Kryeministri Kurti përkujton të rënët e Fortesës, Celinës dhe Brestocit të Rahovecit: Arritëm lirinë me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve

Kryeministri Albin Kurti, në 25 vjetorin e masakrave ka përkujtuar të rënët e fshatrave të Rahovecit, Prizrenit dhe Gjakovës, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe në vitin 1999.

Kryeministri Kurti tha se pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

“Kërkoni ndihmë nga NATO tash!”, u kishin thënë policët e Serbisë grupit prej 13 shqiptarëve në Fortesё (ish Bellacёrkё) para se të shtinin mbi ta me armë automatike. Çlirimi, Lumturija, Dhurata, Dardana dhe Dardani nga familja Zhuniqi dhe Xhemajli, Qamilja, Fiqirija, Ilirijana, Marigona, Labinoti e Lirimi nga familja Spahiu mbeten të vrarë. Ekzekutimit i mbijetoi vetëm Shkodran Zhuniqi, 4 vjeҫar.

Më 25 mars 1999, në Fortesë të Rahovecit u vranë 69 shqiptarë, mes tyre 15 fëmijë. Më i vogli ishte 3 vjeç.

Atë ditë në Celinë të Rahovecit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në fshat nga katër drejtime. Ata vranë e masakruan 82 persona të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën.

13 nga të vrarët ishin fëmijë: Alma (18 muajshe), Albani (5 vjeҫ), Bledari (8 vjeҫ), Besarti (10 vjeҫ), Altini (10 vjeҫ), Albulena (11 vjeҫe), Suzana (11 vjeҫe), Burbuqja (13 vjeҫe) nga familja Zeqiri, Ramazani (8 vjeҫi), Mejremja (15 vjeҫe) dhe Gëzimi (17 vjeҫ) nga familja Salihu, dhe Bedrush Hasani (15 vjeҫ) e Alban Rexhepi (14 vjeҫ).

Po atë ditë në masakrën në Brestoc të Rahovcit, forcat e armatosura serbe vranë 54 shqiptarë.

25 vite më parë, masakrat mizore të Serbisë mbi popullsinë civile, lanë edhe 46 të vrarë në Tërnje të Suharekës dhe 20 të vrarë në Goden të Gjakovës, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën. Në Randobravë të Prizrenit, forcat serbe vranë 8 anëtarë të familjes Pajaziti. Në mesin e tyre ishte një nënë me katër fëmijët e saj, të moshave ndërmjet 7 dhe 2 vjeç.

Një ditë më parë kishte filluar fushata bombarduese nga forcat e NATO-s, me qëllim të ndalonin gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Pas fillimit të sulmeve ajrore, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë filluan fushatën e tyre të gjerë dhe sistematike për vrasjen dhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve të Kosovës.

Bombardimet e NATO-s ndaluan projektin gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve.

Me ndihmën e vendeve aleate të NATO-s e arritëm lirinë e Kosovës, me rrënjët në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që e gëzojmë!/KultPlus.com

Në 25 vjetorin e rënies përkujtohen heronjtë Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici në Opterushë të Rahovecit

Në 25 vjetorin e rënies, me homazhe sot janë përkujtuar heronjtë Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici nga komuna e Rahovecit dhe dëshmorëve Bektesh Haliti, Nezir Ymeri dhe Hamdi Hajrizi nga komuna e Vushtrrisë, të cilët ranë heroikisht me datën 06.11.1998, mbi fshatin Opterushë të komunës së Rahovecit.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se pa këtë luftë dhe pa rënie të tilla si kjo e Heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici dhe dëshmorëve të tjerë nuk do të dihej çfarë vlere ka në të vërtetë liria.

