RAI3: Vjosa, lumi i egër i Evropës, e mbushur me vlera dhe potenciale

Nga malet e Pindit tek grykëderdhja e Adriatikut. Lumi i Vjosës me degët e tij përshkruan 400 kilometra nga Veriu i Greqisë. Nga Shqipëria, brigjet e Vjosës banohen nga 1 100 specie dhe kafshë barngrënëse. Një zonë e blertë me një peizazh panoramik, sipas një dokumentari në televizionin italian Rai3, i cili promovon vlerat turistike të lumit Vjosa.

”Lumi i Vjosës i u shpall një park kombëtar nga qeveria shqiptare, shembull i parë i një parku të egër në Evropë dhe së shpejti mund të shpallet biosfera e UNESCO-s.

Vendimi i qeverisë së Tiranës për ta shpallur ”Zonë të Mbrojtur” erdhi pas shumë vitesh betejash nga qytetarë dhe organizata të ndryshme ambientaliste kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe digave duke arritur edhe në thirrjen e aktorit të Hollivudit Leonardo DiCaprio”, thotë RAI3, i cili interviston edhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Lumi i Vjosës nuk është një lumë si gjithë të tjerët. Është një lumë i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Do të thosha më shumë. Është i vetmi lumë i egër i Evropës. Do të thosha që vendet e tjera të Europës me lumenjtë e tyre kanë bërë çfarë kanë dashur, i kanë zhvilluar, kanë ndërhyrë, ndërsa Shqipëria e vogël ka dhënë modelin që mund të mbrohet ky laborator natyral i biodiversitetit”, thotë Kumbaro.

”Vjosa quhet i egër pasi në të nuk ka diga, hidrocentrale, rrjedh i lirë në rrugëtimin e tij, duke favorizuar bujqësinë dhe nga pikëpamja e peshkimit ka disa lloje specie që rriten në këto ujëra. Në shkurtin e kaluar ky lumë u vizitua edhe nga drejtoresha e përgjithshme, Odri Azule  e shoqëruar nga ministrja Kumbaro. Në muajt e ardhshëm ky lumë mund të marrë çmimin prestigjioz të Biosferës të agjencisë së OKB-së”, vijon RAI3.

”Ideja është që të ndihmojë komunitetin vendas. Është diçka tjetër të ndryshosh natyrën. Është ndryshe ta quash një territor park kombëtar. Është diçka tjetër që t’u ofrosh  njerëzve që jetojnë këtu ide, mundësi, ndihma ekonomike etje. Ne nuk duam që njerëzit të braktisin ketë vende, sepse do të jenë vende të vdekura”, shton Kumbaro.

”Në brigjet që përshkruan Vjosa banojnë 100 000 banorë. Fermerët punojnë tokat, barinjtë kullosin bagëtitë si dhi e dhenë. Aleksi ka lindur dhe jeton në Përmet bën guida turistike. Ai e njeh Vjosën si xhepat e tij”, vijon RAI3.

”Një miku im italian duke parë këto bukuri thotë se ju keni një Ferrari, por nuk dini ta ngisni. Të ruash Vjosën do të thotë shumë për ekonominë tonë. Kush i ka braktisur këto vende e di që mund të kthehet të investojë në turizëm këtu”, thotë Aleksi.

”Ujëvara, natyrë, restorante me pamje nga lumi tërheqin vizitorët kuriozë për të zbuluar nga afër Shqipërinë e përtej detit. Një nga aktivitetet më të njohura është rafting. Në fshatin e vogël të Peshtanit takuam edhe Mirelën, e cila ofron një bujtinë për turistët. Në kopshtin e saj në qiell të hapur ndodhet një muze me reliket e Luftës së Dytë Botërore të cilat i gjeti në malet mbi fshat. Ajo gjithashtu ka luftuar për mbrojtjen e Vjosës”, vijon RAI3.

”Turismi po shtohet dhe do të jetë e ardhmja e kësaj zone. Jemi me fat që e kemi Vjosën. Natyra është treguar bujare me ne”, thotë Mirela./ atsh / KultPlus.com

Rai 3: Shqipëria, destinacioni numër një që duhet vizituar gjatë 2018-së (VIDEO)

Emisioni prestigjioz i Rai 3 “Kilimangiaro” që flet mbi udhëtimet dhe destinacionet turistike në mbarë botën, ka vendosur Shqipërinë si destinacioni numër një që duhet patjetër të vizitohet gjatë vitit 2018.

Përmes këtij emisioni i bëhet një pasqyrë e bukur zonave të ndryshme turistike të vendit tonë duke shfrytëzuar pamjet promocionale të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

“Në vendin e 5 renditet Oman, Azi, në të katërtin, Moldvia, në Evropë, në të tretin Bjellorusia, sërish në Evropë, në vendin e dytë, Tanzania, në Afrikë. Po kush është në vendin e parë? Një vend afër nesh, është Shqipëria”, nis prezantimi i Shqipërisë në emisionin “Kilimangiaro”. Shqipëria vitet e fundit ka regjistruar rritje të pronotimeve me rreth 88%, evidentohen në këtë emision. “Mund të arrihet përmes një udhëtimi të thjeshtë nga Brindisi ose Ankona. Por, mund të shkohet edhe me avion. Gjenden male, plazhe të bardhë dhe deti është i patër si kristal. Një birrë kushton 1.50 euro. Një dhomë dopio e këndshme kushton 30-40 euro në ditë”, thuhet më tej. Në 10 vitet e fundit, citohet në emision, nëntëmbëdhjetë mijë italian janë transferuar në Shqipëri, ndaj nuk është gjithmonë e nevojshme të dish anglisht. Këshillohet të udhëtosh me makinë sepse mjetet e transportit janë më të ngadalta dhe shpesh nuk arrijnë të gjitha destinacionet që ti dëshiron të vizitosh. Ekzistojnë edhe mikrobusë privat që kushtojnë 1.50 euro për një orë, ose taksi që kushton 20 euro për 2 orë udhëtim. “Nuk duhet humbur një vizitë në Kalanë e Gjirokastrës, pasuri e mbrojtur nga UNESCO, plazhet e Dhërmiut, apo edhe edhe Parku Kombëtar i lumit të Valbonës”, thuhet në reportazhin promovues të Shqipërisë.

Më tej, evidentohet se shqiptarët janë njerëz të ngrohtë dhe të sjellshëm edhe nëse ti do të udhëtosh vetëm. Muaji perfekt për të vizituar Shqipërinë është shtatori, sugjerohet nga “Kilimangiaro”, ku dielli është i ngrohtë dhe çmimet janë edhe më të ulëta. Të shumta kanë qenë edhe komentet e ndjekësve të këtij emisioni përmes të cilave veçohen bukuritë natyrore të Shqipërisë por edhe mikpritja e shqiptarëve. Shqipëria, shprehen ata është një vend i jashtëzakonshëm: kanë plazhe fantastike, natyrë dhe fshatra të mrekullueshëm. Për këtë vend mund të shoh vetëm një të ardhme të ndritur dhe me të drejtë italianët janë tërhequr nga ky vend./ KultPlus.com