Qyteti Italian i Venecias do të jetë i pari në botë që do të krijojë një regjistër për turistët e huaj që do të vizitojnë vendin dhe që do të paguajnë një tarifë hyrjeje për në qytet. Teksa qeveria lokale thotë se e sheh këtë si zgjidhjen e vetme për të frenuar turizmin e tepërt, vizitorët dhe pronarët e bizneseve thonë se ky sistem i ri është i padrejtë e madje i mbushur me sfida logjistike.
Venecia është një nga qytetet më të vizituara në botë, që tërheq çdo vit mbi 20 milionë turistë të huaj, falë kanaleve dhe sheshit të saj të famshëm. Por tashmë, kushdo që mendon ta vizitojë, duhet të parashikojë edhe një kosto ekstra, teksa qyteti po bëhet gati për të vendosur një taksë hyrjeje. Këshilli lokal i qytetit synon që përmes kësaj takse, të mund të menaxhojë më mirë fluksin e turistëve, sidomos në muaj që konsiderohen piku i turizmit.
Aktualisht, diskutimet janë për një taksë që varion nga 3 deri në 10 euro dhe debatet këtu janë përqendruar. Po mendohet që taksa të paguhet vetëm nga turistët ditorë, të cilët taksën do ta paguajnë në faturën e akomodimit. Ndërsa nga taksa do të përjashtohen ata që drejt Venecias udhëtojnë për punë apo për studime, ata që vizitojnë familjarët apo turistët që udhëtojnë drejt qytetit si pjesëmarrës në evente kulturore apo sportive. Nëse deklarata që ata firmosin për motivin përse do të vizitojnë Venecias dhe provohet që arsyeja është false, mund të përballen edhe me akuza kriminale. Taksa e re pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm./A2CNN / KultPlus.com