“Ata dhanë jetën e tyre për t’i dhënë jetë e dinjitet popullit shqiptar në këto troje të lashta. Kjo është trashëgimia më e mirë që ata na e lanë, prandaj ruajtja dhe kultivimi i kësaj trashëgimie është detyrë dhe obligim i çdoditshëm. Dëshmorët e treguan me vepra dashurinë e tyre, duke dhënë jetën dhe neve na takon ta dëshmojmë dashurinë ndaj vendit me punë e përkushtime të përditshme”, ka thënë kryetari Latifi.

Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë edhe bashkëluftëtarë dhe familjarë të heronjëve të rënë në këtë datë, të cilët pas homazhve patën rastin të vizitojnë kullën e cila gjendet në afërsi të lapidarit, që përmban bustet dhe kujtime të të rënëve në këtë datë/KultPlus.com

Përmbyllet ‘HardhFest 2023’, kryetari Latifi: Festivali krenari e komunës sonë të vogël, por të pasur me njerëz të mirë e punëtorë

Mbrëmë, është përmbyllur edicioni i 22-të i Festës së Vjeljes së Rrushit, festivalit ‘HardhFest’, shkruan KultPlus.

Festivali ‘HardhFest’ që këtë vit u zhvillua nën moton ‘Prek n’rrush, shijo n’ven!’, për tre ditë radhazi, me 1, 2 dhe 3 shtator ka zhvilluar aktivitete të shumta ditore si dhe koncerte gjatë këtyre tre netëve.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se “HardhFest”-i është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore, e cila i sjell krenari Komunës së Vogël të Rahovecit, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër.

““Hardh Fest”-i tashmë është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore që i sjell krenari të madhe komunës sonë të vogël, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër. Mbështetja e Komunës së Rahovecit për “Hardh Fest”-in, vetëm se do të rritet viteve në vijim.

Ju mirëpresim në vitin 2024!”, thuhet në postim.

Kryetari Latifi, gjithashtu ka thënë se kjo festë dikur e vreshtarëve sot është shëndrruar në një festival madhështor i cili ndër të tjera jep mundësinë për të njohur vreshtarinë si dhe vlerat e trashëgimisë kulturore e natyrore e potencialeve të mëdha të turizmit.

“Festa e rrushit që dikur shënohej në mënyrë simbolike nga vreshtarët lokalë të Rahovecit, tashmë është shndërruar në një festival madhështor, shumëngjyrësh e rekreativ, që mbledh të rinj e të reja nga e gjithë bota, për t’u kënaqur e dëfryer, për të parë e shijuar, sigurisht, përjetime të shumta e të paharruara nga oferta e pasur dhe e shkëlqyer që përmban e përfaqëson festa e jonë, por edhe për ta njohur vreshtarinë e verën rahovecase, sikurse edhe vlerat e trashëgimisë tonë të pasur kulturore e natyrore e potencialeve të mëdha të turizmit”, thuhet në postimin e kryetarit Latifi.

Kryetari Latifi po ashtu ka falënderuar edhe organizatorin e festivalit Agron Sokolin për punën e përkushtuar deri në realizimin e detajeve mmë të imta.

“Falënderoj këshillin organizues të edicionit të sivjetmë, në krye me drejtorin ekzekutiv të festivalit, Agron Sokoli, për performancë të shkëlqyer, përkushtimin e madh në punë dhe planifikimin e mirë e të menduar deri në detajet më të imëta. Po ashtu, falënderoj edhe organet e rendit dhe ligjit, policinë, sigurimin dhe ekipin e QKMF-së, njësinë e zjarrfikësve si dhe ekipe e individë që kryen detyrat e veta me përgjegjësi të lartë dhe me vigjilencën e treguar mirëpritën dhjetëramijëra pjesëmarrës, vizitorë e turistë të shumtë, pa u shënuar as edhe incidenti më i vogël”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

“Prek n’rrush, shijo n’ven” – hapet festivali i njohur Hardh Fest

Sot është bërë hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, pra, ka filluar festivali “Hardhfest”, shkruan KultPlus.

