Përveç Prishtinës, në të cilën funksionojnë dy kinema, “ABC”-ja dhe ajo e rrjetit austriak “Cineplexx”, në shumë pak qytete të Kosovës ekranet e mëdha ndizen për filma. Falë angazhimit të palodhshëm të shoqërisë civile edhe Prizreni, edhe Peja i kanë riaktivizuar kinematë e tyre në vitet e fundit. Por qytetet e tjera të Kosovës, siç janë: Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Podujeva e Gjakova dhe komunat e tjera vazhdojnë të mos kenë kinema. Shumë prej këtyre qyteteve dikur i kishin shtëpitë e filmit, që tashmë kanë mbetur jashtë funksioni, shkruan gazeta “Zëri”.
Ferizaj kishte kinema para 83 vjetësh, por nuk ka sot
Njerëzit e fushës së kinematografisë thonë se procesi i privatizimit i ka dëmtuar shumë kinematë e qyteteve të Kosovës. Në qytetin e Ferizajt filmi i parë u shfaq në vitin 1936 falë një pajisjeje që u soll dhe u vendos në një nga bujtinat e qytetit, që më vonë u bë kinemaja e Ferizajt. Ndonëse kishte kinema para 83 vjetpsh, qyteti i Ferizajt nuk e ka një të tillë sot.
Bejtush Maliqi, drejtor i kinemasë së Ferizajt përgjatë viteve 2000 – 2006, për gazetën “Zëri” ka kujtuar kohën kur ka pasur kinema. Ai ka folur edhe për procesin e shitjes ose të privatizimit që për të konsiderohet si veprim i tmerrshëm i cili nuk shihet me sy. I pyetur se si ndihet sot kur Ferizaj që kishte kinema para 80 vjetëve e nuk ka sot, Maliqi thotë se kinemaja ka qenë e gjithë qytetarëve dhe se i vjen trishtim të kalojë andejpari kah objekti që dikur ka qenë kinema. Kurse kinemaja e dikurshme ka pasur 422 ulëse.
“Ka qenë institucion kulturor, i cili është shndërruar në ndërtesë. Kam insistuar shumë të mos shitet dhe për këtë arsye kanë dashur të më burgosin. Unë kam dashur ta pengoj procesin që të mos privatizohet ose të shitet, por politikanët e Komunës nuk më kanë dëgjuar dhe më së shumti për këtë vepër të tmerrshme ka pasur faj pushteti lokal i asaj kohe”, thekson Maliqi, i cili tutje thotë se i kanë dhënë vërejtje që nëse nuk vepron në bazë të proceseve të privatizimit, të shitjes së objektit do ta burgosin dhe do të sjellin tjetër drejtor.
“Kinemaja ka funksionuar deri në vitin 2004. Kemi pasur disa mjete për ta mbrojtur kinemanë dhe ajo mënyrë ka qenë përmes pajisjeve, të cilat do të kishin mundur të shfaqnin filma”, ka thënë ai.
Kinemaja e Ferizajt është shitur për 432 mijë euro
Bejtush Maliqi tregon se përgjatë kohës sa ka qenë përgjegjës në këtë institucion i kanë prurë punën që t’i ngrejë duart, sepse nuk ka mundur më ta mbrojë kinemanë. Për të procesi i privatizimit ka qenë një tronditje dhe privatizimi kinemanë e ka blerë për 432 mijë euro.
“Kinemaja është shitur 432 mijë euro, kurse 150 mijë euro ka pasur aparaturë filmike dhe atë aparaturë që është shitur nuk e ka pasur as Prishtina e asnjë kinema në Kosovë dhe unë sot nuk e di ku kanë shkuar ato pajisje”, njofton ai.
Maliqi njofton se ka pasur iniciativë që të rihapet kinemaja në kohën e kryetarit Muharrem Sfarqa dhe e para punë që është paraparë ka qenë të rregullohet objekti, por edhe sot pas dy vjetësh një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ish-drejtori thotë se Komuna tani është arsyetuar për mungesë të mjeteve dhe sipas kësaj përgjigjeje qyteti rezulton pa kinema. “Është e vështirë, një qytet pa kinema si një qytet pa lumë”.
