhe mbarë kultura shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX, dhe jo vetëm. Siç thoshte Konica për Fishtën qysh në gjallje, ai ka qenë një prijës intelektual i shquar i shqiptarëve.
Në bashkëbisedim e morën fjalën miq të autorit, shokë të fëmijërisë, bashkënxënës të Shkollës Pedagogjike të Shkodrës, të Universitetit të Tiranë dhe të Studimeve Pasuiniversitare. E mori fjalën edhe nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i cili shpjegoi titullin “Nderi i Qyetit” të Lezhës, akorduar me këtë rast studiuesit, shkrimtarit dhe fishtologut, Tonin Çobani. / KultPlus.com