HardhFest, i cili tanimë është një festival tradicional në Kosovë, mbledhë njerëz nga shumë vende të rajonit për të shijuar verën e shijshme në Rahovec.

Edicioni i 22-të i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, nisi me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

I gjithë ky festival mbahet në vendin e njohur të Kosovës për rrush dhe verë, Rahovec, nga datat 1-3 shtator. /KultPlus.com

Sot në Rahovec hapet edicioni i 22-të i Hardh Fest-it

Sot mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së edicionit të 22-të të festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

Sipas njoftimit, ceremonia është paraparë të nis nga ora 12:00.

Është bërë e ditur se aty merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. / KultPlus.com

25 vite nga beteja e Fortesës së Rahovecit, përkujtohen të rënët për liri

Sot janë bërë 25 vite kur Ushtria Çlitimtare e Kosovës ka krijuar rezistencë në fshatin Fortesë, për të ndaluar forcat serbe për të hyrë në Rahovec, datë e cila shënon edhe një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qytetit shkruan KultPlus.

 Më 18 korrik 1998, në Fortesë u krijua rezistencë në pjesën që lidh fshatin e Xërxës me Rahovecin, kundër pushtuesve serb të cilët i kishin mësyrë qytetit.

Në luftimet e ashpra, të cilat ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave serbe në Rahovec, ranë dëshmorë: Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, ndërsa të lënduar mbetën Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe Smajl Latifi.

Kryetari i Komunës së Rahovecit i cili atëkohë ka qenë pjestarë i UÇK-së përmes një postimi ka përkujtuar dëshmorët dhe këtë ngjarje me peshë të madhe për Rahovecin:

18 korriku i vitit 1998 shënon njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Rahovecit. 25 vjet më parë, në Fortesë u shkrua epopeja e qëndresës duke luftuar kundër pushtuesit që kishte mësyrë qytetin e Rahovecit ku forcat tona çlirimtare po luftonin me hordhitë serbe. Në rezistencën e Fortesës ranë në altarin e lirisë, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj.

Krimet barbare të forcave pushtuese serbe, u sfiduan heroikisht nga luftëtarët e UÇK-së, të cilët më 17 korrik të atij viti, u futën në qytetin e Rahovecit dhe si nevojë e ruajtjes së pozicioneve, njësitet e UÇK-së, në mëngjesin e hershëm të 18 korrikut, i zunë pozicionet e reja në Fortesë, në të dy anët e rrugës kryesore që lidh Xërxën me Rahovecin.

Luftimet qenë të ashpra. Forcat tona ishin të pabarabarta me forcat e pushtuesve serbe që angazhuan edhe forca shtesë, ato të ushtrisë serbe. Çmimi i kësaj përpjekjeje për liri u pagua shtrenjtë, pasi që ranë tre luftëtarë të sprovuar, heronjtë Agim Kelmendi, Gani Paçarizi dhe Tafil Zyberaj, u plagosën rëndë Isuf Gashi, Halim Kelmendi dhe pata fatin që atë ditë të plagosem edhe unë.

Luftimet e UÇK-së në Fortesë ndaluan për 30 orë depërtimin e forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec. Në këto luftime të përgjakshme, humbëm bashkëluftëtarë të sprovuar nëpër beteja, shumë shokë na u plagosën, disa prej tyre u zunë edhe rob, barbaria serbe vrau shumë bashkëqytetarë tanë, por luftimet e atyre ditëve të korrikut përvëlues, rezistenca e UÇK-së dhe mbështetja që i dha popull ynë në këto anë, i bëjnë nder Kosovës dhe kombit tonë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të atdheut që ranë në betejën e Fortesës, më 18 korrik 1998!

Përulemi me përkushtim para veprës së tyre madhështore e të pavdekshme!