Kamenica e Mitrovica pa kinema, u mungon aparatura
Arianit Ibrahimi, udhëheqës i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Kamenicës, ka njoftuar se qyteti e ka kinemanë si objekt, por e ka me aparaturë të vjetër dhe është jofunksionale. Ibrahimi njofton se Kamenica ka pasur edhe më herët kinema. Ka qenë kinemaja e vjetër, e cila ka datuar që nga vitet 1960 që sipas tij ka qenë shumë e frekuentuar. Prej vitit 1994 ka dalë me lokacion te Shtëpia e Kulturës ku është edhe tash dhe ka funksionuar deri dikur në vitin 2009 dhe janë lëshuar filma me shirit filmik, por pastaj janë ndërprerë dhe kjo me arsyetimin se ka rënë edhe interesimi i shikuesve për shkak se nuk janë të interesuar të shikojnë filma të vjetër.
“Aparaturën me shirit filmik të gjatë si tash nuk mundemi ta shtiem në funksion, mundemi kinemanë ta shtiem në funksion, por mungon aparatura e kohës së re dhe nuk mund të jetë funksionale me filma të kohërave të vjetra. Kinemaja nuk është funksionale. Kjo po i mungon shumë qytetit”, vlerëson Ibrahimi.
Ibrahimi ka njoftuar se së bashku me MRKS-në kanë ndërmarrë disa hapa për rifunksionalizimin e kinemasë.
“E kemi bërë një kërkesë në kuadër të kësaj dhe duke rezultuar në atë se kinemaja është në kuadër të Shtëpisë së Kulturës po mendojmë ta funksionalizojmë këtë vit. Fondi për ta realizuar këtë sillet prej 375 mijë eurove, që është ndarë për Shtëpinë e Kulturës. Pjesa tjetër e kësaj është dhe kinemaja e qytetit. Këtë vit po shpresojmë se do të mundemi ta riaktivizojmë me aparaturë të re. Krejt te aparatura qëndron problemi, pjesa tjetër është salla e ulëseve, e cila ka kapacitet prej 520 ulëseve dhe i plotëson edhe kushtet arkitektonike në të gjitha aspektet”, ka thënë ai për “Zërin”.
Arbër Hajra, nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Mitrovicës, ka deklaruar për “Zërin” se kjo Komunë nuk ka kinema funksionale. Ai thotë se nuk është arritur të fuksionalizohet nga shkaku se nuk është arritur të pajisen me pajisje të reja. “Nuk kemi arritur të kemi pajisje të reja. Kinemaja nuk është funksionale dhe për shkak të problemeve financiare kinemaja ka arritur të mos të jetë e hapur sot për shikuesit”, thekson ai.
Gjakova ka hapur thirrjen publike për riaktivizimin e kinemasë
Fisnik Caka në emër të Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Gjakovës ka njoftuar se qytetit të tij po i mungon kinemaja, e cila ka qenë shumë aktive për shikuesit. “Hapësira e kinemasë ekziston brenda Pallatit të Kulturës, ajo hapësirë është e dhënë me konsensus privat, partneritet publiko-privat. Ka dalë thirrja publike në ankand për t’i përzgjedhur kushtet për hapjen e kinemasë dhe të hapësirave tjera për promovim. Jemi duke u përgatitur që dalëngadalë të bëjmë hapjen e kinemasë”, tha ai.
Caka njofton se kinemaja në Gjakovë nuk është funksionale qe shumë vjet, por prej vitit 2014 është rregulluar norma për ankand publik. “Gjakovës po i mungon kinemaja, duke marrë parasysh edhe punën dhe suksesin e Teatrit ajo do të kishte qenë shumë e ndërlidhur për të kontribuuar në këtë veprimtari. Është një plus i madh kur marrim parasysh faktin se më herët ka funksionuar kinemaja dhe është shumë normale që qytetarët ta ndiejnë mungesën e saj”, konsideron Caka, që tutje shton se kinemaja në Gjakovë ka qenë pjesë e filmit të vjetër brenda Pallatit të Kulturës. “Unë si gjeneratë e re nuk e kam arritur kohën kur ka qenë funksionale kinemaja, por me fjalë të prindërve, të kolegëve e të qytetarëve ata presin që së shpejti të rikthehen në kohën e kulturës”, përfundon Caka.
