Promovohen dy librat e autorit Ragip Ballata, vlerësohen si të jashtëzakonshëm

“Mësuesit e Gjakovës pishtarë të Kosovës” dhe “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë”, janë dy librat e autorit Ragip Ballata që u promovuan sot në Prishtinë, e për të cilët u tha se janë libra të jashtëzakonshëm që hedhin dritë mbi punën e shumë brezave të mësimdhënësve ndër vite.

Të dy librat përmbajnë mbi 100 dokumente arkivore, si dhe mbi 100 foto autentike, rrëfime veteranësh dhe ngjarje të periudhës së asaj kohë për të cilat flitet në libra.

Libri “Mësuesit e Gjakovës pishtarë të Kosovës”, fokusohet në jetën dhe veprimtarinë e 148 mësuesve. Ndërsa, libri “Arsimi në Gjakovë e rrethinë” trajton hapjen e disa shkollave fillore, të ulëta dhe të mesme, me theks të veçantë për punën e Normales, Gjimnazi i plotë dhe shkollat tjera të hapura deri në vitin 1968, si dhe përplasjet e personelit arsimor karshi përpjekjeve të regjimit serb për zhbërjen e arsimit shqip.

Autori i të dy librave, Ragip Ballata tha se përmes këtyre librave ka dashur që të hedh në dritë kontributin e shumë mësimdhënësve për arsimin shqip.

Ai tha se janë mbi 210 emra që përmenden në të dy librat, e që për secilin prej tyre ka komunikuar me 8 persona për të ndriçuar jetën e tyre.

“Janë pasardhësit e tyre që gjatë leximit të jetëshkrimeve dhe gjurmëve të tyre të lëna në shkolla gjatë punës së tyre do ta rikthejnë kujtesën për rrugëtimin arsimor të prindërve të tyre…Janë këta mësues që na bënë këmbë e dorë, janë këta mësues që janë ushqyer me bukë misri, djathë e turshi, këta mësues janë që bartën në krahë tulla e gurë për të ndërtuar e rindërtuar objektet e vjetra për shkollat dhe për të ndërtuar shkolla të reja. Punuan nënpresion të regjimit cep e më cep të Kosovës për t’i hedhur dritë në udhën e diturisë dhe për t’i hapur shtigjet e të ardhmes tonë”, tha ai.

Autori shtoi se shpreson që gjeneratat e ardhshme të frymëzohen nga puna e paraardhësve të tyre, derisa tha se shpreson që të ketë ngritje të cilësisë në arsim.

Recensenti i librit, Shefqet Canhasi tha se dy librat e autorit Ragip Ballata për shqiptarët, për punëtorët e arsimit dhe për dashamirët e kulturës dhe të letërsisë shqipe kanë një rëndësi të jashtëzakonshme.

“Kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Mendoj se është në nderin e Ministrisë së Arsimit, të Kulturës të kujdesën që këto dy vepra të shkojnë aty ku e kanë vendin në duart e mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe dashamirëve të arsimit. Këto dy vepra përfaqësojnë një pjesë të përpjekjeve të z.Ragim Ballata dhe mbetet akoma një pjesë e madhe e asaj pune që të sistemohet e të shoh dritën në një të ardhme të afërt besoj”, tha ai.

Ai pati një porosi për gjeneratat e ardhshme që të shkruajnë për ngjarjet që ndodhin, pasi shtoi se e meta e tyre është që kanë qenë pjesë e shumë ngjarjeve, por që nuk i kanë hedhur në letër.

Edhe recensenti tjetër i librave të Ballatës, Arben Hoxha tha se janë libra të jashtëzakonshëm që ofrojnë detaje të shumta për veprimtarinë e mësimdhënësve të asaj kohe.

“Libri i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë” është një ftesë për ngritjen e aftësive gjykuese e vlerësuese për identitetin tonë etik e historik. Çka kemi synuar, cili është orientimi historik që ne kemi marrë kah më e mira e njerëzores tonë, cilat ishin mundësitë tona historike për të marr orientim drejt zgjedhjeve të caktuara. Prej librit “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë”, me autor Ragip Ballata, mund të kuptojmë se doktrina e misionarizmit në arsimin shqip jo vetëm gjatë periudhës 45-66 por edhe para saj e deri në fillim të mileniumit të III do të jetë humanizmi, iluminizmi dhe kombëtarizmi me bazë metodologjinë kolektiviste”, tha ai.

Librat “Mësuesit e Gjakovës pishtarë të Kosovës” dhe “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë”, ditë më parë janë promovuar edhe në qytetin e Gjakovës. / rtv21.tv / KultPlus.com