Lavdi Epopesë së UÇK-së në Fortesë!/KultPlus.com

Fshatrat Pastasellë dhe Burim shënojnë 24 vjetorin e masakrave

Fshati Pastasellë, i Komunës së Rahovecit, sot shënon 24 vjetorin e masakrës, nga e cila mbetën të vrarë 106 persona, shkruan KultPlus.com.

Pas vrasjes së 106 cilvilëve të këtij fshati dhe fshatrave të tjera përreth, trupat e tyre u dogjën, sikurse ka ndodhur edhe në masakra të tjera, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit të luftës së vitit 1999, të kryer nga forcat serbe.

Nga kjo masakër arritën të shpëtonin 13 persona, kurse një pjesë tjetër e të vrarëve figurojnë ende të zhdukur.

Po ashtu 24 vjetorin e masakrës, sot e shënon edhe fshati Burim i Komunës së Malishevës në të cilin mbetën të vrarë 42 persona.

Masakra e fshatit Burim konsiderohet si më e madhja e Komunën e Malishevës.

Në vendin e quajtur Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, më 31 mars 1999 u vranë dhe u masakruan 42 civilë, shumica prej tyre ishin nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Suharekës. Vrasje të civilëve shqipëtarë, në po këtë ditë ka pasur edhe në fshatrat tjera të Malishevës.

Në fund të marsit shënohen përvjetorët e masakrave të Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, Familjes Berisha, dhe Izbicës, të cilat së bashku me masakrën e Pastasellës janë më të mëdhatë të kryera nga forcat serbe në vitin 1999./KultPlus.com

Korrik 1998: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica

-Para 23 viteve, në Korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…/

-Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku”, 22 e 25 Korrik 1998: Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec.- Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë – Të masakruar, të vrarë dhe të djegur.- Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit.- Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës.-Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën. Letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…/

-Kuvendi i Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Kryeministri Kurti: Me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon/

Shkruan Behlul Jashari

PRISHTINË, 18 Korrik 2021/ Në Rahovec prej 17 deri në 22 Korrik 2021 zhvillohen aktivitetet e shënimit të “Epopesë së UÇK-së të Korrikut 1998”, organizuar nga Komuna…

“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 23 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar.

“Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës  ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë”  dhe titulli   “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”.

Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin  “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…  

Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur.

Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 23 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”

Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.

“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”…

 Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 22 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës  në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohet në të parën nga 6 pikat e Rezolutës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sot po mbështetet një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe se ky është veprim fisnik dhe i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që  përfaqësohen,  por mbi të gjitha në emër të universales njerëzore dhe dëshirës për paqe dhe drejtësi.“Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më. Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon. / KultPlus.com

​22 vjet nga masakra e Rahovecit

Më 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën.

Në Tehqen e Sheh Myhedinit në Rahovec u masakruan shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuma” u gjetën të masakruar dy profesorë, si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, ndërsa gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi, tregojnë se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u zhdukën dhe u morën peng shumë shqiptarë.

Organet e pushtetit serb në Prizren, më 22 korrik, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe varrosën shqiptarët e vrarë gjatë ofensivës në Rahovec. Koha.net / KultPlus.com

Nis epokë e re në ‘Hardh Fest’, maratonë festive 96 orë

  

Festivali  “Hardh Fest”, edicionin e kaluar ishte festivali më i vizituar në Kosovë, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 70 mijë, që shënon numër rekord të ndërkombëtarëve.

Festivali me më së shumti turistë në Kosovë, “Hardh Fest”, sivjet po vjen me një maratonë festive 96 orë dhe përditësim të aktiviteteve unike, duke i paraprirë vitit jubilar të 20-të, këtu nis epoka e re e “Hardh Fest”.

Festivali mbahet me 4, 5, 6 dhe 7 shtator 2020, n’Konak të Rahovecit, bindshëm lokacioni më i madh dhe më modern  i festivaleve në Kosovë.

