Butrinti, 20 km larg Sarandës, vijon të mbetet një nga monumentet më të vizituar të trashëgimisë kulturore në vend.
Ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike, që tërheqin vizitorët e shumtë vendas e të huaj.
Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrint, tha për ATSH-në se “gjatë muajit gusht pati një rritje progresive pas rihapjes së sitit në 18 maj 2020. Nga data 1-31 gusht ky park u vizitua nga 16 667 vizitorë, duke tejkaluar numrin total të vizitorëve për periudhën janar-korrik 2020”.
Sipas saj, në korrik parku u vizitua nga 8477 vizitorë vendas e të huaj.
“Për këtë sezon turistik Ministria e Kulturës ka ofruar një tarifë më të ulët hyrjeje si dhe çdo ditë të diel falas, ku vetëm në gusht kishim 5241 bileta falas”, -theksoi Dhima.
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.
Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. /atsh/ KultPlus.com

