Vera Zheji, zëri simbol i Radio Tiranës

Vera Zheji Zëri, simbol i Radio Tiranës, vdekur në moshën 91-vjeçare. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga familjarët e saj.

“Sot në mëngjes, nëna ime Vera Zheji, u largua nga kjo botë. Kaloi pak jave të rënda, po iku qetësisht nga shtëpia e familja e saj sot në të gdhira. Në emrin e saj falenderoj gjithe miqtë e shumtë e dashamirësit që e kanë ndjekur, përkrahur e respektuar nëpër vite, të cilët ajo deri në fund i kujtonte me dashuri e mirënjohje. Kjo është jeta! Zoti na ndihmoftë të gjithëve ta mbyllim mirë kohën që na mbetet në këtë botë”, shkruan vajza e saj në Facebook.

Zheji është pinjolle e dinastisë kulturore, motra e gjuhëtarit dhe filozofit të madh Petro Zheji.

Ajo lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15-vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.

Të gjithë mund të kujtojnë zërin e saj magjik kur lexonte përrallat e orës 19.00 në vitet ‘70. Ajo lexoi edhe lajme në italisht, një gjuhë që e zotëronte shumë mirë. Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore.

Në vitin 1975, Vera Zheji la përfundimisht Radion dhe u emërua pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.

85-vjetori i Radio Tiranës, Begaj: Promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi zërat që kanë informuar shqiptarët përmes Radio Tiranës dhe figurat e gazetarisë që kontribuan ndër vite në ngritjen e radiofonisë shqiptare.

Presidenti e vlerësoi kontributin e Radio Tiranës për mbajtjen gjallë të lidhjeve me bashkatdhetarët jashtë vendit, të gjuhës shqipe, të patriotizmit dhe njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Radio Tirana me programet e saj për bashkatdhetarët ishte mundësia e vetme e mbajtjes së kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe për ta. Roli i saj në vitet 1980, me fillimin e protestave në Kosovë, ishte shumë i rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, tha Begaj.

“Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe në ruajtjen e pastërtisë së saj. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet thelbësore për identitetin tonë”, u shpreh Begaj.

“Duke qenë një ndër radiot e pakta që transmeton në disa gjuhë të huaja, ajo është,  gjithashtu, një promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj”, theksoi Begaj.

“Ky institucion mediatik e ka nisur transmetimin më 28 nëntor 1938 si radioja e parë në Shqipëri. Përgjatë këtyre viteve, Radio Tirana ka kaluar një seri peripecish, si: pushtimin italian, pushtimin gjerman dhe regjimin diktatorial, deri kur pas viteve ’90 u shndërrua në një media të lirë”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se, “duke qenë mjeti i vetëm informativ për disa dekada, ajo u përdor nga regjimet e ndryshme si mjet propagande, por kjo nuk ia ul asaj kontributin. Radio Tirana është një pasuri që duhet mbrojtur dhe kultivuar”, dhe inkurajoi punonjësit ta kryejnë këtë mision për të gjithë dëgjuesit shqiptarë e të huaj./atsh/KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Radios

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Radios.

UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si medium dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron.

13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.

Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon kishte thënë se radioja argëton, edukon, informon, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin. / KultPlus.com

Radiostacioni i bashkimit të komunitetit afrikan

“Një nga meloditë më lirike, ndonjëherë!”, thotë “DJ Levels”, pasi që transmetohet “Real Badman” nga Vybz Kartel. “Kjo përfaqëson Xhamajkën – kjo përfaqëson muzikën e vërtetë!”

“Unë jam nga Nigeria”, thotë rivali i tij sa i përket përzgjedhjes dhe buzëqesh. Si kundërpërgjigje vjen “No Lele” nga ylli nigerian i tingujve afrikanë, Wizkid. “Ne jemi njerëzit e mëdhenj”.

Kjo është “NS10v10”, një betejë e zhurmshme në mes të DJ-ve, që është bërë emisioni kryesor në “No Signal”, radiostacioni online britanik, që është një nga historitë e pakta të suksesit në mesin e vështirësive gjatë izolimit pandemik. Duke e etiketuar veten si “#blackradio”, ata luajnë muzikë afrikane të diasporës që sillet rreth spektrit të larmishëm të identitetit, komunitetit afrikan në Britani, dhe kanë realizuar një hapësirë kreative, si dhe një lehtësim për britanikët me ngjyrë në një moment traumatik, por edhe historikisht shokues, transmeton KOHA.

“Qoftë muzikë R&B, soca, drill apo dancehall”, thotë Joseph, i njohur po ashtu si “VI”, e që është drejtuesi i programit, “ne dëshirojmë që të përfaqësojmë diasporën britanike si një tërësi. Kjo është ajo që ne dëgjojmë në shtëpi apo jashtë në klube”.

“No Signal” në origjinal është konceptuar dhe aranzhuar nga vëllezërit Jojo dhe David Sonubi si një degë e “Recess” dhe seritë e netëve në klube dhe festave gjatë ditës që janë kthyer në një strehë për komunitetin afrikan në jetën e natës në Londër. Kur pandemia i pezulloi aktivitetet, ata i risollën ato.

“E kuptova që do të kemi më shumë hapësirë për të marrë vëmendje”, thotë Jojo. “Javën kur u bë izolimi për shkak të pandemisë ne ishim duke planifikuar një festë të madhe të ‘Recess’ në ‘Village Underground’, kështu që bëmë një transmetim live dhe 300 veta morën pjesë”.

Që atëherë, një listë me emra të ndryshëm të DJ-ve të “No Signal”, producentë, përzgjedhës të muzikës dhe njohës të saj, kanë mbajtur radio-spektakle në ueb-faqen e radiostacionit, duke kapërcyer nëpër zhanre të muzikës së realizuar nga njerëzit me ngjyrë ashtu siç një atlet ndryshon disiplinat. Ata kanë lëshuar gjithçka që nga këngët për festat e së shtunës në zhanrin “dancehall”, këngë në stilin “hiplife” nga Gana, regge dhe jazz afrikan të viteve ‘70, dhe e kanë bërë të mundshme qasjen në stacionin e tyre për 99 shtete. /Koha.net /KultPlus.com