”Hardh Fest” tashmë tradicional në 19 vjetorin, mikson eksperiencat  jetësore të turistëve nga mbarë bota, me pamjet vreshtare dhe trashëgimi, me muzikë hip hop dhe verë rreth kazanit dhe vizita (tours) tradicionale, duke vazhduar me muzikë pop & rock dhe raki rrushi deri te muzika elektronike dhe zjarri në Hardh Camp.

Një festival origjinal që tashmë është dëshmuar si përvojë e një dimensioni tjetër, krejt kjo e rrethuar me peizazhet magjepsëse vreshtare, që përjetohen vetëm në “Hardh Fest”. / KultPlus.com

Në Rahovec nga 13-15 shtator mbahet Festivali Ndërkombëtar i Poezisë

Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi ka bërë me dije e nga 13 deri 15 shtator 2019 do të mbahet edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec ku do të shpalosen poezitë nga vende të ndryshme botërore.

Pjesëmarrësit në këtë festival do të jenë autor të shquar të vendeve të ndryshme të botës. Në këtë festival do të jenë të pranishëm Anne Tannam nga Irlanda, Ali al Ameri nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Andreë Singer nga ShBA-ja, Beppe Costa nga Italia, Tendo Taijin nga Japonia, Mercedes Roffe nga Argentina, Miriam Neiger Fleischmann nga Izraeli, Jack Mc Cann- nga Irlanda, Luan Rama nga Shqipëria/Franca, Olimbi Velaj nga Shqipëria, Peter Andrej nga Sllovenia, Vladimir Martinovski nga Maqedonia, Ramiz Huremagic nga Bosnja, Ndrekë Gjini- nga Shqipëria/Irlanda, Kristian Wikborg Wiese nga Norvegjia, Poul Lynggaard Damgaard nga Danimarkë si dhe poetët nga Kosova Faruk Buzhala, Xhevat Latifi, Tahir Hoxha, Jeton Kelmendi, Lulzim Tafa, Donika Dabishevci, Sali Bashota, Sibel Halimi, Murteza Osdautaj Vjollca Kuqi dhe Ismail Gashi.

Është bërë me dije se në këtë festival do të promovohet krijimtaria letrare e poetit për fëmijë, Jonuz Fetahaj.

Pjesëmarrësit në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec do të kenë mundësinë të njoftohen me traditën, artin dhe kulturën e Kosovës.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec tash e pesë vite më radhë tubon zërat më të fuqishëm të skenës botërore të poezisë dhe audiencës i mundëson që të njoftohen me poetë dhe poezi e cila kultivohet në këtë kohë.

Drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë është poeti, Fahredin Shehu. / Koha.net / KultPlus.com

Hardh Festi promovon Kosovën nëpërmjet artistëve botërorë

Hardh Fest është një nga festivalet kosovare që ka bërë bujë edhe jashtë kufijve duke sjellë në Kosovë artistë të njohur botërorë.

Legjenda botërore e muzikës rock, Kee Marcello, ish-anëtar i grupit Europe ka postuar në faqen e tij zyrtare performancën dhe turneun e tij në Rahovec, Kosovë – më datën 8 shtator.

Kee Marcello së bashku me bendin e tij, arrin në Kosovë më 6 shtator.

Këtë vit më 7 shtator në Hardh Fest do të performojë grupi Troja, Rahoveci All Star, grupi nga Suedia Madman`s Choice, deejay nga Holanda, NOUEVABEATS, dj Fisnik Kuqi dhe Dj NWE.

Ndërsa, më datën 8 shtator do të përformojnë Dj MAARVEL, grupi Magnituda, Dj Gruda nga Shqipëria, Dj Pelge nga Belgjika, rockeri shumë i njohur Eugent Bushpepa, si dhe Main Artisti i Hardh Festit, Kee Marcello. E më 9 shtator në skenën e madhe të Hardh Festit do të promovohen edhe artistë të ri të Kosovës, si Ardi Gashi, Elit Hoti dhe deejay të shumtë.