Edhe Vushtrria mirëpret rihapjen e kinemasë
Fatmire Cecelia, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Vushtrrisë, ka konfirmuar për “Zërin” se kjo komunë nuk ka kinema. Në vitet e ’90-ta ka ekzistuar kinemaja, por që nga viti 1997 e këndej nuk ka kinema kjo komunë. “Qytetit po i mungon një hapësirë e tillë kulturore, por në luftë i kanë marrë të gjitha pajisjet dhe që atëherë nuk është arritur të funksionalizohet më. Si Komunë nëse do të na ofrohet mundësia nga Ministria e Kulturës që ta përpunojmë idenë e rihapjes së kinemasë do ta mirëpresim dhe do të punojmë shumë në zhvillimin e kësaj ideje qëllimmirë. Kolegët e mi vazhdimisht tregojnë se kinemaja në atë kohë ka qenë aktive duke shfaqur filma gjatë gjithë kohës dhe punëtorët që kanë punuar në kinema akoma janë punëtorë të Drejtorisë së Kulturës”, shprehet Cecelia.
“Lumbardhi” e “Anibar”-i mbajnë gjallë filmin në Prizren e në Pejë
I themeluar në mes të shekullit XX kinemaja “Lumbardhi” në Prizren është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për 70 vjet ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, të festivaleve dhe të aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit. Pas çaktivizimit të ndërmarrjes shoqërore “Bistrica”, kinemaja u la në degradim, ndërsa qyteti i Prizrenit mbeti pa kinema. Si reagim, në vitin 2002 një grup qytetarësh themeluan “DokuFest”-in për ta rikthyer kinemanë në këtë qytet për filmdashës dhe për të kërkuar aktivizimin e kinemasë “Lumbardhi”. Aktivizimi qytetar ka korrur sukses më 2015-n, kur kërkesa e parashtruar nga kjo iniciativë u pranua dhe kinemaja “Lumbardhi” ka fituar statusin e Monumentit të Mbrojtur të Trashëgimisë Kulturore. Për të vazhduar iniciativën përfaqësuesit e saj kanë themeluar fondacionin “Lumbardhi” dhe në marrëveshje me AKP-në i kanë rihapur dyert e kinemasë, duke e kompletuar fazën emergjente të restaurimit dhe të funksionalizimit të saj dhe duke e vënë në shfrytëzim të mbi 60 organizatave dhe shoqërive gjatë këtyre tre viteve.
Në anën tjetër, e ndërtuar në vitin 1955 kinemaja e qytetit të Pejës, që sot mban emrin e heroit Jusuf Gërvalla, është quajtur me emra të ndryshëm ndër vite. “Jusuf Gërvalla” ka shërbyer si shtëpi e kulturës, në të cilën janë shfaqur filma, janë dhënë shfaqje e janë mbajtur koncerte. Në kohën e luftës, në vitin 1998 kjo kinema u mbyll për t’u hapur sërish në vitin 2001 falë donacioneve të huaja. Festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar”, i themeluar në vitin 2009, e bëri kinemanë shtëpi të tij në vitin 2015, pasi veproi si festivali kyç i qytetit të Pejës për gjysmë dekade. Komuna e nderoi angazhimin e “Anibar”-it me dhënien në shfrytëzim të kinemasë për 15 vjetët e ardhshme, në dhjetor të 2016-s. Në vitin 2017 Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e vendosi ndërtesën në procesin e likuidimit, i cili në shumicën e rasteve përfundon në privatizim dhe në shkatërrim. Qyteti i Pejës u mobilizua në një fushatë të mbrojtjes dhe mblodhi 6.000 nënshkrime e siguroi mbështetjen e 70 organizatave joqeveritare në gjithë Kosovën për ruajtjen e saj. “Anibar”-i dhe komuniteti lokal organizuan aktivitete për të informuar mediet, për të bashkuar qytetarët e Pejës dhe bëri koordinimin e organizatave të shoqërisë civile, të cilat pezulluan procesin e privatizimit përmes një vendimi të gjykatës. Falë këtyre angazhimeve të dyja këto kinema, ajo në Prizren e ajo në Pejë, hapin rregullisht dyert për dashamirët e filmit. ZERI/KultPlus.com