Me arkitekturë moderne dhe stil unik, merr formë xhamia e Ballies në Elbasan

Me një arkitekurë moderne, projekti i së cilës është vlerësuar në konkurse ndërkombëtare arkitekturore, Xhamia e Kohës në Elbasan, e njohur si xhamia e Ballies, po merr çdo ditë formën e saj të një xhevahiri kulturor dhe fetar.

E vendosur në qendër të qytetit Elbasan, falë edhe investimit në sheshin rrethues, i cili gjithashtu po shkon drejt përfundimit, ky objekt do të zbukurojë Elbasanin.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau sot foto nga ky projekt, i cili ka një stil unik ndërtimi dhe është konkurruese e xhamive moderne të ndërtuara në Evropë.

Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate në të cilat përveç vendit të faljes do të përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan.

Projekti i xhamisë i cili është investuar nga Ambasada e Kuvajtit është i harmonizuar me projektin e aprovuar të qendrës së Elbasanit dhe po ndërtohet në të njëjtin vend ku ka qenë xhamia shekullore e Ballies, e cila u prish në vitin 1967. / KultPlus.com