Hardh Fest këtë vit mbahet më datë 7, 8 dhe 9 shtator n`Konak të Rahovecit, i organizuar nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Smajl Latifi dhe partnerin e Festivalit, Stone Castle./KultPlus.com

Hardh Fest përfundon suksesshëm, mbi 50 mijë pjesëmarrës në këtë vit

Me orën poetike, hapjen e ekspozitës së artistëve, pjesëmarrës në Kononinë e Artit dhe me përzgjedhjen e mbretëreshës së Rrushit, të dielën është përmbyllur edicioni i 16-të i Festës së Vjeljes së Rrushit HardhFest.

Këtë vit, numri i pjesëmarrësve në HardhFest arriti mbi 50 mijë, gjë që tregon se interesimi për këtë festë është duke u rritur.

E veçanta e këtij edicioni ishte performanca e legjendës së rokut, Joe Lynn Turner, ish vokalist i grupeve ndër më të njohura të rokut klasik, Deep Purple dhe Rainboë, si dhe George Giakis dhe grupin Troublemakers.

Gjithashtu HardhFest këtë vit riktheu në skenë grupin 403, të cilët për një kohë të gjatë nuk u panë në skena të mëdha.
Gjatë katër ditëve festive, n’Konak dhe në qendër të Rahovecit, u mbajtën aktivitete të ndryshme tradicionale e artistike.
Hapja e festivalit filloi të enjten, me 7 shtator. Parakalimi i mekanizmit bujqësor, nga qendra e qytetit, deri tek Konaku, ishte aktiviteti i parë që i dha frymën e festivalit dhe qytetit të Rahovecit.

Ndërsa, me prerjen e Kalaveshit të rrushit, filloi ceremonia zyrtare, ku të pranishëm ishin akterë politikë, e që fjalën e mori i pari i Rahovecit, Idriz Vehapi, si dhe nikoqirja e festës, Djellza Jaha. Gjatë kësaj ceremonie u bë edhe shpallja e vreshtarëve dhe vertarëve më të mirë.
Interesim të madh kishin secila nga aktivitetet e mbajtura, si vizita në vreshta HardhTour, garat në shpejtësinë e vjeljes dhe shtrydhjes së rrushit, Karnavali në Qytetin e Rahovecit, Demonstrimi i pjekjes së rakisë, etj. Ndërsa në panairin e verës dhe rakisë, për të cilin organizohet i gjithë festivali, u pa një interesim i jashtëzakonshëm i vizitorëve vendorë e turistë të huaj, të cilët degustonin verërat në secilën verari, e cila ishte e hapur për gjatë 4 ditëve të festës.
Dita e parë u përmbyll me Sofra tradicionale, e përcjellë me instrumentistë dhe këngëtarë të muzikës tradicionale shqiptare si dhe me performimin unplugged të bandit Magnituta n’Konak rreth “kazanit” dhe vazhdoi në HardhCamp.

E të nesërmen me 8 shtator, festa nisi me performimin e dj në Promo Skenat n`Konak të cilët po argëtonin publikun. Demonstrimi i pjekjes së rakisë po vazhdonte, si dhe artistë nga vende të ndryshme të botës, vazhdonin të pikturonin në Kolonia e Artit.
Në anën tjetër, HardhTour vazhdoi vizitën në monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore si dhe vizitë bodurmeve të Rahovecit.

E n ‘Konak po mblidheshin publiku nga anë e mbanë Kosova dhe turistë nga vende të ndryshme të botës, për t`u argëtuar me koncertin e parë të kësaj feste, ku të parët që hipën në skenën e madhe ishin familja Shtavica, rok grup ky i përbërë nga tri gjeneratat e kësaj familje, e pas tyre atmosferën e ndezën Offchestra, për të pritur në skenë rikthimin e grupit 403. Mbas performimit të 403 për më shumë se një orë, dj Maarvel, dj Mickey dhe dj NËE, mbajtën publikun të ndezur deri mbas mesnate.
HardhCamp ishte një ndër atraksionet më të mëdha të festës, ku ishin kampistët të parët që fillonin festën n`Konak, e që përcillnin gjitha aktivitetet e festës.
Më datë 9 shtator, aktivitetet vazhdonin të kishin interesim nga turistët, të cilët prisnin me padurim koncertin e dytë të kësaj feste.

