Guljelm Radoja, aktori që spikati me rolin e Petro Nini Luarasit

Guljelm Radoja (2 Korrik 1945 – 5 Maj 2021) ishte një aktor shqiptar i filmit dhe teatrit.

Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Ai u nda nga jeta më 5 maj 2021 nga Covid-19 në Tiranë./ KultPlus.com

86-vjetori i lindjes së kompozitorit Robert Radoja

Orkestra Simfonike e RTSH-së, përmes një publikimi në rrjetet sociale, uroi me rastin e 86-vjetorit, kompozitorin Robert Radoja.

Artisti dhe profesori i sa e sa brezave, lindi në Bolonja, më 1938-ën. Në vitin 1951 filloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në Sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të Radio Televizionit Shqiptar, ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë.

Në vitin 1981 emërohet redaktor i muzikës në kinostudion “Shqipëria e Re”. Në këtë detyrë ai punoi deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 ishte edhe pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit . Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2002, puna e tij e palodhur në vite do të vlerësohej me “Çmimin e Mirënjohjes”, gjithashtu është nderuar edhe me urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mjeshtër i madh”./atsh/KultPlus.com