Në Galerinë Kombëtare të Kosovës sot u mbajt konferencë për media për edicionin e katërmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi” 2022, ku me këtë rast GKK prezantoi njërin nga kuratorët, Raimund Stecker (Dusseldorf) , kurse Christian Mosar (Luksemburg), për shkaqe familjare nuk ishte prezent.
Kuratori Raimund Stecker shpalosi konceptin kuratorial duke premtuar prurje të autorëve eminent që do të ftohen nga arena ndërkombëtare.
Në hapje të konferencës, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiun tregoi se ky edicion është dashtë të mbahej në vitin 2020 por për shkak të pandemisë është shtyrë deri tani.
“Ne si Galeri kemi kontaktuar kuratorë e bashkëpunëtorë të ndryshëm, njerëz profesional, njerëz që i ndihmojnë këtij çmimi, vlerat që janë trashëguar për vite me radhë të vazhdojnë tutje dhe të na sjellin prurje të reja”, u shpreh Spahiu.
Ndërsa Raimund Stecker foli për rëndësinë e pikturës e cila sipas tij sot në një formë a tjetër, ky art ka filluar të zbehet për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe si e tillë teknologjia ka vendosur dorë mbi këtë zanat.
“Çka është pikturë sot, çka mund të jetë pikturë sot? Kjo është arsyeja pse jemi këtu, sepse ne po jetojmë në një kohë kur gjithë pikturat shihen përmes telefonave tanë, askush nuk po e sheh më pikturën origjinale”, u shpreh Stecker.
Konkursi vazhdon të jetë i hapur deri më 20 shator dhe gara do të jetë e hapur për artistë, brenda territorit të Kosovës dhe mënyra e aplikimit është fizike.
Ekspozita planifikohet të mbahet në fillim të dhjetorit mes datave 5-6 ose 7 dhjetor.
Christian Mosar dhe Raimund Stecker do të përgatitën për pranimin e aplikimeve të artisteve nga vendi dhe bashkë të bëhet përzgjedhja që në fillim të dhjetorit të jenë të gatshëm. / KultPlus.com