Koncerti madhështor filloi me muzikën cover të muzikantit nga Rahoveci Naser Dula, e më pas rok grupi nga Ssuedia Memory Ëritës. Një roker mjaftë i dashur për publikun BB Poqi vazhdoi të performonte si dhe mbas tij, paragrup i kësaj mbrëmje ishte George Giakis si dhe Troublemaker nga Greqia.
Rreth orës 23, me të hyrë në skenë ikona e muzikës rock Joe Lynn Turner, së bashku me pjesëtarë të grupit, atmosfera arriti kulmin, ku pothuajse për gjithë publikun, ishte hera e parë që po i dëgjonin live në një koncert këngët e grupit Deep Purple dhe Rainboë.

Gamblemania & BAND, nga Prishtina, dj Oda dhe dj Gruda, mbanë të zgjuar publikun deri në mëngjesin e së dielës.
Edhe në ditën e tretë – të dielën (10 shtator) atmosfera si n’Konak ashtu edhe në qytetin e Rahovecit, nuk kishte të ndalur deri në orët e vona, kur edhe u përmbyll me hapjen e ekspozitës së artistëve të Kolonia e Artit si dhe orën poetike, me poezitë e poetit nga Rahoveci, Xhevdet Bajraj.
Për këtë edicion që vulosi një sukses mjaft të madh, duke sjell në Rahovec mbi 50 mijë vizitorë, HardhFest falënderon të gjithë ata që mundësuan një organizim të tillë. Falënderon qytetarët e Rahovecit, për bujarinë dhe mikpritjen e treguar për të gjithë vizitorët dhe turistët, për të cilët bënë konakë gjatë katër ditëve, Vreshtarët dhe Vertarët e Rahovecit, pa të cilët një organizim i tillë s`do të kishte vlerë dhe gjithë artistët që morën pjesë në festival.

Sponsorët e “Hardhfestit” të cilët mundësuan që kjo festë të kishte nivelin e duhur e gjithashtu edhe partnerin e festivalit “Stone Castle”. Një përkrahje të madhe dhanë edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Komuna e Rahovecit, nën patronatin e të cilëve organizohet edhe Festa e Vjeljes së Rrushit.
Të palodhshëm u treguan edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët HardhFest u është shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin e tyre.

Festa e vjeljes së rrushit Hardhfest ka tri vite që është ri brenduar me format të ri dhe që po mbahet në Rahovec, duke arritur nivelin e organizimeve më të rëndësishme në Kosovë, e që është duke sjell emra të njohur botërorë. Këtë vit festa e madhe e rrushit u mbajt me sloganin “Mbas Verës vjen Vera”./ KultPlus.com

Vokalisti i ‘Deep Purple’ performon sonte në Kosovë

Në Aeroportin Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë, sot bëhet pritja zyrtare e legjendës së rockut, Joe Lynn Turner, ish vokalist i grupit Deep Purple dhe Rainbow.

Joe Lynn Turner, do të performojë sot në koncertin e festës së vjeljes së rrushit “HardhFest 2017”.

Ndryshe, Hardh Fest këtë vit mbahet në datat 7, 8, 9 dhe 10 shtator, nën sloganin “Mbas verës, vjen vera”. / KultPlus.com

Grupi 403, BB Poqi e artistë ndërkombëtar performojnë në ‘Hardh Fest’

Me moton “Mbas Verës, Vjen vera” organizohet festivali i përvitshëm “Hardh Fest”. Edhe këtë vit në komunën e Rahovecit, ku mbahet festivali, do të ketë verë, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera.

