Prodhuesit e kriptovalutave: Qeveria po na detyron t’i shesim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitje po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1,500 e deri në 8 mijë euro, varësisht prej pajisjes.

REL ka komunikuar me disa prej tyre, të cilët në kushte anonimiteti kanë thënë se janë detyruar t’i ndalin pajisjet, të cilat i kanë blerë më shtrenjtë dhe tash po i shesin më lirë.

Njëri prej tyre tha në një përgjigje me shkrim se është detyruar t’i shesë tri pajisjet e tij, pasi nuk dëshiron të veprojë në mënyrë kundërligjore.

“I kam pasur tri pajisje dhe të tria i kam shitur, sepse Qeveria nuk ka dhënë afat se për sa kohë do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave. Po të kishte një afat, do t’i ndalonim përkohësisht. Të tri pajisjet i kam shitur 1,500 euro”, tha ai.

Shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave po bëhet edhe në një grup me qindra qytetarë në aplikacionin ‘Telegram’.

“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, tha njëri prej tyre në kushte anonimiteti.

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, sipas tij, është pak i ngutshëm dhe shpreson që i njëjti të anulohet.

Ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do ta shesë pajisjen, pasi që, sipas tij, nuk shpenzon shumë rrymë.

Bie çmimi i pajisjeve

Përveç shitjes së pajisjeve, qytetarët kanë filluar t’i tërheqin fitimet e tyre të fituara nga prodhimi i kriptovalutave.

Në njërën nga kompanitë për këmbimin e kriptovalutave në Prishtinë, thonë se ata qytetarë që kanë kritpovaluta, tashmë kanë filluar t’i tërheqin fitimet, ndonëse aktualisht vlera e tyre ka rënë.

Ardian Alaj, bashkëpronar i njërës prej kompanive për këmbim të kriptovalutave, tha se me datat 4 dhe 5 janar ka qenë një fluks më i madh i njerëzve, të cilët kanë këmbyer valutat e tyre.

Ai tha se vendimi i Qeverisë nuk ka pasur shumë sqarime dhe njerëzit ndihen të rrezikuar se çfarë do të ndodhë me valutat e tyre.

“Kemi klientë të rregullt që çdo muaj vijnë i konvertojnë fitimet e tyre për nevoja të rrymës, internetit dhe nevojat e tyre personale, por këto dy ditë fluksi i njerëzve ka qenë më i madh dhe sasia e këmbimit të valutave ka qenë shumë e madhe krahasuar me muajt paraprakë”, tha Alaj.

Sipas tij, pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka filluar të bjerë çmimi i pajisjeve në faqe të ndryshme online ku qytetarët i postojnë fotografitë e pajisjeve të tyre.

“Ajo çka po vërehet është se çmimi i pajisjeve ka pësuar rënie shumë të madhe. Zakonisht blerja e një pajisje, ka kushtuar deri 5 mijë euro, tash mund të gjendet në treg me 2,000-2,500 euro”, tha Alaj.

Sipas Doganës së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave në vlerë rreth 600 mijë euro.

Qeveria zotohet se do t’i ndalojë kriptovalutat edhe në veri

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se do të identifikohen lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës.

Në dy operacione të ndara, Policia e Kosovës tha më 6 janar se ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim dërguar REL-it, zyra për media e Qeverisë ka njoftuar se pas identifikimit do të ndërpritet prodhimi i kriptovalutave, duke përfshirë edhe veriun e Mitrovicës.

Mirëpo, zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, tha të mërkurën se kjo kompani e ka të pamundur t’i identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”, tha Buzhala, duke shtuar se e kanë të vështirë të dinë edhe sa shpenzojnë rrymë këto pajisje.

Në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës thuhet se “në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike dhe një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit”.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konservative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigje.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem.

Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike. /REL/ KultPlus.com

Walker që eci vetë mes kufomash të masakruara nga forcat serbe i kundërpërgjigjet Vulinit: Masakrën e Reçakut nuk mund ta mohojë askush

Ish-diplomati amerikan, William Walker, thotë se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.

Ai e bën përgjegjës presidentin serb për “rol të rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.

Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, e cilësoi të premten sërish si “trillim” masakrën e Reçakut.

Pas një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, Vullin tha se “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

Masakra e Reçakut ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë, e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, u citua të ketë thënë Vullin, sipas Ministrisë së Brendshme serbe.

Sipas tij, serbët “nuk do të lejojnë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta”.

“Nuk do të lejojmë më kurrë që të tjerët të shpikin të vërteta për ne, sepse e vërteta është në anën e popullit serb”, tha Vullin.

Duke e komentuar këtë deklaratë të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Walker thotë se Serbia mundohet që, përmes deklaratave të tilla, të ndërtojë një narracion të rrejshëm për krimet që ka kryer gjatë luftës së viteve ‘98-99 në Kosovë.

“Mendoj se ndoshta Beogradi, të paktën Qeveria atje, beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ në Reçak, ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, thotë Walker.

Kjo nuk është hera e parë që Vullin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.

Duke komentuar deklaratat e Vullinit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka vend për mohimin e masakrës së Reçakut.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999, janë të dokumentuara mirë”, thotë Stano.

Sipas tij, modifikimi i ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Komunës së Shtimes, është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, thotë Stano.

Ai shton se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës, pasi, sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Kandiq: Strategjia e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, thotë se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish jep një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për strategjinë e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”.

“Ajo, për të cilën flet ministri Vullin, është detyrë e tij politike dhe, përderisa është në Qeveri dhe përderisa e ka për detyrë të interpretojë atë që ka ndodhur në të kaluarën, ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që ka çimentuar nacionalizmin ekstremist etnik”, thotë Kandiq.

Kandiq thekson se hulumtimet e Tribunalit të Hagës dhe organizatave ndërkombëtare, kanë konstatuar se këto pretendime nuk janë të vërteta

“Human Rights Watch ka biseduar me së paku 15 dëshmitarë dhe të gjeturat janë mjaft precize. Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, thekson Kandiq.

Sipas saj, Fondi për të Drejtën Humanitare ka biseduar me dëshmitarët dhe gjetjet e këtij fondi tregojnë për pasaktësinë e pretendimit se të gjitha viktimat në Reçak kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Asnjë e dhënë, as nga Human Rights Watch dhe as nga Fondi për të Drejtën Humanitare, se aksioni në Reçak ishte planifikuar, nuk është vënë ndonjëherë në pikëpyetje”, thotë Kandiq.

Masakra e Reçakut ka qenë edhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë.

Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak. / KultPlus.com

Kur shtëpitë u kthyen në shkolla

Qindra-mijëra nxënës dhe studentë shqiptarë nga Kosova janë dëbuar nga shkollat e tyre gjatë viteve të 90-ta.

Ata u detyruan të mësojnë në kushte të këqija në shtëpi, bodrume dhe dyqane.

Disa organizata të Kosovës kanë krijuar një program virtual për të treguar se si është organizuar mësimi në atë kohë. / Gazeta Express / KultPlus.com