Blerta Hoti sjellë ekspozitën personale “Peizazhe Imagjinative”

Blerta Hoti artistja që artin e saj kreativ si piktore profesionale e ekspozoi jo vetëm në Kosovë, por edhe përtej saj si në shtetet perëndimore në Francë, Zvicër, madje edhe në Amerikën e largët, tashmë do ta hapë një ekspozitë personale në galerinë e Raiffeisen Bank, në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Këtë radhë ajo pas ekspozitës në Francë e cila u prit nga artdashësit Francës tani ekspozon një cikël të punimeve të titulluar “Peizazhe Imagjinative” në galerinë e Raiffeisen Bank në Prishtinë.

“Kërkimi im për peizazhin si koncept me erdhi kohë pas kohe, ide pas ideje nga ambientet natyrore nga pamjet e freskëta nga natyra që i shtjellova me imagjinatë ku arrita t’i zbërthej në format e mija si një aventurë e këndshme”, thotë ajo në lidhje me punën e saj.

Në këto peizazhe shihet një gërshetim mes reales dhe ekspresives ku bëhet një ndërlidhje e ngushtë mes hapësirës brenda sfondit, një ndërtim të zhdërvjellët, të lëvizshëm, e dinamik deri në imtësi duke u munduar për të finalizuar pamjet e bukura dhe kapjen e bukur të peizazhit.

Në këtë ekspozitë artistja do të marrë pjesë me gjithsej 15 piktura të dimensioneve të ndryshme ndërsa teknika është vaj në pëlhurë.

Ekspozita hapet më 1 mars ndërsa do të qëndrojë e hapur 1 muaj./ KultPlus.com