E veçanta e edicionit të 16-të është të këtij festivali është se do të performojë edhe Joe LyNN Turner, i cili ka performuar me Deep Purple dhe Rainbow. Grupi 403 dhe BB Poqi do të interpretojnë në “Hardh Fest” gjithashtu.

Gardalin Shtavica, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Rahovecit, në konferencën e mbajtur sot ka thënë se në fokus të veçantë e kanë muzikën, duke sjellë edhe grupe të ndryshme ndërkombëtare.

“Hapjen e festivalit do ta bëjnë familja Sllavishta, që do të bëjnë një rikthim të madh pasi ka vite që ata nuk kanë bërë muzikë”, ka thënë Shtavica, duke shtuar se një tjetër grup që do të performojë, është grupi 403 si dhe BB Poqi.

“Befasia është se do të kemi njërin prej zërave më të mirë të rokut Joe LyNN Turner, i cili ka performuar për grupe të mëdha botërore siç është Deep Purple dhe Rainbow”, ka thënë Shtavica.
Organizatorët kanë thënë se vitin e kaluar këtë festival e kanë vizituar mbi 30 mijë turistë, ndërsa sivjet presin që ta vizitojnë mbi 50 mijë vizitorë, shkruan ekonomia online.

Agi Haxhimurati, përgjegjës për pjesën kreative të festivalit, ka thënë se sivjet numri i vizitorëve do të rritet për shkak se edhe kanë zgjatur ditët e mbajtjes së tij. Ai ka thënë se këtë vit pritet që “Hardh Festin” ta vizitojnë 50 mijë turistë.

“Slogani i këtij viti është ‘Mbas verës, Vjen vera’. Bashkangjitur me sloganin ne sot ekskluzivisht do të prezantojmë edhe vizualin e këtij viti që është pak më me stil, e cila ka ngjyrën e rrushit”, ka treguar Haxhimurati, derisa ka thënë se target i festivalit janë të gjithë ata që hyjnë dhe dalin në qytetin e Rahovecit.

“Ne jemi kujdesur edhe për detaje në ‘Hardh Fest’, përmes fletushkave që i kemi në formë të gotës së verës, që do të iu japim secilit nga një verë”, ka thënë Haxhimurati, duke shtuar se festivali është në vitin e 16-të që organizohet dhe në tri vitet e fundit ka pasur sukses të jashtëzakonshëm. Vitin e fundit ka pasur mbi 32 000 turistë në festival.

“Objektivi jonë është që, mbi 50 000 vizitorë do ta vizitojnë festivalin për shkak se ne kemi zgjatur ditët që do të mbahet festivali 4 ditë”, ka thënë Agi Haxhimurati.
“Hardh Fest” do të mbahet nga 7 deri me 10 shtator 2017. / KultPlus.com

Poetë të shquar ndërkombëtar në Festivalin e Poezisë në Rahovec

“Festivali Ndërkombëtar i Poezisë” i cili mbahet në Rahovec, në këtë edicion të tretë do të sjellë poetë të shquar ndërkombëtar të cilët vijnë për herë të parë në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Pjesëmarrës në këtë festival janë poetë që vijnë nga shtetet si Cuba, Filipine, SHBA, Greqia, Turqia, Tunizia, Italia, Bulgaria, Gjermania, Maqedonia, Mali i Zi, Britania e madhe, Jordania, Shqipëria etj.

Gjatë këtij festivali i cili zhvillohet përgjatë datave 4, 5 dhe 6 shtator, do të promovohet edhe libri i poetit amerikan William S. Peters, “Kosovë e dashur…ëndrrat e Rahovecit”.

“Vera dhe poezia, janë antike po aq sa edhe dashuria për to, prandaj me këtë nismë të re, do t’ia shtojmë Kosovës vëmendjen kulturore”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com