Fazë e re e zhvillimit të Orkestrës filharmonike

Rafet RUDI

Parmbrëmë, në Sallën e Kuqe, si gjithmonë të stërnbushur me artdashës, u mbajt koncerti përmujor i radhës, i Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës. Dhe, siq ndodhë, kur bagetin e dirigjentit e mban Toshio Yanagisaëa, nominalisht dirigjent i Filharmonisë së Kosovës (!), rrjedha e Koncertit ishte me një‘tension’ të ngritur artistik-interpretues.

Si vepër e parë e programit ishin “Vallet polvetsiane” nga opera “Pinci Igor”, e përfaqësuesit më të veçuar të “pesëshes ruse”, dhe kompozitorit më “europian” të pesëshës nacionaliste ruse. Për çudi, kjo vepër ishte edhe vepra më e arrirë në këtëkoncert. Të gjithë sektorët e orkestrës ishin “ngjallur”, kësaj rradhe funksionin mirëedhe frymorët, merolet e tyre jo të lehta dhe shumë eksplicite për nga trajtimi solistik i tyre.

Në veprën e dytë të programit, në KoncertinA-dur K 488 të Moxartit, protogonist markant ishte pianistja e talentuar turke Yesim Gokalp, mysafire e festivalit Kamerfest, e cila merrte pjesënë kuadër të bashkëpunimit (tashmë rutinor) në mes të këtij festivali dhe Flilharmonisë. Ndonëse në kohën e parë, orkestra ishte larg elegancës karakteristike të koncerteve moxartiane, “kthesa” u bë në kohën e dytë. Solistja “intervenoi” shkëlqyeshëm në ekspozimin solistik të materialit tematik të fillimit të kësaj kohe. Ajo formuloi jashtëzakonisht bukur atmosferën intime, në momente edhe melankolike, dhe ndoshta më romantike të Moxartit, qoftë në frazim, qoftë në tingullin delikat dhe të përmbajtur pianistik të kësaj pjese, faqet e së cilës kanë mbetur emblematike dhe model për epokën (të mëvonshme) romantike. Në këto rrethana, edhe orkestra filloi të jetë më e kujdesshme dhe shumë më e thelluar në profilimin e situatave emotive të veçanta, gjë që nuk është është sferë e ambicieve të tyre interpretuese, dhe nuk është sferëdalluese e prezantimeve të saja të mëparshme. Allegroja e fundit (Koha III), ishte, fatlumsisht, shumë më e stabilizuar se koha e parë, plot gjallëri dhe më precize nga ana e orkestrës.
Vepra qendrore e programit ishte Simfonia Nr.1 e kompozitorit emblematik rus Pjetër Iliç Çajkovski. Këtë simfoni Çajkovski e shkroi si 26 vjeçar, dhe, ndonëse,kjo vepër përmban shumë pak nga stili e Çajkovskit të mëvonshëm (të ravizuar, sidomos në tri simfonitë e fundit, 4-6), ajo pa asnjë mëdyshje mban karakteristikën kryesore të tij – gjenialitetin e kompozitorit, shprehur qoftë në freskinë e temave, qoftë në orkestracionin e saj inventiv, qoftë në konceptimin simfonik të vet veprës. Do ta mbajmë në mend edhe për ballafaqimin e orkestrës, edhe me segmente virtuoze (te harkorët), siq ishte në kohën e katërt.

Shiquar në përgjithësi, ishte njëri prej prezantimeve të suksesshme të viteve të fundit, të Orkestrës sonë të vetme simfonike. Tashmëështë plotësisht evidente që Orkestra përfundimisht ka hy në një fazë të re të zhvillimit dhe sidomos të konsolidimit kadrovik, duke lënë prapa, atë situatë frustruese për jetën tonë muzikore, kur duhej të priteshin muziktarët (huazues) nga Filharmonia e Maqedonisë, për të filluar koncerti. Kjo fazë e re shumë më cilësore, duhet ta ketë vëmendjen, shumë më të madhe të përgjegjësve të kulturës, në drejtim të rregullimit të statusit material të anëtarëve të saj, që tash për tash, për këtë ansambël tonë kulminant, nuk është fare adekuat. Një anëtarë i shtëpisë sonë reprezentative të kulturës sonë të mos mund të jetojë nga të ardhurat primare të saja, është absurd i llojit të vet. Pastaj, si rrjedhojë e kësaj do të mendohej për pasurimin dhe zgjerimin programor të Orkestrës, rritjen kvantitive të koncerteve (që ato të jenë përdyjavshme e jo të përmuajshme), hapjen dhe lëvizjen e saj në qendra të mëdha europiane etj. Në këtë moment, dhe në këtë stad që Orkestra jonë ka arritur, ajo është e aftë dhe ajo plotësisht e meriton./KultPlus.com